Ndërlidhjet

Intensifikohen bisedimet për shtrirjen e EULEX-it në veri


Misionit të BE-së për sundim të ligjit dhe polici do t'i rritet stafi për rreth 100 punonjës çdo javë, në mënyrë që të jetë funksional deri në fund të vitit - thonë zyrtarë të EULEX-it. Ndërkaq, gjykatësi gjerman, Klaus Jung, shprehet optimist se Mitrovica e sotme, që, sipas tij, i ngjan Berlinit të së shkuarës, do jetë një qytet i bashkuar.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici do të jetë operacional në tërë territorin e Kosovës. Kështu thonë udhëheqës të këtij misioni, të cilët shprehin bindjen se zbarkimi i plotë i EULEX-it do të përfundojë më së largu deri në fund të këtij viti.

Sidoqoftë, e ardhmja e veprimeve të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të mbetet e paqartë, për shkak të rezistencës së vazhdueshme të banorëve serbë të veriut të Mitrovicës karshi këtij misioni.

Zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, njofton se aktualisht janë duke u zhvilluar bisedime intensive për shtrirjen e EULEX-it në veri, por që fillimi i punëve atje, sipas tij, do të varet nga sinjalet e Beogradit zyrtar.

"Siç e dini, bisedimet po vazhdojnë, ato kanë filluar para dy muajsh dhe ato do të intensifikohen tani, ndërsa ne kemi filluar të ndërtojmë misionin. Bisedimet po zhvillohen ndërmjet Brukselit, Nju Jorkut dhe Beogradit gjatë gjithë kohës, kurse ne po bisedojmë edhe me njerëzit në terren gjithandej Kosovës, duke u shpjeguar atyre çka është EULEX-i, çka është ajo që ne shpresojmë ta arrijmë dhe ne shpresojmë se do të pranohemi nga popullata. Qëllimi ynë është të vendosemi në tërë Kosovën", tha Reeve.

Sinjali nga Beogradi, sipas numrit dy të EULEX-it, do të jetë i nevojshëm për të siguruar se gjatë shtrirjes në veri nuk do të lindin provokime shtesë, të cilat mund të pengonin qëllimin e misionit për të vepruar në atë pjesë.

"Ajo që na duhet neve është sigurimi se asgjë nuk mund të pengojë tentimet tona, se nuk mund të ngritën provokime, të cilat do të shtynin njerëzit që të kundërshtojnë punën tonë. Realiteti është se ne duhet të qartësojmë se çka është ky mision dhe se çka dëshirojmë të arrijmë dhe është fakt se ne do të jemi funksionalë në tërë Kosovën”, shtoi Reeve.

Pjesëtarët e rinj të EULEX-it në Kosovë, pavarësisht informatave dhe qasjeve të ndryshme që kanë për situatën në vend, shprehen të gatshëm t'i marrin mbi vete detyrat që do t'u caktohen. Duke folur për njohuritë që ka për Kosovën si dhe situatën e ndjeshme në veri, gjykatësi gjerman, Klaus Jung, vendi i ri i punës i të cilit do të jetë Gjykata e Qarkut në veri të Mitrovicës, shprehet optimist se Mitrovica e sotme, e cila, sipas tij, i ngjan Berlinit të së shkuarës, do të jetë një qytet i bashkuar.

"Mendoj se në këtë kohë Mitrovica mund të krahasohet me kryeqytetin e Gjermanisë -Berlinin në të kaluarën, por dallimi qëndron në atë se Mitrovicën e ndan një lum, ndërsa Berlinin e ndante një mur. Në Gjermani ne ia kemi dalë dhe kemi krijuar një qytet të madh dhe ashtu do të jetë edhe me Mitrovicën", deklaroi Jung.

Policja irlandeze, Maura O'Sullivan, thotë se është e gatshme të punojë edhe në veri të Kosovës, ambient ky të cilin ajo, përkundër tensioneve të vazhdueshme, mohon ta quajë armiqësor.

"Jo, nuk është një ambient armiqësor për ne. Ne sapo kemi arritur, duhet t'i njohim zonat tona të veprimit për të kuptuar se çfarë duhet të bëjmë këtu", u shpreh ajo.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici aktualisht ka mbi 500 policë, gjyqtarë dhe oficerë doganash në Kosovë, ndërkohë që deri në fazën përfundimtare të zbarkimit të tij të plotë, ky mekanizëm pritet të jetë operacional me rreth 3000 pjesëtarë, prej të cilëve 2000 do të jenë nga vendet e BE-së, ndërsa 1000 të angazhuar si staf lokal.
XS
SM
MD
LG