Ndërlidhjet

Liderë botërorë urojnë Obamën


Barack Obama dhe Joe Biden pas fitores.
Barack Obama dhe Joe Biden pas fitores.

Liderët botërorë i kanë uruar fitoren senatorit Barack Obama si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara. Në urimin e tyre, shumica shprehin dëshirën për bashkëpunim me administratën Obama.

Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, e mirëpriti fitoren e Obamës dhe bëri thirrje për një "marrëveshje të re për botën e re", të kapluar nga kriza financiare.

"Kjo është një pikë kthese për SHBA-të. Mund të jetë pikë kthese edhe për botën", tha Barroso.

"Në kohën kur të gjithë përballemi me sfida të mëdha, zgjedhja juaj i rrit shpresat në Francë, Evropë dhe gjetkë në botë", tha presidenti Nicolas Sarkozy.

Në Londër, kryeministri Gordon Brown uroi Obamën për "politikat e tij energjike, vlerat progresive dhe vizionin e tij për të ardhmen".

"Ky është një moment, që do të jetojë në histori, derisa librat e historisë të shkruhen", tha Brown.

Presidenti rus, Dmitry Medvedev, i ka dërguar një telegram urimi, duke i thënë Obamës se shpreson se do zhvillohet "një dialog konstruktiv me liderin e ri amerikan".

Presidenti kinez, Hu Jintao, tha se shpreson që lidhjet bilaterale të ngritën në një nivel të ri.

Shefi i diplomacisë evropiane, Javier Solana, ka thënë se BE-ja është e gatshme të punojë bashkë me liderin e ri amerikan.

"Botës sot i duhet ndryshimi. Ka shumë probleme në tavolinë dhe shpresojmë se do të punojmë së bashku, për t'i zgjidhur problemet së bashku," tha Solana.

Kryeminsitri i Australisë, Kevin Rud, tha se mesazhi i Obamës për shpresën, nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e Amerikës, por edhe me atë botërore.

"Fitorja historike e Obamës në këto zgjedhje ka inspiruar një komb përmes mesazhit të tij të shpresës", ka thënë Rud.

Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, ka thënë se Obama është premtues dhe përfaqëson ndryshimin", tha Peres.

Shpresën për ndryshime e ka shprehur edhe lideri i Ligës Arabe, Amr Moussa.

"Të gjithë duam ndryshimet dhe është kjo që presim nga lideri i ri i SHBA-ve. Duam ndryshime të qasjes amerikane ndaj situatës në rajon", tha Moussa.

"Zgjedhja juaj mban me vete shpresat e miliona njerëzve në Afrikë", tha presidenti i Afrikës së Jugut, Motlanthe.

Ministri i Jashtëm iranian ka përshkruar zgjedhjen e Barack Obamës si një votë për ndryshime. Manucher Mottaki është cituar të ketë thënë se
fitorja e Obamës tregoi se amerikanët duan ndryshime thelbësore në politikën e brendshme dhe të jashtme.

Zgjedhja e Obamës e ka çuar Amerikën dhe globin "në një epokë ku raca, ngjyra dhe etnia, shpresoj të zhduken edhe në pjesët tjera të botës", tha presidenti i Afganistanit, Hamid Kharzai.

Kryeministri i Japonisë, