Ndërlidhjet

Obama zyrtarisht kandidat për president


Barack Obama në Konventën Kombëtare Demokratike në Denver, 27 gusht 2008.
Barack Obama në Konventën Kombëtare Demokratike në Denver, 27 gusht 2008.

Barack Obama është nominuar zyrtarisht si kandidat presidencial për Partinë Demokratike. Në konventën e tyre në Colorado, delegatët e Partisë Demokratike nga 50 shtete i dhanë përkrahjen Obamës, duke e bërë atë kandidatin e parë presidencial me ngjyrë të zgjedhur nga një parti e madhe amerikane.

Senatori Barack Obama, krahas nominimit zyrtar për president të SHBA-së, nga Partia Demokratike, mori edhe një përkrahje të fuqishme nga ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.

"Mbrëmë, Hillary na tha se do të bëjë çfarëdo që të jetë e mundur për të zgjedhur Barack Obamën. Kësaj i shtohem edhe unë. Në fakt, kësaj i shtohen edhe 18 milionë nga ne, sepse, si Hillary, edhe unë dua që të gjithë ju që e përkrahët atë, të votoni për Barack Obamën në nëntor", tha Bill Clinton.

Duke thënë se po flet nga perspektiva e tetë vjetëve të kaluara në Shtëpinë e Bardhë, Clintoni renditi dobësitë e vendit. Brenda, ai tha se klasa e mesme dhe klasa punëtore po vuajnë nga ulja e pagave, papunësia, ngritja e kostos së ushqimit dhe e shërbimeve publike; jashtë, ai tha se pozicioni i Amerikës në botë "është dobësuar shumë mga unilateralizmi dhe bashkëpunimi shumë i vogël".

"Është e qartë se puna që duhet të bëjë presidenti i ardhshëm i Amerikës, është të rindërtojë ëndrrën amerikane dhe të rivendosë lidershipin amerikan në botë. Dhe, më duhet të them se krejt çka kam mësuar për tetë vjet si president dhe në punën që kam bërë në Amerikë dhe botë, më ka bindur se Barack Obama është njeriu i duhur për këtë punë",
tha Clinton.

Bill Clinton gjatë Konventës së Demokratëve, 27 gusht 2008.
Duke kritikuar administratën e deritashme të presidentit Bush, Clinton ka thënë se ëndrra amerikane "po mbahet peng" dhe u kërkoi amerikanëve që të refuzojnë kandidaturën e republikanit John McCain në zgjedhjet e vjeshtës.

Duke korrigjuar pikëpamjet e mëhershme, kur kishte thënë se askush nuk mund të jetë gati për president, Clinton tha:

"Barack Obama është i gatshëm të udhëheqë Amerikën dhe të rivendosë lidershipin amerikan në botë. I gatshëm të respektojë betimin, të mbrojë dhe ruajë Kushtetutën e Sheteteve të Bashkuara, Barack Obama është i gatshëm të jetë president i Shteteve të Bashkuara", tha Clinton.

Ndërsa, senatori Joe Biden, që garon për nënpresident, është fokusuar në politikën e jashtme amerikane dhe ka kritikuar administratën Bush për neglizhencë.

"Në ditët e fundit kemi parë pasojat e kësaj neglizhence me Rusinë, e cila sfidoi lirinë e shtetit demokratik të Gjeorgjisë. Barack dhe unë do t'i japim fund kësaj neglizhence, do ta mbajmë përgjegjëse Rusinë për veprimet e saj dhe do të ndihmojmë popullin e Gjeorgjisë", tha Biden.

Ai ka kritikuar edhe kandidatin për president të Partisë Republikane, John McCain, kolegun shumëvjeçar të Senatit, të cilit i referohet me John.

"John McCain është miku im. E di që ju e keni dëgjuar këtë frazë kaq herë në politikë, por John McCain me të vërtetë është miku im. Është një miqësi që shkon përtej politikës. Dhe, kurajoja personale dhe herozimi i Johnit vazhdojnë të më mahnisin. Por, unë thellësisht, thellësisht, nuk pajtojem me drejtimin se kah dëshiron ta çojë Amerikën Johni
", tha Biden.

Vetë Obama ka bërë një paraqitje të befasishme në skenë, por sa për të përshendetur Bidenin dhe familjen e tij. Ai do të mbajë sonte fjalimin e tij me të cilin pranon kandidaturën për president.
XS
SM
MD
LG