Ndërlidhjet

AI: Kina po thyen premtimet


Amnesty International
Amnesty International

Në prag të Lojërave Olimpike, Organizata Amnesty International kritikoi Kinën për të drejtat e njeriut, duke thënë se Pekini po shfrytëzon Lojërat për të arrestuar apo kërcënuar secilin që i ka dalë në rrugë fushatës së tij.



Organizata Amnesty International në raportin e fundit vlerëson se autoritetet e Kinës nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre për të drejtat e njeriut, të dhëna para shtatë vjetësh, kur ishte përcaktuar si vend ku do të zhvilloheshin Lojërat Olimpike.

Organizata tha se Pekini ka tradhtuar vlerat kryesore të Lojërave. Autoritetet, sipas saj, kanë intensifikuar arrestimet, burgosjet dhe keqtrajtimin e aktivistëve lokalë për të drejtat e njeriut, gazetarëve, avokatëve dhe qytetarëve të thjeshtë, pra të gjithë atyre që "kërcënojnë" harmoninë e Lojërave Olimpike.

Amnesty International sjell shembuj konkret, si p.sh. "riedukimi përmes punës", si metodë që ka filluar të zbatohet në maj nga policia në Pekin, e cila u mundëson policëve t'i largojnë njerëzit nga kryeqyteti, për shkak të "sjelljes fyese".

Në raport gjithashtu thuhet se censura është shtuar si në mediat lokale dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në Pekin. Sipas statistikave të korrespondentëve, ekzistojnë rreth 180 raste të ndalimit të gazetarëve për të mbuluar çështje "të ndjeshme", në vitin 2007.

Përfaqësuesi i organizatës, Mark Allison, tha se kërkohet transparencë nga autoritetet në Kinë.

Mark Allison

"I kemi bërë thirrje qeverisë që të lejojë qasje të plotë për mediat, për të vërtetuar shqetësimet për zhvillimet, si dhe për të raportuar lirshëm. I bëjmë thirrje Kinës që të ndërmarrë hapa drejtë heqjes së dënimit me vdekje dhe sidomos që të jetë transparente rreth statistikave për ekzekutimet, si dhe të reduktojë gamën e krimeve, të cilat dënohen me vdekje".

Në të kundërtën, Allison tha se Kina mund të rrezikojë "përgjithnjë të njollosë trashëgiminë e Lojërave Olimpike".

Ai apeloi tek liderët e huaj, të cilët do t’i ndjekin Lojërat, që të ngrenë zërin në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

"Ne vazhdojmë t'u bëjmë thirrje liderëve botërorë që planifikojnë të ndjekin Lojërat, që të flasin tani për të parandaluar autoritetet që të shfrytëzojnë praninë e tyre, për ta proklamuar si lëvdatë për shkeljet që po bëjnë", tha Allison.

Ministria e Jashtme e Kinës i ka hedhur poshtë kritikat e paraqitura nga organizata Amnesty International.
XS
SM
MD
LG