Ndërlidhjet

Kosova mbrohet në GJND me fakte historike e politike


Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë
Selia e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Ekspertët ligjorë në Prishtinë thonë se ekzistojnë shumë fakte historike, juridike dhe politike, me të cilat Kosova do të dëshmojë ligjshmërinë e pavarësisë së saj në Gjykatën e Hagës.


Ekspertët ligjorë thonë se Kosova ka shumë fakte dhe argumente, me të cilat do të dalë fitimtare në mbrojtjen e pavarësisë së saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Eksperti Avdullah Robaj pohon se në këtë rast Kosova duhet të shfrytëzojë të gjitha faktet, si ato politike, historike dhe juridike.

"Vetëm po përmend disa nga shumë faktet që Kosova i ka; fillimisht aspekti historik që nga viti 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, pastaj Konferenca e Paqes në Paris 1919, Konferenca e Bujanit, kur Kosova e gëzonte të drejtën që t'i bashkohej Shqipërisë. Të gjitha këto deri te Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, janë fakte historike për deklarimin politik të popullit të Kosovës. Pra, këto janë fakte që nuk mund të mohohen", tha Robaj.

Eksperti Robaj thotë se veç argumenteve të historisë, Kosova duhet patjetër të përdorë si argument edhe parimin e së drejtës për vetëvendosje.

"Kur ia shtojmë edhe aspektin tjetër të luftës së fundit të UÇK-së dhe të popullit të Kosovës, me asnjë element Serbia nuk ka të drejtë. Duke pasur parasysh tash edhe ekspertin Michael Wood, e besoj që edhe ekspertë të tjerë do të rreshtohen, konsideroj se Serbia do të marrë goditje. Mendoj se ka mjaft fakte e prova dhe duhet të parashtrohen në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë", tha Robaj.

Nga ana tjetër, edhe juristi Riza Smaka konsideron se përfaqësuesit e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë duhet t'i përmendin të gjitha faktet historike të Kosovës, për të dëshmuar, siç tha ai, se pavarësinë kosovarët e kanë merituar edhe më herët.

"Politika shtetërore anti-civilizuese, anti-shqiptare, masakrimet që i kanë bërë, krimet e luftës që i kanë bërë serbët në popullin shqiptar dhe rreth Kosovës - do të duhej të ishin në sfond. Më pastaj, me doemos lufta e popullit shqiptar kundër okupatorit serb, e cila asnjëherë nuk ka pushuar; veçanërisht nis nga Jugosllavia e dytë, Deklarata Kushtetuese, më pastaj aprovomini i Kushtetutës së Republikës së Kosovës në Kaçanik, referendumi, lufta e armatosur - të gjitha këto janë relevante",
tha Smaka.

Ai mendon se krahas argumenteve juridike dhe atyre politike, ato historike janë shumë të rëndësishme.

"Këto janë fakte që tregojnë se Serbia është e diskualifikuar dhe e diskredituar, edhe sikundër ta kishte pasur Kosovën pjesë të territorit të vet. Serbia thirret në komponentin historik, pa të drejtë, sepse ilirët me mijëra vjet e kanë mbajtur Kosovën, më pastaj romakët mbi një mijë vjet, serbët 2 shekuj, turqit pesë shekuj, që do të thotë se sipas dimensionit historik, këta kanë më së paku të drejtë”,
tha Smaka.

Ndryshe, Kosova ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë që të ketë status të barabartë me Serbinë, para se ajo të vendosë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG