Ndërlidhjet

Arrestohet një i dyshuar për sulmin ndaj shëpisë së kryeministrit


Stacioni policor në Prishtinë
Stacioni policor në Prishtinë

Një 19 vjeçar nga Prishtina u arrestua si i dyshuar për sulmin ndaj shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme, me kërkesë të qeverisë, po shqyrton rritjen e masave të sigurisë për zyrtarët institucionalë.


Si rrjedhojë e ngjarjes së djeshme, ku një personi i dyshuar ka tentuar të hyjë në shtëpinë e Kryeministrit të Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar që të rriten masat e sigurisë për shumë nga zyrtarët dhe bartësit e institucioneve të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se një veprim i tillë do të merret shumë shpejt.

“Me kërkesë të paraqitur dje nga zëvendëskryeministri, ne, si Ministri e Punëve të Brendshme, do ta koordinojmë këtë proces me potencialin e policisë që kemi. Ne do të kujdesemi që ta koordinojmë këtë punë; veç kemi filluar sot".

"Unë personalisht kam takuar gjeneral Ahmetin me përfaqësuesit e policisë dhe jemi duke shikuar mundësitë se në çfarë mënyre ta implementojmë këtë, në përputhje me nevojat që do të paraqiten",
tha ministri Pajaziti.

Nga ana tjetër, Veton Elshani, zëdhënës i policisë, thotë se policia e SHPK-së është e gatshme për çfarëdo kërkese, e cila do të vijë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Ne e kemi theksuar se jemi të gatshëm që të asistojmë e të jemi afër zyrtarëve tonë të qeverisë në çdo kohë dhe në çdo moment. Nga këshillat e ministrit të Punëve të Brendshme mbetet që të veprojmë më tutje", tha Elshani.

Ndryshe, me anë të një komunikate për media, Qeveria e Kosovës vlerëson se “përkushtimi i Shërbimit Policor të Kosovës garanton që vlerat themelore të shoqërisë dhe shtetit që po ndërtojmë, liria, siguria dhe prona e qytetarëve, janë të paprekshme dhe nuk mund t'i cenojë askush”.

Qeveria mbështet hetimet e mëtejme në zbardhjen e tërësishme të sulmit mbi familjen e kryeministrit Thaçi. Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur të vazhdojë betejën kundër së keqes, për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve.

Nga ana tjetër, Shërbimi Policor i Kosovës është duke vazhduar hetimet në lidhje me rastin në fjalë.

SHPK-ja ka bërë të ditur sot se do t’i analizojë provat materiale të marra nga vendi i ngjarjes, si gjaku, shenjat e gishtërinjve dhe provat e tjera që mblidhen nga hetuesit, në mënyrë që të vërtetohen rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

Po ashtu, policia do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e tjera të nevojshme, të cilat dërgojnë tek ndriçimi i plotë i sulmit në shtëpinë e kryeministrit Thaçi.

Arbër Beka, zëdhënës i policisë, thotë se personi i dyshuar është arrestuar pasi atë e ka lajmëruar në polici prindi i tij.

"Bëhet fjalë për një kosovar shqiptar nga Prishtina, 19 vjeçar, me inicialet F.S, të cilin e ka paraqitur prindi i tij dje në orët e mbrëmshme, në stacionin policor në qendër, në Prishtinë".

"I njëjti ka deklaruar se ka shkuar në lagjen Arbëria, për të kryer veprën penale të vjedhjes dhe, sipas tij, ai nuk kishte pasur njohuri se shtëpia në fjalë është e kryeministrit të Kosovës. Gjatë kohës derisa ai kishte tentuar të hyjë në brendësi të shtëpisë, ai ishte qëlluar me armë zjarri dhe ashtu i plagosur ka ikur nga vendi i incidentit", tha Beka.

Sipas zotit Beka, deklaratat e para që i dyshuari ka dhënë në polici, flasin se ai në vendin e ngjarjes ka qenë i vetëm.

"Nga intervistat e deritashme, i dyshuari ka deklaruar se ka qenë i vetëm gjatë momentit kur ka tentuar të hyjë në shtëpinë e kryeministrit. Mirëpo, gjithsesi policia do të vërtetojë vërtetësinë e deklaratave të personit të dyshuar", tha zëdhënësi Beka.

Sipas Shërbimit Policor të Kosovës, i dyshuari me inicialet e emrit F. S, në polici edhe më herët ka pasur dosje të hapura për vepra të tilla.

"Kanë qenë edhe disa raste edhe më herët të hapura në polici, sa i përket këtij personi. Nuk është ky rasti i parë, incidenti i parë që ndodhi në lagjen Arbëria, ku ky person ka qenë i përfshirë. Ka pasur edhe raste të tjera, ku ky person ka qenë i involvuar", tha Arbër Beka, nga SHPK-ja.

I dyshuari është plagosur në krahun e djathtë, gjatë shkëmbimit të zjarrit me rojat e kryeministrit.

Ndryshe, udhëheqësit e institucioneve, ata të partive politike, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë, kanë dënuar ashpër sulmin ndaj shtëpisë së kryeministrit Hashim Thaçi.

Presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar këtë akt si një sulm të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj zotit Thaçi dhe familjes së tij, por edhe ndaj vetë institucioneve të Republikës.


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG