Ndërlidhjet

Bush: Rusia shtiret e fortë dhe frikëson Gjeorgjinë


Presidenti Bush duke folur për situatën në Gjeorgji.
Presidenti Bush duke folur për situatën në Gjeorgji.

Presidenti George Bush tha se SHBA-të e mbështesin integritetin dhe sovranitetin e Gjeorgjisë, ndërsa Rusia duhet t'i tërheqë forcat pushtuese nga i gjithë territori i Gjeorgjisë.



Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush e ka akuzuar Rusinë se "shtiret e fortë dhe e frikëson" Gjeorgjinë.

Në një prononcim në Shtëpinë e Bardhë, Bush tha se njerëzit nga ish republika sovjetike, Gjeorgjia, e kanë zgjedhur lirinë dhe se SHBA nuk do t'i lënë mënjanë.

Presidenti George Bush tha se "Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e mbështesin popullin e Gjeorgjisë dhe qeverinë e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike".

"Sovraniteti dhe integriteti territorial i Gjeorgjisë duhet të respektohet. Moska duhet ta respektojë përkushtimin e vet që t'i tërheqë forcat e saj pushtuese nga i tërë territori gjeorgjian", tha Bush.

"Lufta e Ftohtë ka marrë fund. Ditët e shteteve satelite dhe sferave të influencës janë pas nesh. Marrëdhëniet kundërshtuese me Rusinë nuk janë interesi i Amerikës dhe marrëdhënia kundërshtuese me Amerikën nuk është në interesin e Rusisë", tha presidenti amerikan.

Bush gjithashtu tha se Rusia e ka dëmtuar pozicionin e saj ndërkombëtar kur i dërgoi trupat e saj në Gjeorgji.

"Me aksionet e veta në ditët e fundit, Rusia e ka dëmtuar kredibilitetin e saj dhe marrëdhëniet e saj me kombet e botës së lirë. Të shtiresh i fortë dhe të frikësosh nuk janë mënyra të pranueshme të bërjes së politikës së jashtme në shekullin XXI. Vetëm Rusia mund të vendosë nëse do të rikthejë veten në rrugën e vendeve të përgjegjshme, apo do ta vazhdojë politikën, e cila premton vetëm konfrontim dhe izolim", tha Bush.

Presidenti amerikan tha se që të fillojë t'i riparojë marrëdhëniet e saj me botën, me Shtetet e Bashkuara, me Evropën dhe vendet tjera, si dhe që ta rivendosë vendin e saj në botë, Rusia duhet të respektojë lirinë e fqinjve të saj.
XS
SM
MD
LG