Ndërlidhjet

Bebler: Serbia të pajtohet me realitetin në Kosovë


Anton Bebler
Anton Bebler

“Sintagma 'Kosova është Serbi' është vetëm parullë e propagandës serbe, ndërsa elita politike dhe kulturore serbe duhet të pajtohet me realitetin e shtetit të ri”, thotë Anton Bebler, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Lubjanë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bebler, fillimisht çka mendoni për nismën serbe që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë të deklarohet rreth pavarësisë së Kosovës?

ANTON BEBLER
Kjo është një lëvizje politike e Qeverisë serbe, me të cilën përpiqet që çështjen ta hedhë te një institucion ndërkombëtar. Sigurisht që kjo gjykatë nuk do të marrë vendime, ose të paktën jo së shpejti. Unë mendoj se gjykata do ta shpallë veten jokompetente.

RADIO EVROPA E LIRË
Shtatë muaj pas pavarësisë së Kosovës, sintagma "Kosova është Serbi" edhe më tej mbetet e pranishme në fjalorin politik të Beogradit. Çfarë është komenti juaj?

ANTON BEBLER
Kjo është parullë e propagandës serbe. Është një parullë, të cilën ish-kryeministri e ka përdorur në Kuvendin e Serbisë. Parulla e tillë nuk mban, si nga faktet historike, ashtu edhe nga ato juridike.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një shkrim tuaj keni thënë se nuk qëndrojnë argumentet historike dhe juridike serbe se Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë...

ANTON BEBLER
Po, është e saktë. Unë në këtë tekst i kam theksuar edhe faktet, me të cilat e konfirmoj pohimin tim.

Vetëm në një pjesë të historisë së saj, Kosova ka qenë në kuadër të shtetit mesjetar serb, nga shekulli XIII deri XV, kurse pastaj me dhunë u pushtua nga ushtria serbe në vitin 1912, dhe për 70 apo 80 vjet mbeti në kuadër të Serbisë, fillimisht në Mbretërinë e Serbisë, pastaj në Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, në Republikën Federative Popullore të Jugosllavisë dhe në RSFJ.

Por, këtu përfundon gjithçka që ka të bëjë me përfshirjen e Kosovës në kuadër të shtetit serb. Më duhet të them se në kohën e principatës gjysmë të varur serbe dhe pastaj Mbretërisë serbe, prej vitit 1804 deri 1918, Kosova ka qenë pjesë e Serbisë vetëm dy vjet e gjysmë nga 114 vjetët.

Prandaj ky pohim i Serbisë nga pikëpamja historike, nuk mban. Ai gjithashtu nuk mban as nga aspekti i përbërjes etnike të Kosovës, e cila ndoshta ka pasur shumicë serbe në shekujt XIII deri XV, por dihet mirë se serbët pushuan së qeni shumicë në territorin e sotëm të Kosovës nga fundi i shekullit XVII.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bebler, a pritni që në një të ardhmen e afërt, pushteti i ri në Beograd të ndryshojë diçka në raport me Kosovën?

ANTON BEBLER
Unë supozoj se pushteti serb, respektivisht elita politike dhe kulturore serbe, me kalimin e kohës do të kuptojë se gjërat nuk mund të kthehen aty ku kanë qenë, dhe se rrota e historisë nuk mund të rrotullohet mbrapsht.

Besoj se do të pajtohen me realitetin dhe do të shohin se është në interesin e Serbisë dhe të pakicës serbe në Kosovë që të vendosen marrëdhënie normale ndërmjet Serbisë dhe Kosovës së pavarur.

Kjo do t'i kontribuonte edhe sigurisë në Ballkan, bashkëpunimit dhe formave tjera të zhvillimit, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët pakicën serbe në Kosovë. Si e shihni pozitën e tyre në situatën e re që u krijua me pavarësinë e Kosovës?

ANTON BEBLER
Në një kuptim, pozita e tyre është vështirësuar. Politika, të cilën e zbatoi qeveria e Vojisllav Koshtunicës, me të cilën nxitej pakica serbe në Kosovë që të bëjë një aparteid të përmbysur, d.m.th. të ndahet nga popullata shumicë dhe të jetojë në izolim, çoi drejt disfatës dhe dobësimit të mëtejmë të pakicës serbe në Kosovë.

Nëse do të vazhdonte një politikë e tillë, atëherë ajo me siguri do të çonte në shkrirjen e atyre enklavave me pakicë serbe në pjesën jugore të Ibrit, gjë që do të ishte dëm i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se integrimet evropiane mund t'i pajtojnë dy popujt, të cilët, siç keni thënë, e 'kanë lëshuar rastin historik për marrëveshje'?

ANTON BEBLER
Mendoj se kjo është shpresa e vetme afatgjate, që gjërat të rregullohen, të normalizohen dhe të vendoset bashkëpunimi ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në kuadër të procesit të integrimeve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund, si i shihni marrëdhëniet e ardhshme të Kosovës dhe Serbisë?

ANTON BEBLER
Unë shpresoj se Serbia, elita politike serbe dhe pushteti serb do ta kuptojnë se ku janë interesat racionale dhe nacionale të Republikës së Serbisë, të popullit serb dhe të pakicës serbe në Kosovë.

Unë konsideroj se interesat objektive janë të atilla saqë kërkojnë pranimin sa më të shpejtë të realitetit të ri që është krijuar dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, konsullore, ekonomike, kulturore e të tjera ndërmjet dy shteteve të pavarura.

XS
SM
MD
LG