RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ramosaj, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara është dhënë drita jeshile për rikonfigurimin e UNMIK-it. Ju, si mendoni, cili do të jetë roli i këtij misioni dhe cilat do të duhej të ishin kompetencat e këtij misioni?
BERIM RAMOSAJ
Vetë fakti i moskrijimit të raporteve shumë të qëndrueshme partneriste me bashkësinë ndërkombëtare tregon edhe për këtë shkallë të paraqitjes së sërishme të UNMIK-ut në këto variante, në formë konfiguracionesh.
Nuk dua të kem paragjykime negative, por nuk shpresoj shumë se UNMIK-u do ta lë shtetin e Kosovës të zhvillohet në aspektin funksional. Ne kemi përvoja shumë të mëdha me UNMIK-un dhe këta vazhdimisht kanë ruajtur status-quo-n. Nuk jemi të gatshëm për status-quo tani.
Tani jemi të interesuar për zhvillim, për dinamikë, për politikë pro-aktive. Ndërsa, përvoja e deritanishme me UNMIK-un ka treguar se ka mbajtur status-quo dhe ka krijuar qeveri kryesisht të natyrës servile.
Ata kanë dashur të jenë ideatorët e ruajtjes së ‘gjendjes stabile’, në aspektin edhe të moszhvillimit ekonomik dhe demokratik. Andaj, nuk shpresoj shumë në këto konfiguracione të reja.
RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës kanë pranuar që Kushtetuta nuk ka shtrirje në tërë territorin e saj, e veçanërisht në veri të Mitrovicës. Ata madje një pjesë të fajit ia adresojnë bashkësisë ndërkombëtare. Ju si mendoni?
BERIM RAMOSAJ
Ndryshimet në paraqitje qoftë të presidentit, qoftë të kryeministrit, prej periudhës së fillimit të shpalljes së shtetësisë së Kosovës dhe para implementimit të Kushtetutës e deri sot, tregojnë për një jokonsistencë institucionale të Kosovës.
Ata është dashur t’i mbajnë ato qëndrime, sepse Kushtetuta e Kosovës duhet të jetë funksionale në tërë territorin e Kosovës. Ka pjesë të caktuara ku funksionaliteti mund të bie, por nuk guxojnë t’i japin vetes aso të drejte, aso guximi që të thonë se nuk do të zbatohet në tërë territorin e Kosovës.
Kushtetuta duhet të zbatohet në tërë territorin e Kosovës, por në aspektin e zbatueshmërisë së shkallës më të lartë apo më të ultë, ka mundësi relative.
Kurse, në aspektin e moszbatueshmërisë në regjione, kjo tregon që dëshirojnë të pranojnë situatën jo të mirë në aspektin e mosfunksionalitetit të këtij shteti të Kosovës, që vazhdimisht i jemi druajtur, se a thua do të jetë funksionale kjo qeveri në tërë territorin e Kosovës.
Andaj, këto sjellje, këto paraqitje të krerëve të institucioneve të Kosovës na bëjnë të kuptojmë se ende luajnë politikë shumë servile në aspektin e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare.
RADIO EVROPA E LIRË
Analistë kosovarë thonë se opozita nuk është aktive sa duhet në Kuvendin e Kosovës. Cili është mendimi juaj?
BERIM RAMOSAJ
Kanë të drejtë. Edhe unë mendoj se opozita nuk ka qenë aktive. Mirëpo, meqenëse i kemi premtuar bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht miqve tanë amerikanë, se do të jemi partnerë të mirë, konstruktivë në planin e Ahtisaarit dhe do ta zbatojmë në formë të ligjshmërive, mu për atë nuk është dëgjuar zëri jonë në Parlamentin e Kosovës.
Këtë e kemi theksuar edhe më herët. Për çështje të shtetësisë, për çështje të natyrës kombëtare, nacionale, nuk ka ndryshime të mëdha midis pozitës dhe opozitës. Ndërsa, për çështje të natyrës së zhvillimit ekonomik, social, të natyrave të tjera, do të jemi opozitë e fuqishme.
Nuk na është dhënë rasti deri më tani dhe duke marrë parasysh se opozita është shumë e parcializuar, nuk është asnjë parti që mund të jetë bazë apo bartëse opozitare.
