Ndërlidhjet

Punëtorët shëndetësorë në grevë


Mjekët në Kosovë kanë filluar një grevë të përgjithshme, gjatë së cilës do të trajtohen vetëm rastet emergjente. Sipas Federatës Sindikale të Shëndetësisë, greva, që po mbahet në të gjitha qendrat spitalore, do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave.

Kushtet e vështira të punës, mungesa e mjeteve esenciale, si dhe pagat e ulëta, janë motivet që kanë shtyrë Federatën Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës që të fillojë sot një grevë të përgjithshme në të gjitha qendrat spitalore të Kosovës.

Jahir Mulolli, nënkryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thotë se protesta ka filluar në mëngjesin e sotëm dhe, sipas tij, ajo nuk do të ndalet deri në realizimin e kërkesave.

"Kërkesat janë: rritja e pagave për 50 për qind dhe kthimi në procedurë i miratimit të Ligjit të punës, Ligjit të sigurimeve shëndetësore, Ligjit për grevën, Ligjit të organizimit sindikal dhe Ligjit të pagave. Deri më tani kemi informata se nuk ka asnjë problem dhe se çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimit të grevës. Ende nuk kemi asnjë ankesë që diku ka pasur pengesa",
tha Mulolli.

Qeveria e Kosovës, në fund të javës së kaluar, u ka ofruar sindikalistëve shëndetësorë një ofertë për rritje të pagave për 18 për qind ose 44 euro në muaj. Skënder Berisha, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, thotë se buxheti i Kosovës lejon një shumë të tillë dhe, sipas tij, tash për tash nuk mund të bëhet më shumë.

"Neve na vjen keq që ka ardhur deri të greva, por opinioni është në dijeni se ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Alush Gashi, ka nënshkruar një vendim që prej 1 tetorit 2008, të këtë një rritje prej 44 eurosh për të gjithë punëtoret shëndetësorë, primarë, sekondarë dhe terciarë”, tha Berisha.

Por, Federata Sindikale e Shëndetësisë e ka konsideruar të pamjaftueshme ofertën që ka marrë nga qeveria, pasi, sipas tyre, kjo ofertë është afatshkurtër .

"Po, është një ofertë që e ka dhënë qeveria, por Kryesia Federale e Sindikatës të Shëndetësisë e ka vlerësuar si ofertë jo të mjaftueshme dhe jo e garantuar, që ajo sasi dhe premtimet që janë dhënë nuk garantojnë për vitin 2009", theksoi Mulolli.

Zoti Berisha, nga Ministria e Shëndetësisë, thotë se për vitin 2009 është paraparë rritje e buxhetit për shëndetësinë prej 6.9 milionë eurosh.

"Rritja për vitin 2009 do të arrijë lartësinë prej 6.9 milionë eurosh. Besoj që Federata Sindikale dhe qytetarët janë në dijeni se nuk është çështje e vullnetit për ngritje pagash, por është çështje mundësie, jo vetëm e Ministrisë së Shëndetësisë, por, në rend të parë, edhe vetë buxhetit të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës",
tha Berisha.

Sidoqoftë, zoti Mulolli thotë se pavarësisht grevës që është duke u mbajtur, rastet emergjente do të trajtohen.

"Të gjitha rastet emergjente do të trajtohen si raste emergjente, kurse do të presin rastet e ftohta. Rastet e planifikuara do të riplanifikohen pas grevës", tha Mulolli.

Sistemi shëndetësor në Kosovë, që pas përfundimit të luftës, është duke u ballafaquar me probleme, të cilat kanë vështirësuar punën e kuadrove mjekësore në institucionet përkatëse. Punëtorët shëndetësorë, disa herë, në forma të ndryshme, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, por, deri më tani, asnjëherë nuk janë realizuar të gjitha kërkesat e tyre.
XS
SM
MD
LG