Ndërlidhjet

SHBA: KB e BE të sqarojnë rolin e Brukselit në Kosovë


Logoja e Departamentit Amerikan të Shtetit
Logoja e Departamentit Amerikan të Shtetit

"UNMIK-u s'do të jetë në gjendje të përmbushë detyrat e tij për administrimin e brendshëm, në kohën kur Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi", tha Chase Beamer nga Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë.


Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke studiuar propozimin e 12 Qershorit të kreut të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, për të rikonfiguruar misionin në Kosovë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Chase Beamer, duke folur ekskluzivisht për Radion Evropa e Lirë, tha se "ndajmë të njëjtin mendim me analizën e kreut të organizatës botërore, se Kombet e Bashkuara duhet t'i përshtaten situatës në zhvillim e sipër në Kosovë".

"UNMIK-u nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrat e tij për administrimin e brendshëm në kohën kur Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi më 15 qershor"
, tha Beamer.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, elementi kyç i propozimit të kreut të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, është zvogëlimi i rolit të UNMIK-ut në Kosovë.

Chase Beamer shton se "disa nga rolet që parashihen për UNMIK-un janë dhe raportimi për zhvillimet në terren apo lehtësimi i udhëtimit për qytetarët e Kosovës".

Megjithatë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit thotë se detajet e rikonfigurimit duhet të adresohen nga Kombet e Bashkuara.

Chase Beamer thotë për Radion Evropa e Lirë se plani i Ban Ki Moonit parasheh se Bashkimi Evropian do të luajë dhe forcojë një rol operacional bazuar në Rezolutën 1244.

"Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara të sqarojnë sa më parë rolin operacional të Bashkimit Evropian në Kosovë", tha Chase Beamer.

Propozimi i Ban Ki Moon-it për rikonfigurimin e UNMIK-ut është pranuar në parim nga pala kosovare, derisa është hedhur poshtë nga ajo serbe. Detajet e planit mbeten ende të sqarohen.
XS
SM
MD
LG