Ndërlidhjet

Të drejtat e personave me nevoja të veçanta



Personat me aftësi të kufizuara janë si të gjithë të tjerët dhe kanë të drejtën të jetojnë dhe të veprojnë ashtu si të gjithë njerëzit tjerë. Kështu është thënë sot në një konferencë, të cilën e ka organizuar Shoqata e Personave me Aftësi të Kufizuara. Agim Vatovci, kryetar i kësaj shoqate, ka pohuar se të drejtat e personave me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mos respektohen në Kosovë.

“Problemi më i madh është ndërgjegjja. Njerëzit nuk kuptojnë derisa t’u ndodhë vetë invaliditeti, ose derisa të bien vetë në karrocë prej aksidentit ose aksidentit ndërnjerëzor. Këtu tek ne nuk ka legjislacion që respekton kodin e mirësjelljes. Le që të nënçmon fytyra publike ose politike, por nuk ka injorim më të madh kur ai nuk të pret e ti ke nevojë për të",
thotë Vatovci.

Për zotin Vatovci, personat me aftësi të kufizuara janë një kategori e njerëzve, për të cilët shoqëria nuk ka bërë shumë, siç thotë ai, për t'u mundësuar atyre, që ato aftësi që i kanë, t'i shprehin, në mënyrë që të mos konsiderohen pjesë e padobishme e shoqërisë.

“Paragjykimet që janë krijuar kohë më parë për personat me aftësi të kufizuara, janë ndër faktorët kryesorë të diskriminimit të këtyre personave. Të jesh person me distrofi muskulore, nuk do të thotë jesh i paaftë në tërësi", tha Vatovci.

Bashkë-organizatori i kësaj konference, drejtori i Universitetit për Biznes dhe Teknologji, Edmon Hajrizi, konsideron se numri i personave me aftësi të kufizuara është i konsiderueshëm dhe, sipas tij, ata kanë nevojë për një kujdes më të madh nga institucionet e Kosovës.

“Shihet se është një numër shumë i madh i personave me aftësi të kufizuara dhe secili nga përfaqësuesit e institucioneve duhet të bëjë diçka për ta, aty ku ka mundësi. Unë mendoj se ekzistojnë elemente ku këta mund ta japin kontributin e vet në disa punë të caktuara dhe mendoj se mund të ndihmohet", tha Hajrizi

Nga ana tjetër, Bahrie Sahiti, një vajzë me nevoja të veçanta, apo person me distrofi muskulore, thotë se pengesa më e madhe për këtë kategori të njerëzve është mënyra se si sillen me ta njerëzit në rrugë.

“Të shohin me një shikim të keq; nuk di si ta shpjegoj. Unë personalisht nuk i kam ato komplekse dhe nuk më pengojnë, por të tjerëve u pengojnë shumë. Njëherë dalin dhe i shikojnë ashtu, edhe nuk dalin më", thotë Sahiti.

Ndryshe, sipas Organizatës së Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, ekzistojnë rreth 18 mijë e 760 persona me aftësi të kufizuara.
XS
SM
MD
LG