Ne si parti jemi diku në mes të një partie që ka një ose dy deputetë më shumë dhe të një partie që ka një apo dy deputetë më pak, andaj mungesat e udhëheqësve të atyre partive në Parlament, zotit Haradinaj, zotit Pacolli, dhe në anën tjetër mungesa jonë në aspektin e asaj që nuk jemi parti kryesore, nuk jemi partia më e madhe opozitare, kanë treguar edhe këtë shkallë të neglizhencës opozitare.
Edhe unë vetë nuk jam i kënaqur, por shpresoj që në të ardhmen do të jemi shumë, shumë më të fuqishëm, sepse na presin edhe projekte, edhe sfida të natyrës zhvillimore.
RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësues të serbëve të Kosovës në veri të Mitrovicës kanë formuar të ashtuquajturin Parlament të serbëve. Cili mendoni se do të jetë roli i këtij parlamenti?
BERIM RAMOSAJ
Unë mendoj se roli i këtij grupacioni që nuk dëshiroj ta njoh si parlament, do të jetë në uljen e tensioneve të frustrimeve që ndodhin nga ekstremistët nacionalistë serbë, të cilët mendojnë të krijojnë pushtete paralele, të krijojnë institucione paralele në një Kosovë të pavarur.
Unë mendoj se koha do të tregojë se të gjitha format e tilla janë të tejkaluara, sepse pakoja e Ahtisaarit dhe qytetarët e Kosovës janë të interesuar që të zhvillohen në aspektin demokratik dhe të kenë afirmim të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh nacionalitetin.
Andaj, sikur të kishin qenë të privuar nga kjo e drejtë, ndonjë minoritet apo ndonjë grupacion politik, do të kishte pasur gjithfarë arsyeje.
Por, meqenëse pakoja e Ahtisaarit garanton të drejta shumë të larta dhe qytetarët e Kosovës dhe tek e fundit institucionet e Kosovës po garantojnë afirmim të të drejtave të qytetarëve pa marrë parasysh nacionalitetin, unë i shoh si projekte të parealizueshme në aspektin e fuqisë vendimmarrëse.
RADIO EVROPA E LIRË
Numri i shteteve që kanë njohur Kosovën shtet ka ngelur në 43. Sa jeni të kënaqur me këtë njohje dhe me mënyrën e lobimit?
BERIM RAMOSAJ
Në aspektin e njohjes kualitative jemi të kënaqur, në aspektin e asaj se vendet vendimmarrëse botërore na kanë njohur, që tregon për një kualitet të mirë. Mirëpo, në aspektin e numrit të vendeve që na duhen si numër në anëtarësimin në OKB, nuk jemi të kënaqur.
Kjo sigurisht vjen edhe si rezultat i mungesës sonë në lobizim, që normalisht kanë munguar institucionet lobiste, se për shtet nuk lobohet më në forma joformale apo përmes organizatave joqeveritare; për shtet dihet kush duhet të lobojë, dihet kush është institucioni kryesor.
Ndoshta mungesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, mungesa e konsolidimit të saj në njërën anë dhe mbyllja apo qasja shumë introverte e institucionit të presidentit dhe të qeverisë, deri diku kanë treguar se shkalla e lobimit është në nivel mjaft të ultë.
Ndoshta është dashur t’i shfrytëzojmë edhe për pak kohë miqtë tanë që na kanë ndihmuar për lobim, për afirmim të së drejtës sonë si popull, kur kanë lobuar për ne se ne kemi të drejtë në shtetin.
Është dashur të mbajmë një kontinuitet me ata ambasadorë të nderit, me ata ambasadorë të respektueshëm, me ata të cilët vërtet kanë lobuar për të drejtën e shqiptarëve në Kosovë; është dashur të mbajmë kontinuitet derisa t’i krijojmë institucionet tona.
Këtu është fjala edhe për grupin që ishin ndërmjetësues në procesin negociator, Ahtisaari dhe Rohan; këtu vjen në shprehje edhe ambasadori i nderit amerikan, Bob Dole; këtu vijnë në shprehje edhe shumë intelektualë, qoftë të Evropës, qoftë të vendeve të tjera, që vërtet e njohin situatën në Kosovë, ia duan të mirën dhe dëshirojnë të krijojnë një shtet funksional të Kosovës.
Normalisht, do të ishte dashur ndoshta të inkorporohen edhe shumë faktorë vendorë kosovarë, të cilët dinë gjuhë, kanë miq të mëdhenj në botën e jashtme. Do ishte dashur që të gjithë të involvohen në këtë proces, sepse, tek e fundit, ky është problem kombëtar, nuk është problem partiak.