Ndërlidhjet

Rreth 300 mijë armë të paligjshme në Kosovë



Kosova zë vendin e dytë në rajon lidhur me posedimin ilegal të armëve të vogla dhe të lehta. Shteti që më së shumti ka armë ilegale është Serbia. Ky konstatim jepet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, pas një hulumtimi të bërë për praninë e armëve të vogla dhe të lehta.

Alain Lapon, nga UNDP-ja, thotë se posedimi i armëve të vogla dhe të lehta është një problem global, por edhe rajonal.

"Armët e vogla janë problem global, e po ashtu edhe problem rajonal. Kosova gjendet diku në mes, ndonëse ka më pak armë të ligjshme, sesa të paligjshme. Megjithëse vrasjet kanë zbritur për 50 për qind, numri është mjaft i lartë", tha zoti Lapon.

Sipas tij, shtimi i kontrollit mbi kufijtë, zhvillimi i kuadrit ligjor, vetëdijesimi dhe informimi publik, si dhe mbledhja e armëve, janë shumë të rëndësishme.

Nga ana tjetër, Arbër Beka, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës, thotë se në bazë të statistikave të tyre, numri i armëve ilegale në Kosovë është i madh.

"Në bazë të shifrave, flitet diku të jenë rreth 300 mijë armë të vogla në Kosovë", tha Beka.

Ai pohon se SHPK-ja vazhdimisht po punon me strategjitë e saj që armët e vogla dhe të ftohta t'i vë nën kontroll.

"Në kuadër të kësaj jave globale kundër armëve të vogla, SHPK-ja, si institucion përgjegjës për zbatimin e ligjit, është kyçur në promovimin dhe zbatimin e strategjisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme, pastaj në zhvillimin edhe të strategjive brendapërbrenda policisë, për zvogëlimin dhe kontrollin e armëve të vogla në Kosovë", tha Beka.

Alain Lapon, udhëheqës i projektit ‘Iniciativa për kontrollin e armëve të vogla në Kosovë’, në kuadër të UNDP-së, thotë se strategjia për armët e vogla dhe të lehta synon një shtim më të madh të kontrollit mbi armët.

"Iniciativa për kontrollin e armëve bazohet në reduktimin e përdorimit të armëve dhe bazohet në 11 fusha të funksionimit. E para është kontrolli mbi kufijtë, e dyta është zhvillimi i kornizës legjislative, menaxhimi informativ, vetëdijesimi dhe informimi publik, si dhe mbledhja e armëve", tha zoti Lapton.

Në kuadër të javës kundër dhunës me armë, e cila do të vazhdojë deri më 9 qershor, UNDP-ja ka organizuar një konferencë bashke më Asociacionin e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, me ç'rast është thënë se media mund të jetë faktor i rëndësishëm në bartjen e mesazheve dhe të ndryshimit të opinionit të shoqërisë.

Nga ana tjetër, hulumtimi i bërë nga UNDP-ja tregon se popullata ndihet më e rrezikuar nga plaçkitjet, krimi i organizuar, vjedhjet dhe vrasjet.
XS
SM
MD
LG