Ndërlidhjet

Përleshje në Mitrovicë


Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicë
Paqeruajtësit e KFOR-it në Mitrovicë

Nga një përleshje në mes të shqiptarëve dhe serbëve që ka ndodhur në Mitrovicë, kanë mbetur të lënduar një pjesëtar i policisë ndërkombëtare, një qytetar shqiptar dhe dy të tjerë serbë. Autoritetet e rendit e kanë cilësuar këtë incident me motive ndëretnike.


Një pjesëtar i Policisë së Kombeve të Bashkuara, një qytetar shqiptar dhe dy të tjerë serbë janë lënduar në një incident që ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Mitrovicë. Gjendja shëndetësore e të gjithë të lënduarve është jashtë rrezikut për jetën. Sipas autoriteteve të rendit incidenti ka ndodhur në Lagjen e Boshnjakëve, që gjendet në pjesën veriore të qytetit, buzë lumit Ibër dhe ka motive ndëretnike.

Besim Hoti, zëdhënësi i policisë se Kosovës për rajonin e Mitrovicës, thotë se fillimisht një grup serbësh e kanë sulmuar një të ri shqiptar.

"Kjo ka filluar rreth orës 21 :30 në Lagjen e Boshnjakëve, kur një viktimë e nacionalitetit shqiptar, i cili ka kaluar nga Lagjja e Boshnjakëve në drejtim të urës kryesore është ndalur fillimisht nga gjashtë persona të dyshuar të nacionalitetit serb. Të njëjtit, pasi që kanë kërkuar nga ai të identifikohet se kush është, kanë filluar ta sulmojnë më shkopinj druri", tha zoti Hoti.

Sipas zëdhënësit Hoti, më vonë, duke marrë për bazë ketë incident, tek ndërtesat që njihen si "Tre rrokaqiejt", rreth orës 1 e 20 minuta, shqiptarët kanë gjuajtur me gurë dy vetura të serbëve, me ç'rast janë lënduar dy serbë.

"Disa banorë shqiptarë besohet se kanë sulmuar me gurë në drejtim të dy veturave të banorëve serbë, të cilat kalonin nëpër atë lagje, duke nxitur kështu edhe reagimin e banorëve serbë të cilët janë kundërpërgjigjur. Në këtë kundërëprgjigje, ata kanë dëmtuar dhe demoluar mbi gjashtë vetura me targa KS dhe 3 lokale afariste qe besohet të jene pronë e shqiptarëve", tha Besim Hoti.

Zoti Hoti thotë se me vonë ka intervenuar policia e UNMIK-ut, ku si pasojë është lënduar një polic nga India.

"Kanë qenë policët ndërkombëtarë ata të cilët kanë intervenuar në këtë rast dhe një pjesëtar i policisë së UNMIK-ut ka pësuar lëndime ", tha Hoti.

Nga ana tjetër zëdhënësi i administratës ndërkombëtare në Mitrovicë Georgy Kakuk , nuk dëshiron të komentojë incidentin, por pohon se situata e sigurisë është e qetë.

"Situata e sigurisë tash për tash është e qetë. Situata është normalizuar", thotë zoti Kakuk.

Ndryshe, kryetari i komunës se Mitrovicës, Bajram Rexhepi, incidenti e ka cilësuar si përpjekje për përkeqësimin e situatës së sigurisë.

"Incident, i cili mundur ta destabilizojë situatën. Ka grupe të caktuara, të cilave nuk u konvenon që situata të jetë e qetë dhe në kuadër të kësaj strategjie, ata tentojnë të nxisin reaksione të popullatës shumicë. Pra është një incident i qëllimshëm, i cili mund ta rrezikojë situatën", tha Rexhepi.

Nga ana tjetër, Marko Jakshiq, kryetar i bashkësisë se komunave serbe, që nga institucionet e Kosovës konsiderohet si organ paralel, thotë se ky incident tregon qarë se shqiptarët me dhunë dëshirojnë të shtrijnë autoritetin e tyre në veri.

"Kjo flet qartë se dëshira e palës shqiptare është që të kalojë në veri. Këtë e kanë thënë edhe liderët shqiptarë, ata duan të krijojnë terrenin që të shtrijnë pushtetin në gjithë territorin e Kosovës. Qëllimi është që kjo të arrihet përmes dhunës. Serbi, i cili është lënduar, ka dorën e thyer dhe ndodhet në spital. Kjo thjesht flet se dëshirohet të bëhet presion mbi serbët në mënyrë që sa më shumë serbë ta lëshojnë Kosovën", tha Jakshiq.

Por, zoti Rexhepi hedh poshtë deklaratat e tilla. Ai konsideron se autoriteti i institucioneve të Kosovës do të shtrihet në gjithë Kosovës, por jo me dhunë.

"Autoriteti i institucioneve qendrore do të shtrihet në tërë territorin e Kosovës, por jo me metoda të dhunshme. Ajo është e drejtë kushtetuese dhe ajo do të zbatohet dhe sigurisht që nuk ka alternativë tjetër. Mirëpo, ne asnjë herë nuk kemi qene idhtarë të dhunës dhe maksimalisht jemi të vetëpërmbajtur që të mos ketë dhunë", tha Rexhepi.

Sipas autoriteteve të rendit, situata e sigurisë është e qetë dhe nën kontroll.

XS
SM
MD
LG