Ndërlidhjet

Serbët (s’) marrin pjesë në regjistrim


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Zyrtarë të Ministrisë së Shërbimeve Publike thonë se në fazën e fundit të regjistrimit provues të popullsisë po marrin pjesë edhe serbët. Vetë serbët shprehen kundër pjesëmarrjes pa marrëveshje me Beogradin.



Në fazën e fundit të regjistrimit provues të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, po marrin pjesë edhe përfaqësues të komunitetit serb. Kështu bëjnë të ditur përfaqësues të institucioneve kosovare. Ministri i Shërbimeve Publike, Arsim Bajrami, thotë se vetë përfaqësuesit e komunitetit serb janë anëtarë të zbatimit të projektit.

"Në procesin e regjistrimit provues janë përfshirë edhe serbët, qoftë në komisione regjistruese, qoftë duke u marrë drejtpërdrejt me regjistrimin e popullsisë, dhe të dhënat e para tregojnë për një pjesëmarrje të gatshme të komunitetit serb. Ne po shpresojmë që në ditët në vijim, kjo pjesëmarrje do të rritet”.

“Në vitin 2009, do të fillojmë me një fushatë sensibilizuese për t'i bindur serbët lokalë që ta pranojnë regjistrimin si një mundësi të mirë edhe për ta - një projekt që nuk ka të bëjë shumë me pavarësinë e Kosovës dhe statusin final, por si një domosdoshmëri e kohës për të planifikuar zhvillimin ekonomik", tha Bajrami.

Megjithatë, ministri Bajrami pohon se mbarëvajtja e testit provues do të përfundojë me kohë edhe në vendet e banuara me serbë të Kosovës, nëse Beogradi zyrtar nuk bën presion tek ata.

"Jemi të sigurt se do të këtë pjesëmarrje të serbëve dhe koshienca e serbëve gjithnjë është në rritje. Shpresojmë që Beogradi nuk do të bëjë obstruksionin e këtij procesi", tha ministri Bajrami.

Edhe Avni Kastrati, drejtor i Entit Statistikor të Kosovës, thotë se faza e fundit testuese për regjistrimin e popullsisë po realizohet me sukses edhe në vendet e banuara me komunitete.

"Është çështja e tyre e mendimit nëse duhet të participojnë apo jo. Sa i përket ESK-së, për ne është me rendësi që t'i përgatisim të gjitha instrumentet që kërkojnë standardet ndërkombëtare për pakica. Pjesëmarrja e serbëve do të ishte e rëndësishme në këtë rast”.

“Serbët të participojnë në regjistrimin e popullsisë, se njëkohësisht këto të dhëna do t'i shërbejnë edhe të gjitha komuniteteve. Unë besoj se participimi i serbëve do të jetë në nivel të kënaqur", tha Kastrati.

Ndryshe, Dragan Veliq, kryetar ekzekutiv i Këshillit Nacional Serb, thotë se duke pasur parasysh serbët që janë zhvendosur dhe, siç tha ai, të përndjekur nga Kosova dhe njëkohësisht edhe standardet ndërkombëtare që duhet të përmbushen për regjistrimin e një popullsie, komuniteti serb do të mund të përfshihej në një proces të këtillë vetëm me një marrëveshje me Republikën e Serbisë.

“Vetëm atëherë do të mund të mendohej dhe të flitet për regjistrimin e popullsisë”, thotë Veliq, duke u thirrur edhe në dimensionin politik të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Prandaj, banorët serbë në këtë lloj regjistrimi nuk do të përfshihen me siguri pa u zgjidhur problemet e tyre”, thotë Veliq.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Ministrisë së Shërbimeve Publike kanë thënë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, janë duke bërë gjithçka që është mundur që edhe ata pak serbë, të cilët nuk dëshirojnë të marrin pjesë në regjistrim, të binden për pjesëmarrje.

Regjistrimi testues është duke u mbajtur në Komunën e Prizrenit, në atë të Dragashit, Vushtrrisë, në Komunën e Prishtinës, Lipjanit, si dhe në komunën e re - atë të Mamushës.

Sido që të jetë, sipas Komisionit Qendror Republikan për regjistrimin e popullsisë, ky proces do të mbahet në fund të prillit apo në fillim të qershorit të vitit 2009.
XS
SM
MD
LG