Ndërlidhjet

Drescher: Ne jemi ato që i sjellim njerëzimit jetën


Fran Drescher
Fran Drescher

Aktorja e famshme amerikane, e cila ka mundur kancerin e gjirit, Fran Drescher, po qëndron në Kosovë në kuadër të një turneu për vetëdijesimin e grave për efektet e kësaj sëmundjeje. Ajo u bën thirrje femrave kosovare që të ngrenë zërin e tyre për të drejtat që kanë.

E dërguara e Departamentit të Shtetit për çështjet e shëndetit të grave dhe njëkohësisht aktorja e famshme, Fran Drescher, po qëndron në një vizitë në Kosovë.

Në kuadër të turneut të organizatës "Cancer Schmancer", të cilën ajo udhëheq që nga koha kur kishte mundur sëmundjen e kancerit të gjirit në vitin 2000, Drescher erdhi në Prishtinë me një mesazh të qartë për të gjitha femrat kosovare:

"Ne jemi ato që mund të ndryshojmë gjithçka që ka të bëjë me rolin e femrës në shoqëri”, u tha ajo një grupi të grave deputete të Kuvendit të Kosovës.

"Ky është një shtet i ri, është një shekull i ri dhe është një agim i ri. Ne duhet të ngremë zërin dhe të vendosim se si duam ta kemi këtë shekull. Ne jemi ato që i sjellim njerëzimit jetën dhe mendoj se ne mund të largojmë paradigmën negative gjithkund", tha ajo.

Aktorja, e cila filloi karrierën e saj në filmin "Saturday Night Fever" dhe që më pas u bë e njohur me komedinë "The Nanny", foli për kohën në të cilën u ballafaqua me kancerin, për sfidat e saj në luftën kundër kësaj sëmundjeje, si dhe për përvojën e saj gjatë mjekimit të kancerit. Ajo theksoi nevojën e mbështetjes ligjore dhe financiare për femrat e prekura nga kanceri.

"Ne investojmë aq shumë para në sistemin juridik, në sundimin e ligjit dhe në ndalimin e krimit, sepse kriminelët ndonëse janë minoritet në shumicën e shoqërive, kanë ndikim mbi të gjithë. Pra, qeveritë mendojnë se ia vlen të shpenzojnë shuma të caktuara parash në këtë drejtim”.


“Në vendin tim të gjitha krimet kryhen nga 7 për qind të popullatës, ndërsa 93 për qind nga ne i bindemi ligjit. Por, me miliarda dollarë shkojnë në ndalimin e këtij 7 përqindëshi. Po e përdor këtë krahasim, sepse ndikimi i grave që vdesin në shtëpi në shoqëritë tona duhet të përputhet me vlerën e parave që investohen për të parandaluar këtë", tha aktorja Drescher.

Drescher njoftoi se turneun e saj do ta vazhdojë edhe nëpër disa vende të tjera, në mënyrë që t'i kontribuojë vetëdijesimit të grave për efektet e kancerit. Ajo propozoi organizimin e një fushate për vetëdijesimin dhe edukimin e qytetarëve për këtë sëmundje - fushatë në të cilën, sipas saj, do të mund të përfshiheshin dhe fytyra të njohura kosovare.

"Mendoj se mund të organizohet një fushatë që do të përfshinte televizionet, shtypin dhe radion, si dhe fytyrat e njohura në Kosovë, të cilat mund t'i kontribuonin një fushate për vetëdijesimin dhe edukimin e qytetarëve", theksoi ajo.

Në tërë botën, çdo vit zbulohen më shumë se 1 milion raste të reja të kancerit të gjirit. Nga kjo sëmundje çdo vit vdesin mbi 400 mijë femra.

Ndërkohë, shëndetësia kosovare aktualisht po ballafaqohet me një varg problemesh që kanë të bëjnë me mungesë të barërave, mungesë të instrumenteve adekuate për diagnostifikimin e kancerit të gjirit, si dhe probleme të tjera, të cilat vështirësojnë shërimin e kësaj sëmundjeje në vend.
XS
SM
MD
LG