Ndërlidhjet

Ndërkombëtarizimi i sportit kosovar


Drejtuesit e federatave të sporteve të Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për ndërkombëtarizimin e sporteve kosovare. Sipas tyre, ekzistojnë ende barriera teknike dhe politike që sportet kosovare të pranohen në organizmat gjegjës sportivë ndërkombëtarë.

Pas pavarësimit të Kosovës, federatat e sporteve, por edhe institucionet qeveritare përgjegjëse për këtë fushë, kanë dinamizuar përpjekjet për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, pranimin e federatave të sporteve kosovare në federatat gjegjëse botërore, si dhe pranimin e Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Valton Beqiri, ministër i Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, thotë se për të sforcuar realizimin e këtyre synimeve, kjo ministri ka krijuar edhe komisionin për ndërkombëtarizimin e sportit, ndërkohë që kyçja e federatave sportive në mekanizmat gjegjës botërorë po has në vështirësi të natyrave teknike dhe politike.

”Është një situatë pak absurde, meqë disa nga federatat ndërkombëtare, kusht për pranimin në federatën e tyre, kanë paraprakisht anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Ne jemi duke kërkuar federata që në statutet e veta nuk e kanë këtë kusht dhe po mundohemi që nëpërmjet sporteve që kanë më pak shtete anëtare, të depërtojmë dhe të bëhet aplikimi”, thotë ministri Beqiri.

Ai shton se, megjithatë, pranimi i sporteve të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë sportivë është më shumë çështje politike.

”Për momentin është çështje politike, meqë në takimin e drejtpërdrejtë me kryesuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar na është thënë se klauzura rreth njohjes ndërkombëtare të shtetit, për ta mendohet se duhet të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara”, tha Beqiri.

Në anën tjetër, federatat e sporteve të Kosovës janë duke bërë lobim dhe përpjekje që të krijojnë parakushtet për pranimin e tyre në federatat gjegjëse.

Fadil Vokrri, drejtues i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë se kjo federatë ka aplikuar në Federatën Botërore të Futbollit FIFA, e cila pritet që ta shtrojë këtë çështje në Federatën Evropiane të Futbollit UEFA. Megjithëkëtë, zoti Vokrri thotë se nevojitet përkrahje e madhe e institucioneve qeveritare, si dhe lobimi i tyre në arenën ndërkombëtare.

”Me lidhjet e tyre sidomos në këto shtetet që na kanë pranuar, duhet ta ushtrojnë ndikimin që ato të na ndihmojnë deri te pranimi përfundimtar dhe mendoj se në nivelin më të lartë të ministrisë apo të qeverisë, sigurisht se ajo do të ishte një ndihmë shumë e madhe edhe për Federatën e Sporteve”, u shpreh Vokrri.

Ndërkaq, Gani Kosumi, njohës i çështjeve të sporteve dhe redaktor përgjegjës për emisionet sportive në Radio Kosovë, thotë se para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, angazhimi i institucioneve qeveritare për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar ka qenë tejet i varfër, ndërkohë që tashmë janë shënuar ndryshime pozitive në këtë aspekt.

”Vetë pranimi i ministrit Beqiri në Athinë, ku edhe është pranuar me kushte të veçanta Federata e Mundjes e Kosovës, jep të kupton se në këtë drejtim do të bëhet më tepër”, thekson Kosumi.

Ndryshe, ndërkombëtarizimi i sporteve të Kosovës kërkon edhe kushtet infrastrukturore brenda vetë Kosovës për zhvillimin e sportit. Fadil Vokrri thotë se sa i përket futbollit, Kosova ka kushte përafërsisht të njëjta me vendet e rajonit.

”Ne i kemi dy stadiume që me pak investime mund të përgatiten shumë shpejt për kriteret që i kërkojnë UEFA dhe FIFA. Mitrovica dhe Prishtina janë dy stadiumet që së shpejti mund të përgatiten për pranim ndërkombëtar”, thotë Vokrri.

Ndërkaq, zoti Kosumi thekson:

”Infrastruktura duhet përmirësuar, sepse kriteret për pranim, qoftë në futbollin UEFA, FIFA apo gjetiu, janë shumë të ashpra dhe ato kërkojnë që të krijohen kushte për zhvillimin e një ndeshjeje ndërkombëtare miqësore apo zyrtare. Mos të flasim për sportet tjera - duhet bërë më tepër edhe Ministria e Sportit, edhe Qeveria e Kosovës”.

Lëvizjet drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, sipas ministrit Beqiri, do ta tronditin buxhetin e ministrisë që ai drejton.

”Mendoj se pa ndihmë konkrete të qeverisë për këtë fushë, pra për sportin ndërkombëtar, do ta kemi shumë vështirë që në vazhdimësi të kemi suksese dhe të jemi pjesëmarrës në gara të ndryshme ndërkombëtare”, tha Beqiri.

Sido që të jetë, Gani Kosumi tha se nuk duhet pritur që brenda një viti Kosova t’i hapë të gjitha rrugët ndërkombëtare të sporteve.

”Realisht mund të themi se viti 2010-2012 duhet t’i gjejë sportistët në kualifikime për kampionate evropiane dhe botërore”, tha ai.
XS
SM
MD
LG