Ndërlidhjet

Lobimi me kompani s’mund të ketë sukses


Flamuri i Kosovës
Flamuri i Kosovës

Në mungesë të rezultateve për njohje më të shpejta të Kosovës nga vendet e ndryshme të botës, Qeveria e Kosovës ka menduar të ndërrojë mënyrën e lobimit, me anë të një kompanie apo agjencie ndërkombëtare. Opozita nuk konsideron se do të ketë shumë sukses një nismë e tillë.

Lobimi për njohje të reja të shtetit të Kosovës do të duhej të ishte çështja kryesore për të cilën institucionet e Kosovës duhet të angazhohen më shumë. Kështu thonë përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë, pasi që përfaqësues nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se janë në kërkim të një logjike tjetër veç asaj institucionale.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pohon se ndërrimi i qasjes së Qeverisë për një diplomaci tjetër, me anë të një agjencie ose kompanie, siç është thënë, nuk do të këtë sukses.

"Përsëri qeveria po gabon, sepse po niset nga interesimi për një kompani, e cila do të angazhohej në këtë drejtim. Ne mendojmë që do të duhej të formohej një këshill kombëtar, ose si mund të quhet nga figurat e potencialit të brendshëm, po ashtu edhe nga miqtë tanë, të cilët kanë ndihmuar në pavarësimin e Kosovës", thotë Isufi.

Nga ana tjetër, Ibrahim Gashi, nënkryetar i AKR-së, këtë çështje e sheh si një prej mundësive që mund t'i kontribuojë Kosovës për njohje të reja.

"E para është mirë që qeveria ka filluar në njëfarë mënyre seriozisht të kuptojë se vërejtjet e opozitës lidhur me çështjen e lobimit, kanë qenë të arsyeshme, kanë qenë të motivuara nga shqetësimet e përgjithshme, se nuk po ecën mirë kjo çështje dhe jo për të fituar poena partiake politike. Iniciativa për të lobuar me anë të kompanive lobuese është diçka që ne e kemi thënë, se është një prej mundësive që mund t'i kontribuojë lobimit", tha Gashi.

Për zotin Ahmeti, ideja e re e qeverisë për të lobuar për njohje të reja me anë të një kompanie ndërkombëtare, është vetëm një përpjekje për të ndryshuar veprimin, e cila, sipas tij, nuk do të ketë sukses.

"Konsiderojmë se kjo është vetëm një përpjekje për të ndryshuar veprimin, por nuk do të mund të arrijë qëllimin e duhur, sepse kjo qeveri ka funksionuar në kuptimin e mbledhjes së të gjitha potencialeve që i ka Kosova, për të deleguar njerëz në shtetet që hezitojnë ose nuk e pranojnë Kosovën", u shpreh Isufi.

Nga ana tjetër, Ibrahim Gashi, nga Aleanca Kosova e Re, nismën e Qeverisë së Kosovës e sheh si një nismë të mirë, por jo si më kryesoren.

"Kjo është një prej formave të mundshme që mund ta ndihmojnë lobimin, e assesi forma kryesore. Natyrisht, mendoj që duhet të aktivizohen mekanizmat e tjerë, diplomacia parlamentare, diplomacia publike, diplomacia e vendeve mike, diplomacia përmes personaliteteve të vendeve me influencë, të vendet që janë mike të Kosovës", thotë Gashi.

Nisma e qeverisë për të angazhuar ndonjë kompani për lobim, sipas vëzhguesve, do të minojë rolin e institucioneve shtetërore të Kosovës. Ndërsa, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës këtë nismë e kanë arsyetuar duke thënë se nuk është e mjaftueshme që të lobohet vetëm nëpërmjet aktiviteteve të MPJ-së.
XS
SM
MD
LG