Ndërlidhjet

Moore: Interesat ekonomike para dogmatizmit dhe ideologjisë


Patrick Moore
Patrick Moore

"Shpresoj se vullneti i mirë dhe interesat ekonomike në gjithë Kosovën do të mundin ideologjinë dhe dogmatizmin. Nga ideologjia nuk jetohet", ka thënë analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.


RADIO EVROPA E LIRË
Politikanë serbë në Kosovë planifikojnë të formojnë qeveritë lokale mbi bazën e rezultateve të zgjedhjeve të Serbisë të 11 majit. Disa analistë thonë se ky zhvillim mund të ngritë tensione në Kosovë. Cili është komenti juaj?

PATRICK MOORE
Po, Slobodan Samarxhiqi që është ministër i Beogradit për Kosovën, tha në Mitrovicë, më 25 maj, se organet administrative lokale në veri duhet të formohen brenda 15 ditëve. Por, problem kyç për politikanët lokalë serbë në Kosovë është fakti se UNMIK-u nuk ka njohur zgjedhjet serbe, të mbajtura më 11 maj.

Joachim Ruecker e ka bërë të qartë se nuk do të njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Mbase, disa politikanë serbë duan të bëjnë zhurmë, por nuk duket se duan konflikt me UNMIK-un.

RADIO EVROPA E LIRË

Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, disa ditë më parë tha se "nëse pas 15 qershorit situata në Kosovë do të jetë stabile si tash, ne do të jemi të lumtur". Çfarë sugjeron ky prononcim?

PATRICK MOORE
Ky është një nga komentet e liderëve perëndimorë që thonë se kosovarët kanë bërë punë të mirë në menaxhimin e pavarësisë. Besoj se Jansha ka shfaqur dëshirën që gjërat, edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, të ecin mbarë.

Në shkurt të këtij viti kam pohuar se problemi kryesor për stabilitetin në Ballkan nuk është pavarësia e Kosovës, por Serbia nacionaliste. Besoj se muajt e kaluar kanë dëshmuar që parashikimi im ka qenë i drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" ka vënë në pah se serbët që jetojnë në enklava, refuzojnë pavarësinë e Kosovës, por pranojnë se duhet të pajtohen me "bashkëpunimin pragmatik" me fqinjët shqiptarë dhe autoritetet kosovare. Çfarë do të thotë kjo?

PATRICK MOORE
Fillimisht duhet thënë se 60 për qind e serbëve të Kosovës jetojnë në enklava dhe vetëm 40 për qind në veri të lumit Ibër.

Në muajin mars, Oliver Ivanoviq pati thënë se "në veri është lehtë të luash rolin e serbomadhit dhe të përfitosh poena të lehtë, por këtë mund ta paguajnë serbët në pjesën tjetër. Kjo politikë do të shtojë ndjenjën e serbëve se janë të braktisur dhe rrjedhimisht do të shtojë numrin e atyre që do të shkojnë nga Kosova".

Pikërisht Oliver Ivanoviq, tash së voni, tha se qeveritë lokale mund të formohen vetëm në pajtim me UNMIK-un, sepse konfrontimi i vazhdueshëm ndërmjet serbëve dhe misionit të Kombeve të Bashkuara do të dëmtojë vetëm serbët.

Nuk ka asnjë dilemë se në veri është lehtë të bëhet politikë e zhurmshme, por serbëve në enklava u duhen raporte të mira me fqinjët shqiptarë dhe me praninë ndërkombëtare në Kosovë. Këta serbë do të duhej ta dinë se interesat e tyre afatgjata më së miri mbrohen në një ambient paqësor dhe bashkëpunues, sepse kjo do të jetë mirë për biznesin, investimet dhe vendet e reja të punës.

Shpresoj se vullneti i mirë dhe interesat ekonomike në gjithë Kosovën do të mundin ideologjinë dhe dogmatizmin. Nga ideologjia nuk jetohet.
XS
SM
MD
LG