Ndërlidhjet

Dimiq: Kosovën e ka pavarësuar Millosheviqi


“Pavarësinë e Kosovës e ka sjellë politika e Millosheviqit. Unë kam thënë se ajo politikë ka qenë plotësisht retrograde dhe ka pasur për qëllim spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës”, thotë aktivisti serb i Kosovës, Radomir Dimiq.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dimiq, ndryshe nga shumica e serbëve, ju keni thënë se pavarësia e Kosovës është e pranueshme për ju. Cilat janë arsyet për një mendim të tillë?

RADOMIR DIMIQ
Më duhet të jem skajshmërisht i sinqertë. Së pari ju falënderoj juve që më mundësoni që ta shfaq mendimin tim. Seriozisht më duhet ta vërtetoj një gjë që është krejtësisht e qartë.

Pavarësia e Kosovës nuk ka ndodhur në momentin që Kuvendi i Kosovës e ka shpallur atë pavarësi. Ajo ka ndodhur shumë më herët. De facto, Kosova ka qenë e pavarur - kjo vetëm nga koha e Marrëveshjes së Kumanovës, por duhet kërkuar shkaqet themelore dhe pasojat që kanë sjellë deri te pavarësia e Kosovës.

Do të thotë, këtë e ka sjellë politika e Sllobodan Millosheviqit. Unë kam folur disa herë për këtë. Kam thënë se ajo politikë, e cila ka qenë plotësisht retrograde dhe e cila ka qenë absolutisht një politikë që ka pasur për qëllim spastrimin etnik të Kosovës e të tjera, ajo solli deri te pastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës.

Prandaj, Kosova në ndërkohë, pas Marrëveshjes së Kumanovës, i ka rrumbullakuar të gjitha institucionet e veta, sistemi ekonomik dhe juridik është rrumbullakuar, politika monetare dhe ajo fiskale krejtësisht janë rrumbullakuar dhe ato ishin në duart e shqiptarëve të Kosovës.

Pastaj, erdhi deri te Kushtetuta, ndërkaq para saj shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kemi faktin se të gjitha shtetet më të fuqishme evropiane, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Është vetëm çështje ditësh se kur do të realizohet edhe njohja nga dy të tretat e vendeve të të gjithë botës.

Vetëm të verbrit mund të mos e shohin se Kosova është shtet i pavarur. Në anën tjetër, nëse politika e Serbisë dëshiron t’i mashtrojë qytetarët e saj, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, dhe mbi këtë ta ndërtojë mbijetesën e saj të mëtutjeshme, gjegjësisht ekzistencën e saj politike, ky është rrëfim tjetër.

Unë vetëm dëshiroj ta pranoj realitetin dhe të jem njeri real, si dhe në rolin e kryetarit të shoqatës multietnike të tërheq vërejtjen për këto aspekte. Do të thotë, të gjitha shtyllat dhe të gjitha institucionet që duhet t’i ketë një shtet, në këtë moment Kosova vërtet i ka.

Unë dëshiroj që edhe me këtë rast të apeloj tek serbët, që në numër sa më të madh ta pranojnë realitetin që e kemi në Kosovë dhe marrëdhëniet serbo-shqiptare t’i ndërtojmë mbi themele krejtësisht tjera nga ato më parë.

Ndërkaq, politika e Serbisë dhe pushteti serb duhet ndryshe ta perceptojnë dhe ta kuptojnë gjendjen në Kosovë dhe njëkohësisht ta bëjnë një politikë krejtësisht tjetër ndaj Kosovës, nëse ua dëshirojnë të mirën serbëve në Kosovë, si dhe qytetarëve në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju pozitën e serbëve të Kosovës dhe, sipas jush, cila do të ishte mënyra që ata të integrohen në masë më të madhe sesa tash, në institucionet e Kosovës?

RADOMIR DIMIQ
Nëse politika serbe, politika zyrtare e Beogradit do t’i qaset ndryshe nga ajo deri më tash serbëve të Kosovës, atëherë do të kemi edhe qëndrime dhe marrëdhënie krejtësisht tjera të serbëve që jetojnë në Kosovë, por edhe të atyre që kanë shkuar nga Kosova dhe jetojnë në Serbi, ndaj institucioneve të Kosovës.

Para së gjithash, Kosova duhet të jetë multietnike dhe kjo qëndron edhe në Kushtetutën e Kosovës. Kjo nuk duhet të ngelë vetëm si shkrim deklarativ në letër. Për t’u vërtetuar ky multietnicitet, duhet të vërtetohet dhe argumentohet edhe në praktikë.

Kjo mund të bëhet nëse një numër i madh i serbëve kyçet në institucionet kryesore të Kosovës. Atëherë edhe pavarësia e Kosovës do të jetë më e fuqishme dhe më ndryshe, por do të jetë në përputhje me standardet evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dimiq, përderisa po flasim për këtë, sipas mendimit tuaj, sa kanë bërë përpjekje institucionet e Kosovës lidhur me integrimin e serbëve dhe a kanë qenë mënyrat e qëlluara?

