Ndërlidhjet

Daci: Koalicioni qeverisës pa kapacitet veprues


Nexhat Daci
Nexhat Daci

“Koalicioni qeverisës nuk po demonstron kapacitet veprues, ka vetëm kapacitet deklarues dhe kjo e përkeqëson situatën”, thotë kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Daci, fillimisht si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike dhe sa jeni të kënaqur me punën e institucioneve të Kosovës?

NEXHAT DACI
Të them të vërtetën, një pjesë e punëve shumë të rëndësishme tregojnë një ngecje, e cila po e dëmton mjaft edhe imazhin e Kosovës, por edhe jetën e qytetarëve në Kosovë.

Ndërsa, si pozitive vlerësoj vizitën në Uashington të kryetarit dhe të kryeministrit dhe mbi të gjitha qëndrimin e vendosur të presidentit Bush dhe të administratës amerikane.

Prandaj, unë do të thosha se një përkrahje aq e fuqishme i obligon shumë institucionet e Kosovës që të kryejnë punën e tyre, por kjo si duket nuk has në veshë të duhur.

RADIO EVROPA E LIRË
Nesër është paralajmëruar që Kuvendi të debatojë për rishikimin e buxhetit. Ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dërguar vërejtjet e para duke mos pranuar një gjë të tillë. Ju, si mendoni, a duhet të bëhet rishikimi i buxhetit për këtë vit?

NEXHAT DACI
Unë e kam përcjellë me vëmendje atë propozim-dokument dhe jam konsultuar në vazhdimësi me deputetët dhe komisionet tona.

Ai propozim nuk përkrah prioritetet që i ka caktuar Qeveria, do të thotë është në shpërputhje edhe me vetë deklaratat dhe prioritetet e Qeverisë.

Marrim për shembull Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku nuk ka asgjë, e në një anë e cakton si prioritet për zhvillimin e Kosovës dhe në anën tjetër nuk i jep përkrahje.

Ka disharmoni shumë të mëdha brenda ministrive. Për shembull, atje ku do të duhej të ishte një ofensivë politike, por e përkrahur edhe me përkrahje buxhetore në punët e jashtme të Kosovës, kur e shikojmë rishikimin e buxhetit, prej saj nuk shihet asgjë.

Dhe, çuditërisht, Qeveria vazhdimisht e ka kritikuar përkrahjen e KEK-ut me financa dhe tani me rishikim faktikisht dyfishohet përkrahja ndaj KEK-ut në krahasim me parashikimet e para të Qeverisë.

Do të thotë, është një rishikim i buxhetit që nuk është as në përputhje me kornizën e shpenzimeve, të paraqitur në Bruksel, e aq më tepër tani vijnë edhe vërejtjet nga FMN-ja.

Të shohim, nesër është në seancën plenare dhe debati do të tregojë realitetin se përkrahet apo jo një dokument i tillë.

Unë mendoj që nuk është përmbushur asnjë kriter që të ketë rishikim, por seanca plenare do ta tregojë këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet e Kosovës ende nuk po arrijnë që të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë vendin. Sipas jush, ku qëndron problemi?

NEXHAT DACI
Problemi numër një qëndron në koalicionin qeverisës, i cili nuk po demonstron në asnjë fazë kapacitet veprues, ka vetëm kapacitet deklarues dhe kjo po e përkeqëson në përgjithësi situatën në Kosovë.

Prandaj, ka një disharmoni funksionale, e cila po vërehet menjëherë pas deklarimit të pavarësisë dhe në veçanti pas pranimit të pakos së ligjeve të Ahtisaarit.

Të gjitha çështjet tjera që janë shtruar në Parlament, kanë treguar një disfunksionalitet të koalicionit qeverisës.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë nga shtetet anëtare të OKB-së në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, veç Serbisë dhe Rusisë, kanë mbështetur idenë e Ban Ki Moonit për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Ju, si e shihni këtë çështje?

