Ndërlidhjet

Walker: Mohimi i krimit


William Walker
William Walker

"Në përpjekjet për të mohuar pavarësinë e Kosovës, ekziston një tendencë për një konspiracion të madh, sipas të cilit Walker, CIA, ose BE-ja ishin në mision për të shkatërruar Serbinë dhe serbët", thotë për radion Evropa e Lirë, ambasadori amerikan William Walker.

Në Helsinki, këto ditë, është botuar biografia e ekspertes mjekoligjore nga Finlanda, Helena Ranta, e cila kishte hetuar masakrën në Reçak në janarin e vitit 1999. Autori i këtij libri, Kaiues Niemi, apostrofon fjalët e Helena Rantës, sipas së cilës, ish-shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, gjoja kishte bërë presion mbi të.

E kontaktuar nga radio Evropa e Lirë, Helena Ranta thotë se kurrë nuk ka qenë viktimë e asnjë presioni ose manipulimi, ndonëse përpjekje të tilla ka pasur.

"Isha vënë në situatë shumë të pakëndshme, sepse detyra jonë ishte të bëjmë autopsinë. Shpjegova se në konferencën për shtyp do të bëj të ditur gjetjet e ekipit tim, por pa hyrë në kategorizimin e rastit në Reçak. Para përfundimit të konferencës kam përdorur terminin ‘krim kundër njerëzimit’ në aspektin moral dhe jo juridik (gjyqësor). Pse? Sepse unë nuk isha prokurore. Supozoj se zoti Walker kishte pritur të mbështetja interpretimin e tij. Ai kishte vendosur të përdorte temin masakër dhe si fajtor të shënjestrojë serbët. Ky ishte interpretimi i tij, por unë si mjekoligjore nuk jam pajtuar me vendimin e tij”, thotë Helena Ranta.

Në biografinë e botuar para disa ditëve shkruan se gjatë takimit me ju, zoti Walker ishte shumë i zemëruar që nuk kishit pranuar sugjerimet e tij, pyesim në vazhdim zonjën Ranta.

"Ai është diplomat. Nuk e di nëse ishte i zemëruar, por nuk ishte i kënaqur me mua. Në një çast më pyeti se përse kisha ardhur fare në Kosovë. Por, unë mbeta pranë qëndrimit se do ta them vetëm atë që jam e obliguar si udhëheqëse e ekipit mjekoligjor të Bashkimit Evropian. Në ato çaste ne dispononim vetëm rezultatet e autopsisë dhe jo informacione tjera për atë që kishte ndodhur në Reçak", thotë Helena Ranta.

I kontaktuar nga radio Evropa e Lirë për të komentuar pohimet e Helena Rantës dhe të biografit të saj, diplomati amerikan, William Walker, thotë:

"Para konferencës për shtyp, ambasadori finlandez më kishte thënë se të gjitha konstatimet e saj si mjekoligjore përputheshin me qëndrimet e mia – se viktimat ishin nga Reçaku, se ishin vrarë dhe se kjo ishte një masakër. Por, vetëm disa minuta më vonë, kur konferenca me gazetarët kishte filluar, ajo ishte shumë e frustruar. Në të gjitha pyetjet e gazetarëve, ajo përgjigjej kështu: 'kjo është punë e prokurorisë', 'unë jam mjekoligjore' dhe ishte shumë e shqetësuar. Pas kësaj konference, nuk kemi biseduar", thotë ambasadori William Walker.

Si e shpjegoni faktin që gati 10 vjet pas krimit në Reçak, tash në skenë del ky rrëfim, pyesim në vazhdim zotin Walker...

"Duket se në Serbi disa vazhdojnë të mohojnë atë që ka ndodhur në Kosovë. Në përpjekjet për të mohuar pavarësinë e Kosovës, ekziston një tendencë për një konspiracion të madh, sipas të cilit, Walker, CIA ose Bashkimi Evropian ishin në mision për të shkatërruar Serbinë dhe serbët. Unë kam qenë me mision edhe në Sllavoninë Lindore (Kroaci) dhe atje kam pasur detyrë për të mbrojtur serbët dhe besoj se atë punë e kam bërë me sukses. Në Beograd ka shumë njerëz që dëshirojnë të bindin veten dhe të tjerët se serbët nuk kanë bërë krime. Por, ata që duan të vërtetën në rastin e Reçakut, kanë ardhur te konkludimet e mia – se forcat serbe kanë hyrë në Reçak, kanë zënë burra dhe fëmijë dhe i kanë vrarë", konkludon ambasadori Walker.
XS
SM
MD
LG