RADOMIR DIMIQ
Unë do të jem skajshmërisht i sinqertë dhe do të them se kam pritur më shumë. Kam pritur se institucionet do të angazhohen më shumë. Lidhur me atë që më pyetët, momenti vendimtar do të jetë kur të realizohet kthimi i plotë ekzistencial i serbëve në Kosovë dhe jo veç deklarativisht, i atyre serbëve që kanë shkuar nga Kosova në vitin 1999 dhe në vitin 2000.

Ata duhet të kthehen në vatrat e veta. Ky është ndër principet e para. Principi i dytë, do të thotë, nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të realizojë dhe t’i tregojë Evropës se dëshiron t’i kyçë serbët në institucionet e veta, në numër sa më të madh, atëherë ajo duhet të niset nga një fakt.

Të themi, pse nuk ka në kabinetin e presidentit të Kosovës asnjë serb, të paktën në funksionin e një këshilltari? Ai institucion duhet të jetë multietnik dhe ai duhet i pari të tregojë se po lufton për një Kosovë multietnike, si dhe për barazinë e të gjithë qytetarëve në Kosovë.

Një fakt tjetër, kur të formohet Gjyqi Kushtetues i Kosovës, gjithashtu duhet të kyçen serbët në ato shtylla qenësore, të cilat e bëjnë një shtet dhe një shoqëri, edhe pse shoqëria e Kosovës është ende relativisht e re.

Këtu flas edhe për Qeverinë e Kosovës. Ajo duhet të jetë edhe më shumë multietnike. Nuk është e mjaftueshme që të kihet vetëm Ministria për Kthim, e cila mund të jetë vetëm një dekorim i sistemit ekzistues. Për të arritur besimin e serbëve, duhet të organizohen modele krejtësisht tjera për t’i kyçur ata në shoqërinë kosovare.

Këtu, para së gjithash, mendoj për njerëz të arsimuar, me kredibilitet, me autoritet dhe të tillë që mund t’i lëvizin serbët dhe të krijojnë më tepër besim dhe që vërtet do të kenë autoritet për ndërtimin e marrëdhënieve të ardhshme në mes serbëve dhe shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është mendimi juaj për zgjidhjen e mundshme të çështjes së Mitrovicës?

RADOMIR DIMIQ
Mitrovica është një lloj “bastioni” i të ashtuquajturit patriotizëm serb apo patriotizmit më të madh në Kosovë. Kësaj i kanë shërbyer në masë të madhe politika e Qeverisë paraprake të Serbisë.

Ju e dini mirë se kush e ka mbajtur veriun e Mitrovicës dhe kush e ka financuar atë. Kjo e tëra ka shkuar nga Beogradi dhe për këtë nuk kemi pse të gënjehemi. Politika, të cilën e ka udhëhequr Koshtunica, absolutisht u ka shkuar për dore individëve sikurse Milan Ivanoviq, Jakshiq dhe të tjerë, njerëz që kanë bërë atë që nga Beogradi u është thënë që ta bëjnë.

Unë kam qenë gjithmonë për atë që Mitrovica të mos jetë qytet i ndarë, por të jetë qytet multietnik sikurse edhe e gjithë Kosova, sepse secila ndarje nuk i kontribuon pajtimit. Problemi i Mitrovicës edhe për një kohë të gjatë nuk do të zgjidhet, përderisa ta kenë atë përkrahjen maksimale, e cila u shkon nga Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Beograd tashmë është formuar Qeveria e re. Çfarë qasjeje prisni nga ajo ndaj serbëve të Kosovës?

RADOMIR DIMIQ
Ajo qeveri ndoshta do të ma mbushte mendjen më shumë sa i përket Kosovës. Unë sinqerisht shpresoj se kjo qeveri, në krahasim me të kaluarën, do të punojë më shumë për pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve, si dhe pajtimin, të themi kushtimisht, të Kosovës dhe Serbisë.

Pa këtë pajtim nuk do të ketë marrëdhënie të mira, nuk do të ketë qetësi në Ballkan dhe nuk do të ketë qetësi as në Evropë. Unë sinqerisht besoj se është mirë që në ballë të kësaj qeverie është Partia Demokratike dhe se shumicën e përbëjnë ministrat e kësaj partie.

Por, për të qenë krejtësisht konkret, pak i frikohem Partisë Socialiste të Serbisë. Ju dhe të gjithë ne e dimë se çfarë politike ka udhëhequr Partia Socialiste. Në krye të kësaj partie tash është një njeri i ri, Daçiq, por nuk e di se sa sinqerisht përbrenda është reformuar ajo parti.

Unë gjithashtu mbaj mend se disa udhëheqës të Partisë Socialiste, të cilët kanë qenë në Kosovë, kanë thënë se duhet të udhëhiqet luftë me të gjitha mjetet që Kosova të mbrohet nga pavarësia. Tash kjo parti është pjesë e Qeverisë.

Aq sa do t’i lë ajo hapësirë Partisë Demokratike në Qeverinë e re, aq do të ketë edhe hapësirë që të përmirësohen marrëdhëniet në mes të serbëve dhe shqiptarëve, si dhe Kosovës dhe Serbisë. Unë jam optimist i matur, por jo edhe aq mjaftueshëm se së shpejti mund të arrihet ndonjë zgjidhje konkrete.
XS
SM
MD
LG