Ndërlidhjet

Serbia të lirohet nga iluzionet për Kosovën


Daniel Serwer
Daniel Serwer

Përpjekjet e Beogradit për të përvetësuar pjesërisht ose tërësisht Kosovën, qartësisht janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe ato duhet të trajtohen si të tilla, pohon Daniel Serwer, kryetar i Institutit për Paqe. /SHBA/.


Vizita (e Sejdiut dhe Thaçit) duket të jetë rast i mirë për të vlerësuar zhvillimet e deritashme dhe atë që duhet bërë. Kosovarët kanë vepruar si duhet, ndonëse jo shkëlqyeshëm. Shqiptarët kremtuan pavarësinë pa dhunë, serbët gëzuan paqen, ndërsa Thaçi veçanërisht ka thënë disa gjëra të duhura.

Por, ne ende nuk kemi parë progres real që do t'u mundësonte serbëve kthimin në shtëpitë e tyre në jug të lumit Ibër, gjë që do të pamundësonte përpjekjet e Beogradit për të ndarë Kosovën.

Nuk kemi parë as diplomaci efektive që do të siguronte njohjen nga ana e 100 vendeve të pavarësisë së Kosovës, që do të ishte sinjal se shteti i ri është i qëndrueshëm.

Dështimi i përket edhe bashkësisë ndërkombëtare. Pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit që do t'i jepte fund protektoratit të Kombeve të Bashkuara dhe që do të inauguronte praninë e Bashkimit Evropian, në dukje është një kaos komik dhe i dhembshëm.

Duket se Kombet e Bashkuara do të mbeten në veri, por do të reduktojnë praninë në jug të lumit Ibër, ku Bashkimi Evropian do të dominojë. Kjo është në shërbim të Beogradit: çdo gjë që shkon në favor të daljes së veriut nga kontrolli i Prishtinës, është lajm i mirë për ata që kërkojnë ndarje të Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të veprojë më mirë. Opsioni më i mirë tash do të ishte një rezolutë e Këshillit të Sigurimit që do të qartësonte situatën. Kjo bashkë me disa njohje të tjera dhe hyrja e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore do të ndihmonin.

Beogradi, e veçanërisht Qeveria e Koshtunicës, në gjithë këtë periudhë ka qenë i vendosur që me çdo mjet të mbajë sovranitetin e Kosovës dhe t'i bëjë obstruksion pavarësisë. Këto përpjekje ishin pjesërisht të suksesshme. Kjo politikë e Beogradit ka evituar njohjen e Kosovës nga disa shtete, ndërsa pjesa veriore ka mbetur nën kontrollin e serbëve.

Diplomatët serbë janë duke bërë përpjekje të mëdha që Kuvendi i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, çështjen e Kosovës ta nxjerrë para Gjyqit Ndërkombëtar, lëvizje që do ta bënte të pasigurt fatin e Kosovës dhe që do t’i dekurajonte investimet e jashtme.

Kjo është e shëmtuar jo vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe për serbët.

Në këtë situatë më së shumti duhet qartësia. Shtetet e Bashkuara duhet të ringjallin idenë e një rezolute të Këshillit të Sigurimit që do ta miratonte edhe Rusia. Evropianët duhet të saktësojnë pa ekuivokë se Serbia do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian vetëm nëse heq dorë nga sovraniteti mbi Kosovën.

Kosovarët duhet t’i mirëpresin serbët në jug të lumit Ibër dhe të bëjnë të sigurt se shteti i ri do t’i trajtojë me drejtësi të gjithë qytetarët. Prishtina duhet të sigurojë edhe 60 njohje. Por, mbi të gjitha, Beogradi duhet të heqë dorë nga iluzionet e veta. Kosova ka humbur. 90 për qind e popullatës së saj kurrë nuk do të pranojnë sovranitetin serb.

Përpjekjet e Beogradit për të përvetësuar pjesërisht ose tërësisht Kosovën, qartësisht janë kërcënim për paqen dhe sigurinë në Ballkan dhe ato duhet të trajtohen si të tilla.

XS
SM
MD
LG