Për herë të parë, pesëmbëdhjetë gjyqtarë dhe nëntë prokurorë të Kosovës kanë dhënë betimin para presidentit të Kosovës.
Deri para shpalljes së pavarësisë dhe para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, gjykatësit dhe prokurorët betimin e kanë dhënë para shefit të UNMIK-ut.
Presidenti Fatmir Sejdiu ka shprehur besimin se prokurorët dhe gjyqtarët do ta bëjnë në mënyrë korrekte punën e tyre, duke iu shmangur çdolloj abuzimi me detyrën.
"Kam besim të plotë në cilësitë tuaja dhe në gjithë atë që ju u zotuat me betimin. Besoj që kemi para vetes një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme, sfiduese për shumë aspekte”.
“Mendoj se duhet pasur një vëmendje të veçantë në të gjitha përballjet që mund t'i kemi. Do të dëshiroja që me ju sot të fillojë një epokë e veçantë e angazhimit të secilit nga ju, që të jetë një shkëlqim më i mirë në gjyqësorin e Kosovës", tha Sejdiu.
Presidenti Sejdiu i ka siguruar prokurorët dhe gjyqtarët se do ta kenë përkrahjen e institucioneve të Kosovës deri në masën sa është e lejueshme me Kushtetutën e Kosovës.
Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë, serbët, me kërkesë të Beogradit zyrtar, kanë braktisur institucionet e Kosovës, përderisa gjykatat në disa mjedise serbe po zhvillojnë punën nën juridiksionin e Ministrisë Serbe të Drejtësisë.
Presidenti Sejdiu shpreson se me shtrirjen e EULEX-it në veri, do të rregullohet edhe funksionimi i gjykatave në këtë mjedis të banuar me shumicë serbe.
“Do të kenë mundësi edhe gjyqtarët e zgjedhur të bëjnë veprimtarinë e tyre të rregullt siç duhet - e dini se ka disa probleme praktike. Besoj se me kohë dhe me mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare në veçanti, në këtë periudhë edhe të UNMIK-ut, por edhe të EULEX-it, do të krijohen mundësi të reja”.
“Nuk do të ndalemi. Është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të funksionojnë në të gjithë integritetin e tyre të plotë - flas edhe në kuptimin territorial", tha presidenti i Kosovës.
Por, deri më tash, as nga Këshilli Gjyqësor, e as nga institucionet, nuk është paraqitur ndonjë plan se si do të shtrihet kontrolli i institucioneve legjitime në veriun e kontrolluar nga strukturat paralele serbe.
Rexhep Haxhimusa, kryetar i Këshillit Prokurorial të Gjyqësorit në Kosovë, pranon se nuk kanë ndonjë plan të veprimit në veri të Mitrovicës.
“Ne një strategji të veçantë nuk mund ta ndërtojnë për atë pjesë. Po bëhet përpjekje që t’i kalojmë mundësitë tona maksimale bashkë me faktorin ndërkombëtar, që sa më shpejt edhe ajo pjesë atje të funksionalizohet me kapacitetin e plotë", tha Haxhimusa.
Ndryshe, Ombudspersoni i Kosovës ka kritikuar gjyqësorin se nuk po respekton të drejtat e njeriut.
Në adresë të gjyqësorit, kritika kanë drejtuar edhe organizata të ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qoftë për shkak të numrit të madh të lëndëve që presin për t'u zgjidhur, qoftë për shkak të mosvënies para drejtësisë së kryesve të krimeve të ndryshme.