Ndërlidhjet

Në rritje numri i përdoruesve të drogës


Përfaqësues të organizatave joqeveritare në Kosovë tërheqin vëmendjen e rritjes së numrit të përdoruesve të narkotikëve, gjë që, sipas tyre, krijon një gjendje alarmante. Ndërkaq, përfaqësues të institucioneve gjyqësore mohojnë një gjë të tillë, duke thënë se është e tepërt të flitet për gjendje alarmante në këtë drejtim.


Përvojat e këqija dhe të hidhura që 30 vjeçari Eroll Shporta ka pasur me përdorimin e substancave narkotike, shtyjnë atë që t’i drejtohet masës më të gjerë të njerëzve, duke i këshilluar ata të mos mendojnë fare të hyjnë në rrethin vicioz të drogave.

Eroll Shporta, i cili për 10 vjet ishte viktimë e substancave narkotike, është penduar për gjërat me të cilat është marrë dhe thekson se personave që tashmë janë të varur nga këto substanca, duhet t'u mundësohet një shërim. Vullneti për t'iu shmangur dukurive të tilla, sipas tij, nuk është i mjaftueshëm po qe se mungon mbështetja institucionale.

“Atyre që mendojnë për ta përdorur drogën, u kisha thënë se nuk ia vlen. Duke filluar nga përvojat e mia personale që kam pasur, dhjetë vjet, prej moshës 17 deri në 27 vjeç, nuk ia vlen të hyhet në ato gjëra. Ndërsa, atyre personave, që janë të varur nga ajo, dua t’u them se ka shërim për ta, por nevojitet vullneti i tyre i madh, motivi, e gjithsesi që duhet edhe ndihma institucionale”, thotë Shporta.

Sido që të jetë, numri i përdoruesve të substancave narkotike në Kosovë, sipas organizatave joqeveritare, është në rritje. Miftar Bytyqi, nga OJQ ‘Fëmijët Kosovarë dhe Evropianë’, që merret me edukimin dhe parandalimin e përdorimit të substancave narkotike, thotë se gjendja në Kosovë është alarmante.

“Gjendja është shqetësuese, ku numri i përdoruesve është 6 mijë deri në 10 mijë. Ne jemi duke vetëdijesuar të rinjtë për pasojat e përdorimit të drogave nëpër shkolla. Me të vërtetë është një gjendje kaotike. Këtu po flitet vetëm për problemin e problemi ekziston. Ne duhet të fokusohemi më shumë për strategji përkatëse, për parandalimin e trafikimit të drogës. Siç dihet, Kosova është një prej vendeve tranzite", tha Bytyqi.

Kjo gjë hidhet poshtë nga Hilmi Zhitia, kryeprokuror i Kosovës, i cili nuk mendon që në Kosovë ekziston një gjendje alarmante sa i përket abuzimit me substanca narkotike. Sidoqoftë, ai konsideron se institucionet përgjegjëse në këtë drejtim duhet të angazhohen, në mënyrë që numri i personave që merren me dukuri të tilla, të jetë sa më i vogël.

“Ne nuk jemi akoma në gjendje që të themi alarmante. Por, që po ecim në atë drejtim, sigurisht po. Unë mendoj se shifrat që i kemi sot për trajtimin e këtij problemi, mbi 335 persona të akuzuar dhe të gjykuar me gjykime të plotfuqishme, se prej vitit në vit e kemi në rritje ketë formë të kriminalitetit, nuk është vetëm çështje e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, por e të gjitha segmenteve të tjera që merren me edukimin dhe parandalimin e kësaj dukurie",
tha zoti Zhitia.

Duke u bazuar në statistikat e fundit që flasin për përdorimin e narkotikëve, psikologu Aliriza Arënliu thotë se nuk ka shenja të zvogëlimit të trendit të përdorimit të këtyre substancave.

“Nëse bazohemi në disa statistika të numrit të personave që trajtohen në shërbime shëndetësore, nëse bazohemi edhe në statistika të Policisë së Kosovës, ekziston një trend i rritjes në këtë drejtim. Padyshim se ekziston një trend i rritjes. Ajo që është brengosëse, është çështja e rritjes, mirëpo edhe substrati momentalisht socio-ekonomik, edukativ, nuk është që po na jep ndonjë indikacion që kjo do të bie", tha psikologu Arënliu.

Po ashtu, edhe qytetarët mendojnë se numri i përdoruesve të narkotikëve është në rritje.

Arben Pireva thotë:

"Mendoj se numri i atyre që përdorin substanca narkotike, është në rritje".

Kurse, Gresa Kurti shprehet:

“Duke marrë parasysh atë që flitet në opinion, po ashtu edhe atë çka flasin nxënësit në shkolla, thuhet se numri i përdoruesve të drogës nga viti në vit është nën rritje. Po ashtu, edhe statistikat e fundit të Policisë së Kosovës flasin për një numër të rritur, gjë që është shqetësuese për mbarë popullin kosovar".

Ministria e Punëve të Brendshme është duke hartuar një strategji kundër narkotikëve në dy fusha kryesore - reduktimin e ofertës përmes luftës së trafikut të drogave dhe reduktimin e kërkesës përmes parandalimit, edukimit dhe trajtimit të konsumuesve të substancave narkotike.
XS
SM
MD
LG