Ndërlidhjet

KS: Vazhdojnë kundërshtimet rreth rikonfigurimit të UNMIK-ut


Pamje nga Këshilli i Sigurimit
Pamje nga Këshilli i Sigurimit

Në mbledhjen e rradhës së KS-së, Kosova, SHBA-të, Britania dhe vendet e tjera anëtare të BE-së në Këshill mbështetën planet për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Rusia e Serbia përsëritën kundërshtimin e tyre. Shefi i UNMIK-ut theksoi se kushtet e reja në Kosovë e kërkojnë rikonfigurimin.

Shefi i Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, tha se "situata në Kosovë ka ndryshuar fundamentalisht". Ai theksoi se autorizimet e tij "praktikisht janë zhdukur" dhe se për këtë arsye, UNMIK-u po planifikon rekonfigurimin.

"Aftësia eUNMIK-ut, që ta realizojë pjesën më të madhe të detyrave të veta, është sfiduar në mënyrë fundamentale, në sajë të aksioneve të autoritetweve në Prishtinë dhe serbëve të Kosovës", tha Lamnerto Zannier.

Zannier tha se dogana në kufirin administrativ me Serbinë nuk po mund të funksionojë, është rritur kontrabanda dhe e tërë kjo ka ka ndikuar që UNMIK-u "të planifikojë rikonfigurimin e pranisë së vetë dhe dëshiron që t'i ketë parasysh rrethanat e reja".

"Planifikimi është i bazuar në instruksionet që i ka shpallur Sekretari i Përgjithshëm dhe me respektimin e fuqishëm të rezolutës 1244. Është bërë plani me të cilin paralajmërohen masa të caktuara për disa fusha, në të cilat UNMIK-u më nuk mund të funksionojë", tha Zannier.

Ai më tej tha se Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë planifikon "bashkëpunim teknik me EULEX-in".

"Presim që të vendoset misioni i BE-së për sundimin e ligjit dhe të operojë nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara dhe në harmoni me rezolutën 1244", tha shefi i UNMIK-ut.

Duke folur në seancën e Këshillit të Sigurimit, ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, i kundërshtoi planet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut.

"Pa pajtimin e Këshillit të Sigurimit dhe në kundërshtim me vullnetin e Serbisë, që është vend nikoqir i misionit të OKB-së në Kosovë, ai e ka urdhëruar përfaqësuesin e tij special që ta rikonfigurojë UNMIK-un", tha Vuk Jeremiq.

Sipas tij, rikonfigurimi "duhet të bëhet me pajtimin e Serbisë dhe me miratimin e Këshillit të Sigurimit, që është e vetmja mënyrë për ta siguruar qëndrueshmërinë". Shefi i diplomacisë serbe Vuk Jeremiç tha se vendi i tij kërkon të zgjidhë çështjen e Kosovës përmes kompromisit dhe kornizës së integrimit në Bashkimin Evropian.

Ministri i jashtëm i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, që po ashtu mori pjesë në këtë seancë, e falënderoi kreun e Kombeve të Bashkuara për nismën për rikonfigurimin e UNMIK-ut.

Ministri Hyseni tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për mbrojten e të drejtave të pakicave.

"Qeveria dhe institucionet e Kosovës do ta realizojnë në mënyrë të plotë përkushtimin e tyre për t'i mbrojtur të drejtat e pakicave, e para se gjithash të drejtat e komunitetit serb."

Ai u shpreh edhe për propozimin për dialog ndërmjet Prishtinës e Beogradit se mund të bisedojnë si dy shtete sovrane.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Zalmai Khalilzad tha se roli i shefit të tashëm të administratës së OKB-së në Kosovë është i ndryshëm nga i paraardhësve të tij. "Detyra juaj është e kufizuar në zbatimin e planit për rikonfigurimin e UNMIK-ut e jo në administrimin e Kosovës", theksoi ambasadori i SHBA-ve.

Ambasadori amerikan pastaj foli edhe për situatën në Kosovë.

"Qeveria e Kosovës dhe shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, nga të gjitha grupet etnike, kanë treguar vullnet të mirë vetpërmbajtje, pavarësisht provokimeve të vazhdueshme nga kundërshtarët e ashpër të pavarësisë së Kosovës."

Por, sipas ambasadorit amerikan në OKB në Kosovë ka edhe probleme:

"Pavarësisht përparimit në Kosovë, ne ndajmë shqetësimin e Sekretarit të Përgjithshëm lidhur me mungesën e kontrollit në kufirin Serbi-Kosovë. Trafikimi mbetet problem i madh dhe kërcënimet për dhunë nga ekstremistët janë shqetësuese. I bëjmë thirrje Serbisë që të mbështesë përpjekjet e autoriteteve për të rivendosur doganat e ligjshme dhe të gjitha funksionet e tjera normale kufitare."

Ai është shprehur edhe për mbrojtjen e pakicave në Kosovë:

"Përfaqësuesi Civil ndërkombëtar do të mbikqyrë, në mënyrë që Qeveria e Kosovës të përmbushë detyrimet për të mbrojtur të drejtat e pakicave dhe trashëgiminë e tyre kulturore", tha ambasadori Khalilzad.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Çurkin e kundërshtoi planin për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Ai tha se mandati i shefit të këtij misioni, është i përcaktuar me rezolutën 1244 dhe jo me dëshirën e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ai përsëriti qëndrimin e Moskës se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj janë shkelje e të drejtës ndërkombëtare, të vendimit të Këshillit të Sigurimit dhe të Aktit përfundimtar të Helsinkit.

Ambasadori britanik, John Sawers, mbështeti planin për rikonfigurimin e UNMIK-ut e në këtë kuadër edhe dialogun e nisur mes UNMIK-ut dhe Beogradit. Ai tha se misioni i BE-së, EULEX, do të veprojë në kontekst të rezolutës 1244.

Më tej ai theksoi:

"Pa dyshim që ky dialog nuk përfaqëson fillimin e një procesi të ri negociatash. Koha për bisedime rreth statusit të Kosovës ka kaluar. Britania e Madhe dhe shumë vende të interesuara dhe të angazhuara në Ballkan e kanë pranuar Kosovën si shtet të pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë."


Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG