Ndërlidhjet

Obama shpall fitoren


Barack Obama
Barack Obama

Senatori demokrat, Barack Obama, duket se do të jetë kandidati i parë afrikano – amerikan për president në historinë e SHBA-ve. Zoti Obama tha se do ta përfaqësojë Partinë Demokratike në zgjedhjet presidenciale kundër kandidatit republikan John McCain.


Mediat amerikane kanë raportuar se Barack Obama ka mbështetjen e 2118 delegatëve, për të siguruar nominimin e demokratëve, pas pesë muajsh fushatë kundër senatores Hillary Clinton, e cila mori fund me votimet brenda-partiake në Dakotën e Jugut dhe Montana.

Zoti Obama u tha mbështetësve në Minesota se ai do ta përfaqësojë Partinë Demokratike në zgjedhjet e nëntorit kundër kandidatit republikan John McCain.

"Amerikë, ky është momenti ynë. Kjo është koha jonë. Koha jonë për ta ndryshuar faqen e politikave të së kaluarës. Koha jonë për të sjellë energji të re dhe ide të reja për sfidat me të cilat përballemi. Koha jonë për të ofruar një drejtim të ri për këtë vend, të cilin ne e duam", tha Barack Obama.

"Sonte ne shënojmë fundin e një rruge historike dhe fillojmë një tjetër, një rrugë që do të sjellë ditë të reja dhe më të mira për Amerikën. Në saje tuaja, mund të qëndroj këtu dhe të them se do të jem i emëruari i Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara", tha senatori Obama.

Senatorja Clinton, megjithatë, në fjalimin e saj në New York, refuzoi të pranojë humbjen.

"Tash, shtrohet pyetja se kah do të shkojmë ne nga këtu? Kjo ishte një fushatë e gjatë dhe unë sonte nuk do të marr vendime", tha Hillary Clinton.

Mediat amerikane kanë raportuar se zonja Clinton mund të jetë e interesuar të garojë së bashku me senatorin Obama, për postin e zëvendëspresidentit.

Kandidati republikan, ndërkaq, John McCain, tha se është i gatshëm të përballet me senatorin Obama.

"Komentatorët dhe zyrtarët partiakë e kanë shpallur senatorin Obama si kundërshtarin tim dhe unë them se do të jetë një kundërshtar i vështirë. Jam i gatshëm për këtë sfidë dhe i vendosur të garoj në atë mënyrë që e meriton fushata jonë dhe populli ynë krenar, i ndershëm dhe patriotik, të cilin synoj ta udhëheq", tha senatori McCain.
XS
SM
MD
LG