Ndërlidhjet

SHBA-të do ndihmojnë Kosovën në forcimin e shtetit


Pamje nga takimi i krerëve të shtetit të Kosovës me presidentin Bush, 21 korrik 2008.
Pamje nga takimi i krerëve të shtetit të Kosovës me presidentin Bush, 21 korrik 2008.

SHBA-të do të përkrahin Kosovën duke dhënë garanci të fuqishme në mbështetje të tërësisë territoriale të saj dhe të shtimit të njohjeve ndërkombëtare të vendit. Kështu thanë krerët më të lartë të Kosovës, me t’u kthyer nga vizita e parë zyrtare në SHBA.

Presidenti Fatmir Sejdiu, takimet me udhëheqësit më të lartë amerikanë i ka cilësuar si shumë të rëndësishme.

"Temë themelore ka qenë vazhdimi i bashkëpunimit të thellë të SHBA-ve dhe Kosovës, ndihmat e jashtëzakonshme në mbështetje të fuqishme të Kosovës në ecje të mëtejme”.

“Shfrytëzuam rastin t'i falënderojmë, sepse ishte vizita jonë e parë në këtë nivel, për investimet e mëdha të dekadave për Kosovën, në kohën e të gjitha atyre përpjekjeve për liri, në investimet e mëvonshme, në ndërtimin e vendit dhe në premtimet dhe zotimet për të ndihmuar Kosovën në zhvillimet e mëtejme",
tha Sejdiu.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi, vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka cilësuar si një vizitë të rëndësishme dhe, sipas tij, nga SHBA-të është marrë mbështetje e madhe për vazhdimin e proceseve demokratike në Kosovë.

"Ka qenë një vizitë historike, një mbështetje jashtëzakonisht e madhe për shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik, nga SHBA-të, nga vetë presidenti Bush, i cili gjthmonë ka qartësuar situata dhe ka rekomanduar vendimmarrje të rëndësishme për paqe dhe stabilitet, por natyrisht edhe me shpalljen e Kosovës në mënyrë të koordinuar si shtet i pavarur",
tha Thaçi.

Presidenti Sejdiu tha se i kanë premtuar presidentit Bush që Kosova do të jëtë një vend demokratik dhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësive etnike.

"Ne u sollëm sigurinë që Kosova do të jetë vend i demokracisë, vend i të gjithë qytetarëve, me një respekt të veçantë për komunitete pakicë. Por, është me rëndësi të them se me këtë përkushtim të SHBA-ve u dhanë garanci të fuqishme të integritetit të plotë të Republikës si shtet sovran dhe demoraktik, të ecjeve të mëtejme, që duhet të jepen nga vendet tjera me njohje të reja të Republikës së Kosovës, si dhe shumë të tjera çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik
", theksoi Sejdiu.

Edhe kryeministri Thaçi tha se e kanë informuar presidentin Bush për funksionimin demokratik dhe efektiv të institucioneve. Ai tha se i ka premtuar presidentit Bush se Kosova do të jetë pjesë aktive në luftën kundër terrorizmit.

"Ne informuam presidentin Bush për zotimin tonë për ndërtimin e infrastrukturës ligjore sipas standardeve dhe kritereve perëndimore, për zotimin tonë për sundimin e ligjit, për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“...për zotimin tonë se Kosova do të jetë pjesë aktive në luftën kundër terrorizmit kudo që paraqitet, por, në anën tjetër, ne kemi shprehur zotimin tonë se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë, një bashkëpunim ky i domosdoshëm tash për zhvillimin ekonomik të Kosovës, në veçanti pas suksesit në Konferencën e Donatorëve", tha Thaçi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, ka thënë se Kosova tashmë është një shtet i pavarur, demokratik dhe se integriteti i saj është i paprekshëm, i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë vlerësuar lart, duke thënë se kjo vizitë do të jetë një shtytje e re në ndërtimin e relacioneve në mes të dyja vendeve.
XS
SM
MD
LG