Ndërlidhjet

Qehaja: Strukturat paralele do të mbeten


Ramadan Qehaja
Ramadan Qehaja

"Nuk parashoh ndonjë ndryshim në veri. Të gjitha strukturat serbe paralele, pra edhe këto të sigurisë, do të mbeten edhe pas fuqizimit të Kushtetutës", thotë për Radion Evropa e Lirë, Ramadan Qehaja, ekspert për sigurinë.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Qehaja, në planin e ri për rikonfigurimin e UNMIK-ut si e shihni çështjen e shpërndarjes së forcave të rendit midis këtij misioni dhe atij evropian?

RAMADAN QEHAJA
Është e vërtetë se tani është një situatë, ta quaj e rirreshtimit të UNMIK-ut, që do të duhet t’i përmbahemi, pavarësisht prej asaj se a na pëlqen apo jo. Tani akti është i kryer. Kur them që duhet t’i përmbahemi, mendoj se nuk kemi bërë aq sa është dashur të bëjmë për të pamundësuar një gjë të tillë.

Kjo është edhe pasojë e defanzivitetit tonë si vendorë, si qeveri, ndaj çështjeve të sigurisë dhe ligjshmërisë në Kosovë. Nuk pati kërkesa të thukta, të sakta, nuk pati propozime se si ne duhet të jemi prezentë në pjesën veriore të Kosovës, por edhe në pjesë të tjera ku shumicë janë serbët. Unë mendoj se kjo nuk është dashur të ndodhë. Por, kjo ndodhi tash.

Shërbimi Policor i Kosovës, sipas letrës që ka arritur këtu dhe që e pashë sot në gazetë, do t’i nënshtrohet policisë së UNMIK-ut në pjesët ku territori i Kosovës popullohet me serbë. Po ashtu, si duket, atje edhe EULEX-i do të jetë nën komandën e UNMIK-ut, ashtu siç unë e kuptova.

Do të thotë, ndodhi diçka që nuk është dashur të ndodhë, sepse është dashur që ne në tërë territorin e Kosovës të kemi, mos ta quaj Shërbimin Policor të Kosovës, por të kemi policinë e Kosovës, sepse me Kushtetutën tonë ashtu quhet dhe me Ligjin për policinë. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Me hyrje në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, a parashikoni ndonjë ndryshim të situatës së sigurisë, veçanërisht në veri?

RAMADAN QEHAJA

Nuk parashoh ndonjë ndryshim, sepse ne nuk kemi qasje atje, në atë pjesë. Të gjitha strukturat serbe të deritanishme paralele, pra edhe këto të sigurisë, edhe më tej do të mbeten, prandaj unë nuk po shoh ndonjë ndryshim atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund ta vështirësojnë ruajtjen e rendit strukturat paralele serbe, të cilat janë duke u themeluar këto ditë?

RAMADAN QEHAJA
Strukturat paralele kanë qenë rrezikshmëri e vazhdueshme në këtë kohë në Kosovë. Sidomos strukturat që kanë të bëjnë me policinë e MUP-it serb, sigurimit sekret serb në territor të Kosovës, sipas mendimit tim, do të jenë më të zëshme në kuptimin e destabilizimit të mundshëm në Kosovë, “për të treguar tërë brishtësinë e shtetit të Kosovës”.

Mund të ketë në këtë drejtim inskenime të ndryshme, për shembull eksplodime, plagosje, vetëm e vetëm për të treguar se ne nuk jemi të aftë që të mbajmë situatën nën kontroll.

Ju e dini që populli shumicë i Kosovës e ka pranuar planin e Ahtisaarit, i cili nuk është edhe i favorshëm për ne, por për hir të asaj që serbët që janë kosovarë të lindur, të mbesin në Kosovë dhe të jetojnë së bashku me ne, me popullin shumicë – shqiptarët.

Por, tani, pas gjithë asaj që ne bëmë lëshime me planin e Ahtisaarit, serbët edhe më tej rezistojnë, nuk duan të bashkëveprojnë, të bashkëpunojnë me ne dhe mund të ndodhë që ndonjë individ apo grup nga popullata shumicë - në këtë situatë mund të lindin probleme - që t’i japin rezistencë, duke shikuar edhe në aspektin ekonomik, social.

Pra, mund të ndodhë që edhe në këtë aspekt të kemi probleme dhe të bëhet një rrëmujë, ta quaj ashtu, në aspektin e sigurisë, e që nuk duhet lejuar kurrsesi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit, formimi i shërbimit informativ ka ngritur debate të shumta. Cili është mendimi juaj, kujt duhet t’i raportojë ky shërbim dhe a duhet të jetë politik?

RAMADAN QEHAJA
Ndoshta do të ishte mirë që të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes suaj. Nuk duhet të jetë politik ky shërbim. Shkurt po e them – nuk duhet të jetë politik, por duhet të jetë i përbërë nga njerëz ekspertë, njohës të këtij lëmi, nga njerëz të rinj, perspektivë, që do të punojnë, veprojnë për integritetin territorial të vendit tonë – njerëz që vërtet mund të kontribuojnë që ky integritet të jetë i siguruar.

Qeveria jonë, kryeministri, presidenti, me kohë t’i kenë të gjitha elementet relevante për rast të ndonjë rrezikshmërie eventuale në vendin tonë. Është bërë një lëvizje kohën e fundit, paksa negative, lidhur me këtë; ka diskutime të ndryshme, propozime, ndoshta edhe të panevojshme, por ka edhe frikësim se kush do të hyjë aty dhe kush do ta përbëjë këtë shërbim.

Sipas mendimit tim, frika ndoshta aty-këtu është edhe e arsyeshme, por edhe presidenti, edhe kryeministri, të gjitha forcat relevante të establishmentit tonë politik duhet të ulen dhe me një gjakftohtësi të fillojnë të formojnë këtë shërbim konfrom asaj se si duhet të veprojë ai, ashtu siç veprohet edhe në shtetet tjera perëndimore.
XS
SM
MD
LG