Ndërlidhjet

Trashëgimia fetare serbe pa Kishën Ortodokse Serbe?


Kisha e Shën Dhimitrit
Kisha e Shën Dhimitrit

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë mohon të ketë dialog zyrtar me autoritetet fetare e politike serbe lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe. Zyrtarë të këtij misioni thonë se do të vazhdojnë punën edhe pa bashkëpunimin e Beogradit.

Autoritetet fetare të Serbisë duket se nuk kanë treguar gatishmëri për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës si dhe Zyrën Civilë Ndërkombëtare në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare serbe që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Kisha Ortodokse Serbe, ndonëse ka pranuar pjesë të planit të presidentit Ahtisaari, të cilat flasin për të drejtat që do të gëzojë ky institucion në Kosovë, akoma nuk ka pranuar një dialog zyrtar me misionin e Bashkimit Evropian në vend.

Gjatë një konference në Cagllavicë, ku në qendër të debatit ishte mbrojta e trashëgimisë kulturore e fetare, shefi i njësitit për komunitete në Zyrën Civile Ndërkombëtare, Raphael Naegeli, tha se çdo lloj bashkëpunimi me autoritetet serbe është i mirëpritur, por se puna do të vazhdojë edhe pa praninë e tyre.

"Ne përpiqemi që t'i bindim në bazë të rezultateve. Ne i implementojmë të gjitha obligimet në shërbim të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare. Shumica prej tyre i takojnë Kishës Ortodokse Serbe, pra ne përpiqemi të punojmë së bashku me partnerët tanë - me Qeverinë e Kosovës, për t'i implemetuar mekanizmat mbrojtës. Përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë të mirëseardhur të na bashkëngjiten dhe të diskutojmë, por përderisa nuk ka dialog zyrtar, ne do të vazhdojmë pa ta", tha Naegeli.

Serbët e Kosovës vazhdojnë të kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës si dhe planin Ahtisaari, mbi të cilin bazohet pavarësia e Kosovës. Ky dokument në aneksin numër 5 precizon në 6 nenet e para të drejtat e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.

Sidoqoftë, Naegeli nënvizon se lidhur me trashëgiminë fetare serbe ishte arritur një pajtim gjatë negociatave Prishtinë-Beograd dhe se tani u është lënë autoriteteve të Beogradit të vendosin se a duan të jenë apo jo pjesëmarrës në zbatimin e këtij plani.

"Një gjë është e rëndësishme. Ka pasur mosmarrëveshje sa i përket marrëveshjes për statusin e Kosovës, disa njerëz nuk e pranojnë atë dhe thonë se ai dokument nuk është i ligjshëm. Në anën tjetër, artikulli mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është zhvilluar në bashkëpunim me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe. Që të dy, edhe peshkopi Artemije, si dhe peshkopi Teodosije, kanë marrë pjesë në këto negociata, si dhe përfaqësues të Beogradit dhe ka pasur konsensus mbi këtë artikull të pakos së Ahtisaarit", tha Naegeli.

Lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Kosovë, Qeveria e Kosovës thotë se deri më tani ka investuar rreth 6 milionë euro. Përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës, Lirije Kajtazi, thotë se me këto të holla, ministria ka arritur të përfundojë rreth 80% të punëve në restaurimin e monumenteve kulturore e fetare.

"Në ato punë të precizuara në këtë kohë për rindërtim të kishave, ne kemi kryer 80% të punëve që i takojnë rikonstruktimit të kishave, ndërkohë që kujdesi për trashëgimi kulturore është permanent", thotë Kajtazi.

Duke folur për ruajtjen e monumenteve fetare serbe në zona të veçanta, të cilat aktualisht kontrollohen nga mekanizmat ndërkombëtarë, Kajtazi thotë se Policia e Kosovës do të marrë përsipër këtë obligim në bazë të ligjit për trashëgiminë kulturore. Ajo nuk e vlerëson si shqetësues mohimin e serbëve ndaj institucioneve kosovare, por shpreh bindjen se autoritetet serbe do të pranojnë së shpejti Kushtetutën e Kosovës, e cila, sipas saj, atyre u garanton liritë fetare.

"Kushtetuta e Kosovës garanton liritë fetare dhe si e tillë është e pranueshme për secilin qytetar që jeton këtu dhe është e mirëseardhur si e tillë kur garanton lirinë elementare për secilin", shprehet Kajtazi.

Plani i presidentit Ahtisaari parasheh që për rreth 44 kisha e manastire serbe të krijohen zona mbrojtëse, të cilat fillimisht do të kontrollohen nga trupat e KFOR-it, e pastaj dhe nga Policia e Kosovës dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe polici, mekanizma këta të cilët nuk pranohen nga serbët e vendit.

Në këtë plan parashihet që 120 ditë pas hyrjes në fuqi të dokumentit, Serbia t'i kthejë Kosovës artefaktet arkeologjike dhe etnologjike, të cilat janë marrë nga muzetë e Kosovës gjatë viteve 1998-1999. Lidhur me këtë, përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë thonë se ka progres, por nuk japin detaje rreth numrit të artefakteve të kthyera.
XS
SM
MD
LG