Ndërlidhjet

Opsionet për zhbërjen e strukturave paralele


Mitrovicë - Ura kryesore
Mitrovicë - Ura kryesore

Përveç deklaratave politike se do t'i shuajnë strukturat paralele serbe që veprojnë në Kosovë, institucionet kosovare nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Është ky një konstatim i disa analistëve politikë kosovarë dhe i njohësve të decentralizimit.


Analisti Halil Matoshi konsideron se misionet ndërkombëtare janë ato që do të duhej të vepronin në këtë drejtim.

“Unë mendoj se institucionet e Kosovës aktualisht, përveç deklaratave të forta që mund t'i japin, nuk kanë ndonjë mekanizëm me të cilin mund t’i shuajnë institucionet paralele, kryesisht të serbëve lokalë në veri të Kosovës, por edhe në enklava", thoë Matoshi.

Për zotin Matoshi, deklaratat e politikanëve janë vetëm për politikë ditore dhe nuk kanë ndonjë përmbajtje esenciale.

Ndryshe, Arben Gashi, ekspert për decentralizim, shprehet se funksionimi i strukturave paralele vazhdon të jetë një nga sfidat e institucioneve të Kosovës. Ai thotë se institucionet të paktën duhet të insistojnë në dobësimin e funksionimit të tyre.

“Logjikisht, po ta merrnim këtë çështje në trajtim, do të thoshim se institucionet kosovare nuk i kanë krijuar dhe normalisht nuk do të mund t’i shpërbënin këto institucione paralele në kuptimin e urdhëresës për shpërbërje”.

“Ndërsa, në kuptimin e uljes së ndikimit të efektivitetit të këtyre strukturave, të cilat deri vonë nuk janë pranuar si të tilla, që ekzistojnë brenda territorit të Kosovës, mund të bëhët dhe unë mendoj se është dashur të bëhet edhe më herët", thotë Gashi.

Ai shton më tej se ndërtimi i mekanizmave, si ai kapaciteteve njerëzore dhe ligjore, do të mund të ndikonin në mosfunksionim e këtyre strukturave paralele serbe.

Sipas Gashit, veç tjerash, institucionet do ishte dashur të kishin plane në përfshirjen e pakicës serbe në inkuadrimin e jetës institucionale, si dhe një ndikim të madh do të mund ta bëjë bashkësia ndërkombëtare

“Si ndihmesë në këtë rast do të mund të mendoheshin edhe institucionet ndërkombëtare, si UNMIK-u, i cili tashmë është në shuarje, apo EULEX-i që pritet. Prandaj, mendoj se ka shumë mekanizma, që nëse do të mund të funksionalizoheshin mirë, do të mund të ktheheshin në beneficion të shtrirjes së autoritetit të institucioneve kosovare në tërë territorin e Kosovës", tha Gashi.

Analisti Halil Matoshi thotë se organizatat ndërkombëtare, ato të Bashkimit Evropian, nuk janë të interesuara që në këtë kohë të fokusohen në shuarjen e strukturave paralele, pasi që, sipas tij, ato tash për tash janë të interesuara të shohin miratimin e ligjeve të pakos së Ahtisaarit.

Matoshi mendon se përfaqësuesit ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, kanë mekanizma që shumë shpejt mund t’i shuajnë strukturat paralele në Kosovë.

“Unë mendoj se edhe BE-ja, por edhe strukturat e tjera, SHBA-të edhe strukturat e NATO-s, kanë mekanizma adekuatë që do t'i eliminojnë strukturat paralele dhe do të nxisin integrimin e serbëve kosovarë në institucionet e Kosovës", shprehet Matoshi.

Sido që të jetë, institucionet e Kosovës deri më tash janë treguar të pafuqishme përballë strukturave paralele që veprojnë në veri të Kosovës dhe në disa vende të tjera të banuara me shumicë serbe.
XS
SM
MD
LG