NEXHAT DACI
Unë e kam përcjellë me vëmendje në transmetimin të drejtpërdrejtë tërë kohën dhe është shtuar optimizmi im i përkrahjes në Këshillin e Sigurimit dhe tani po bartet topi në fushën e institucioneve vendore.

Më vjen mirë që gjithmonë kam qenë vizionar i asaj që njeriu duhet të ketë vizionin e vet, vizionin e popullit të vet, vizionin e partive parlamentare të atij populli dhe vizionin e institucioneve dhe këtu ka ngecje në vazhdimësi 2-3 vjetët e fundit.

Kjo është shqetësuese. Prandaj, mendoj që Këshilli i Sigurimit në parim, pos një numri shumë të vogël të shteteve, ishte pro realitetit të krijuar në Kosovë.

Dhe, kjo duhet të jetë vërejtja e fundit e Qeverisë dhe e presidentit të Kosovës që vërtet të fillojnë të veprojnë, përndryshe do të bëhet vonë për gjithçka.

Unë mendoj se rikonfigurimi do të ngjajë dhe duhet të ngajë, dhe shpresoj që Evropa, në një kohë shumë të shpejtë, do t’i marrë përgjegjësitë e veta me misionin civil që është paraparë për të.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë kosovarë thonë se opozita nuk është sa duhet aktive në Kuvendin e Kosovës. A kanë të drejtë?

NEXHAT DACI
Kanë të drejtë. Kanë të drejtë kur e shikoni optikisht dhe aty për aty dhe qëndrimi i partive opozitare nuk është në nivelin e një opozite klasike.

Por, ne në LDD kemi vlerësuar se gjithmonë Kosova është prioritet dhe derisa u bë deklarimi i pavarësisë, nxjerrja e Kushtetutës, ne nuk e kishim vetveten. Kjo po shihet se e ka dëmtuar vetë Qeverinë dhe institucionet.

Prandaj, partia opozitare, LDD-ja, e besoj edhe të tjerat, duhet të demonstrojnë rolin e vet opozitar, edhe pse numerikisht nuk është forcë që mund të ndryshojë gjëra të mëdha, por ka forcë krijuese, ka forcë mendore dhe profesionale që të japë propozime alternative, që do të përkraheshin nga shoqëria civile, nga institucionet e shkencës etj.

Dhe, do të rritej një front që do ta bënte Qeverinë dhe institucionet e Kosovës që në një mënyrë tjetër t’i shikojnë gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Hulumtimet e fundit të organizatave të ndryshme kanë treguar se LDD-ja ka shënuar rënie të elektoratit. A ju shqetëson një gjë e tillë?

NEXHAT DACI
Nuk kam shqetësime për atë, nuk mund të them që me kënaqësi i kam pritur këto, por një rezultat të ngjashëm ose edhe më të keq, e njëjta organizatë e ka shprehur edhe në prag të zgjedhjeve nacionale të Kosovës, ku parashihej që ne do të kemi vetëm 2 për qind.

Në parim, sondazhet në Ballkan janë të porositura dhe nuk tregojnë realitetin dhe kjo është një mashtrim që po na kushton shtrenjtë, sepse po krijon zhgënjim në mosdalje të elektoratit.

Por, megjithatë, ne do ta marrim si një sondazh që duhet të punojmë më tepër për vete, sepse kemi qenë të orientuar në riorganizimet dhe zgjedhjet e brendshme dhe i kemi lënë punët e jashtme.

Këto zgjedhje kanë përfunduar këtë muaj dhe pjesa tjetër do t’i takojë fuqizimit të LDD-së, sepse analizat tona të brendshme tregojnë krejtësisht rezultate tjera.

Kemi një përkrahje shumë të fuqishme brenda elektoratit tonë dhe duhet të punojmë më shumë në interes të LDD-së dhe të interesave të qytetarëve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG