Ndërlidhjet

Obama: Tetë vjet ishin mjaft


Barack Obama pas fjalimit të tij në Konventën e Demokratëve, 28 gusht 2008.
Barack Obama pas fjalimit të tij në Konventën e Demokratëve, 28 gusht 2008.

Barack Obama mbrëmë edhe zyrtarisht pranoi nominimim për president nga Partia Demokratike. Ai ka ftuar amerikanët që më 4 nëntor të votojnë për të, për të mos lejuar, siç ka thënë ai, "mandatin e tretë të George Bushit dhe Dick Cheneyt".



Barack Obama pranoi zyrtarisht nominimin për president nga Partia Demokratike në një fjalim drejtuar më shumë se 80 mijë njerëzve. Obama u tha përkrahësve në një stadium në Denver se ai do të ndihmojë klasën e mesme dhe do të ndihmojë vendin në forcimin e sigurisë kombëtare.

Ai tha se fitorja e John McCainit nënkupton mandat të tretë për George Bushin.

"Sot, i them popullit amerikan, demokratëve, republikanëve e të pavarurëve gjithandej këtij vendi të madh, 'mjaft'. Ky moment, këto zgjedhje janë shansi ynë që në shekullin 21 ta mbajmë gjallë premtimin amerikan",
tha Obama.

Ai po ashtu nënvizoi politikat që do t'i ndjekë: kujdes shëndetësor të përballueshëm për të gjithë, taksa më të ulta për klasën e mesme dhe një fund të varësisë së Amerikës për naftën e Lindjes së Mesme.

Në politikën e jashtme, Obama u zotua për përfundimin e luftës kundër Al Qaidës dhe për një diplomaci më të ashpër për të penguar Iranin në krijimin e armëve bërthamore.

"Do ta përfundoj këtë luftë në Irak me përgjegjësi dhe do përfundoj luftën kundër talebanëve në Afganistan. Do ta rindërtoj ushtrinë për të qenë e gatshme për konflikte në të ardhmen. Por, po ashtu, do të rinis një diplomaci të ashpër, direkte, për të penguar Iranin në pajisjen me armë bërthamore dhe ta mbajë nën fre agresionin rus", tha Obama.

Fjalimi mbylli Konventën katërditëshe të Partisë Demokratike, ku Obama kërkoi të bashkojë partinë e ndarë pas zgjedhjeve preliminare dhe të shfrtyëzojë këtë moment në fushatën kundër McCainit.

Fjalimi i Obamës erdhi një ditë pasi që demokratët e nominuan atë, duke e bërë kandidatin e parë me ngjyrë për president të SHBA-së nga një parti e madhe amerikane.

Adresimi i tij koincidioi me 45 vjetorin e njërës nga ngjarjet vendimtare në lëvizjen për të drejtat civile në Amerikë: fjalimin e Martin Luther Kingut "Unë kam një ëndërr".

XS
SM
MD
LG