Ndërlidhjet

Liderët e BE-së diskutojnë krizën në Gjeorgji


Bashkimi Evropian tha se shpreson të nisë një mision të vëzhguesve civilë në Gjeorgji deri nga fillimi i tetorit.

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Javier Solana, tha se çështja do të diskutohet në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, që fillon të premten në Francë.

"Ne tashmë kemi një mision eksplorues të vendosur në Gjeorgji prej rreth 40 njerëzish. Do të donim që së shpejti të vendoset një mision i ri. Ata do të shkonin në brendinë e territorit gjeorgjian, ku ende ndodhen trupat ruse", tha Solana pas takimit me kryeministrin e Gjeorgjisë, Lado Gurgenidze.

"Sanksionet sot nuk janë në agjendë. Ajo që mund të bëjmë sot, është t'i rivlerësojmë marrëdhëniet tona me Rusinë",
tha zoti Solana.

Ndryshe, forca vëzhguese do të mbikëqyrte se si po zbatohet marrëveshja e armëpushimit, e cila i ndëpreu luftimet mes trupave ruse dhe gjeorgjiane muajin e kaluar.

Nga ana tjetër, Rusia e paralajmëroi Perëndimin kundër mbështetjes ndaj presidentit gjeorgjian, Mikhail Saakashvili, dhe bëri thirrje për embargo në armatim kundër këtij vendi derisa të vijë një qeveri e re.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, i bëri këto komente gjatë një fjalimi para studentëve të Institutit Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Lavrov tha se nëse Perëndimi vazhdon të përkrahë udhëheqjen gjeorgjiane, do të bëjë "gabim me përmasa historike".

"Nëse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në fund i zgjedhin jo interesat e tyre, jo interesat e popullit gjeorgjian, por interesat e regjimit të Saakashvilit, do të bëjnë vërtet një gabim me përmasa historike
", tha Lavrov.

Në qytetin Poti të Gjeorgjisë, aty ku trupat ruse kanë vendosur postblloqe dhe vazhdojnë të patrullojnë portin e këtij qyteti, banorët kanë shpresa se liderët evropianë do të mbështesin vendin e tyre.

Mimoza Tsaguria është një prej tyre.

"Ne jetojmë me frikën. Ka tanke, vijë fronti dhe jemi duke vdekur urie. Llogarisim në botën, në Gjermaninë, Amerikën, Francën, Italinë dhe Britaninë e madhe",
thotë zonja Tsaguria.

Trupat ruse kanë hyrë më 8 gusht në Gjeorgji pas përpjekjeve të trupave gjeorgjiane që të rivendosin kontrollin mbi rajonin separatist të Osetisë së Jugut.

Moska ka pezulluar ofenzivën pesë-ditëshe në Gjeorgji, por ka dështuar në tërheqjen e të gjitha trupave të saj nga territori gjeorgjian.

Më 26 gusht, Rusia ka njohur Osetinë e Jugut dhe rajonin tjetër separatist, Abkhazinë, si shtete të pavarura.

Kryeministri britanik, Gordon Brown, ka thënë se në Samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel do të kërkojë nga Rusia ta njohë tërësinë territoriale të Gjeorgjisë dhe të tërheqë trupat në pozicionin që kanë qenë para aksionit ushtarak në Osetinë e Jugut.

Ai gjithashtu ka ftuar NATO-n të rivlerësojë edhe një herë marrëdhëniet me Rusinë dhe të intensifikojë mbështetjen e aleancës për Gjeorgjinë dhe shtetet tjera që mund të përballen me agresionin rus.

Ndërkohë, kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, ka pranuar se Rusia është e shqetësuar nga thirrjet për sanksione dhe masa më të rrepta nga disa qeveri të Bashkimit Evrpopian. Në një intervistë dhënë televizionit gjerman ARD, Putin u ka bërë thirrje liderëve evropianë të dëshmojnë arsyeshmëri gjatë samitit.
XS
SM
MD
LG