Ndërlidhjet

Serbët s’pajtohen mbi projektin për të zhvendosurit


Graçanicë
Graçanicë

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovë kanë vlerësime të ndryshime mbi projektin e Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar në Graçanicë një lagje banimi për serbët që duan të kthehen. Derisa iniciatorët e cilësojnë si thelbësore për kthimin e serbëve, për disa nga përfaqësuesit serbë ky projekt është i paligjshëm.


Projekti për ndërtimin e një lagjeje vendbanimi në Graçanicë, në qendër të Kosovës, të cilin e ka inicuar një subjekt politik serb, Partia e Pavarur Liberale, ka për synim të mundësojë kthimin e një numri më të madh serbësh të zhvendosur. Kryetari i kësaj partie, Slobodan Petroviq, thotë se me ndërtimin e kësaj lagjeje, do të ofrohen kushtet themelore për një jetë normale për të kthyerit.

“Projekti është në interes jo vetëm të bashkësisë serbe në Kosovë, por edhe përgjithësisht në interes të bashkësisë ndërkombëtare, e cila e ka për detyrim që të mbrojë komunitetin serb".

"Ndryshe, projekti si i tillë është thelbësor para së gjithash për komunën e Graçanicës, e cila do të ketë mundësinë që nëpërmjet tij të përcaktojë edhe planin urbanistik”, thotë Petroviq, partia e të cilit merr pjesë në punimet e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë.

Sipas tij, pas mbështetjes që të gjithë faktorët relevantë i kanë dhënë këtij projekti, tani pritet shpërndarja e mjeteve për realizimin e tij.

“Ajo që është varë prej nesh, ne e kemi realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kemi fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Kosovës dhe tani gjendemi në periudhën e implementimit. Megjithatë, dinamika e ndërtimit të këtij projekti nuk varet vetëm prej nesh tani, ka shumë faktorë të tjerë që e përcaktojnë një gjë të këtillë”, thotë Petroviq.

Projekti është prezantuar në Konferencën e Donatorëve për Kosovën të mbajtur në Bruksel dhe ka vlerën prej 672 milionë eurosh. Megjithë mbështetjen e gjerë që ka marrë nga faktori ndërkombëtar dhe vendor, jo të gjithë mendojnë njësoj për të.

Përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar Serb në Graçanicë, Dragan Veliq thotë se në bazë të Rezolutës 1244, me kthimin e të zhvendosurve merret UNMIK-u dhe UNHCR-ja, në bashkëpunim me shtetin e Serbisë dhe jo me institucionet e Kosovës.
“Ne nuk do të thotë që jemi kundër përshirjes së dikujt, por rradhitja e lëvizjeve duhet të jetë e qartë dhe bartësit e projektit, duhet të jenë në pajtueshmëri me Rezolutën 1244, e cila ende është në fuqi. Një gjë e këtillë është ende e mundshme dhe po të ndodhte siç duhet, nuk do të kishim imponime të këtilla të disa projekteve që nuk janë në interes të bashkësisë serbe”, thotë Veliq.

Por, për zotin Petroviq ky plan përmbushë pikërisht interesat e serbëve dhe kritikat i hedhë poshtë si tërësisht të pabaza.

“Nëse projekti nuk zbatohet në të ardhmen e afërt, atëherë ka shumë mundësi që të shtyhet për një kohë të gjatë. Përgjegjësinë atëherë do ta marrin ata njerëz, të cilët mendojnë se nëse projekti nuk është interes i tyre personal atëherë mund ta kritikojnë atë”, thotë Petroviq.

Zoti Veliq ndërkaq pohon se projektet e këtilla duhet të përpunohen midis komunitetit serb dhe UNMIK-ut, prandaj edhe e ka akuzuar Partinë e Pavarur Liberale se nuk është konsultuar me ata që duhet.

Zoti Petroviq megjithatë me këmbëngulje shpreson që projekti të realizohet, pikërisht për faktin se gëzon mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosoëvs dhe faktori ndërkombëtar dhe se është në interes të drejtëpërdrejtë të serbëve që jetojnë në Kosovën qendrore.
XS
SM
MD
LG