Ndërlidhjet

Çka presin serbët nga bisedimet me Beogradin?


Disa nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë vlerësuar se propozimi për një zinxhir të veçantë komandues në nivelin lokal për policët serbë në kuadër të SHPK-së nuk është zgjidhje, sepse synon integrimin në sistemin kosovar. Pikërisht për këtë arsye, ata insistojnë që me zgjidhjen e këtij problemi të merret Qeveria e Serbisë dhe jo nivelet lokale të qeverisjes.

Ideja për krijimin e një policie serbe në kuadër të Shërbimit Policor të Kosovës nuk është pranuar as nga disa prej përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës.

Nenad Radosavleviq nga Këshilli Kombëtar Serb në Leposaviq thotë se një përpjekje e këtillë është thjesht një hap përpara drejt integrimit në sistemin kosovar. Njëkohësisht, ai nuk pajtohet as me propozimin që bisedimet për pjesëmarrjen e serbëve në strukturat policore dhe të gjyqësisë të udhëhiqen nga përfaqësuesit lokalë.

"Nëse nivelit lokal i lejohet që të punojë në këtë drejtim në mbarë Kosovën, çdo enklavë të marrë vendimin për veten, atëherë kjo nuk ka kuptim, në fakt nuk ka asnjë lidhje me shtetin e Serbisë pastaj. Dhe natyrisht, është një hap drejt integrimit në sistemin e Kosovës dhe nuk ka të bëjë me decentralizimin e pushtetit apo lirinë e qarkullimit për banorët serbë", thotë Radosavleviq.

Me një ide të këtillë ka dalë shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannier, i cili ka thënë se për përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës do të bisedojë edhe me përfaqësuesit lokalë të serbëve.

Përfaqësuesit e Ministrisë për Kosovën në qeverinë serbe thonë se kthimi i policëve serbë në SHPK mund të bëhet vetëm nëse policia vendore mbetet nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara.

Pjesëtarët serbë të policisë e kanë braktisur Shërbimin Policor në shenjë kundërshtimi me shpalljen e pavarësisë. Ky Shërbim tani është pavarësuar edhe nga Kombet e Bashkuara dhe mbetet vetëm policia rajonale në Mitrovicë ajo që vazhdon të koordinohet nga UNMIK-u.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, i cili çështjen e bisedimeve tashmë e ka diskutuar me shefin e UNMIK-ut, Lamberto Zannier, thotë se me bisedimet duhet të merret qeveria në Beograd.

"Mendoj se kjo është një zgjidhje kompromisi. Sundimi i rendit dhe ligjit është thelbi i zgjidhjes së të gjitha problemeve dhe kjo çështje nuk guxon të lihet mënjanë apo t'i lihet dikujt tjetër, pavarësisht nga fakti se është detyrim i shtetit të Serbisë që bazuar në Rezolutën 1244 të kujdeset për qytetarët e saj", ka thënë Bogdanoviq.

Rangjell Nojkiq nga Graçanica ndërkaq pohon se gjithë përgjegjësinë për problemin e krijuar në Shërbimin Policor e ka qeveria e kaluar, e cila nga pjesëtarët serbë ka kërkuar që veprojnë ashtu siç kanë vepruar.

"Ministria për Kosovën e ka kërkuar një gjë të këtillë dhe mendoj se ky problem duhet të zgjidhet në të njëjtin nivel. Kjo ministri ka përgjegjësinë që ta zgjidhë këtë çështje në mënyrë adekuate, megjithëse tani gjërat janë komplikuar", thotë Nojkiq.

Ai megjithatë është i mendimit se çështjet që kanë të bëjnë me jetën ë përditshme të serbëve në Kosovë janë procese me të cilat duhet të merret pushteti lokal dhe se zgjidhja sipas tij qëndron tek decentralizimi i pushtetit.

Ndryshe, autoritetet vendore në Prishtinë kanë hedhur poshtë idenë e krijimit të njësive serbe të policisë në kuadër të SHPK-së. Mundësinë e zhvillimit të bisedimeve me udhëheqësit e strukturave paralele ndërkaq, e kanë cilësuar si përpjekje për legalizimin e tyre.

XS
SM
MD
LG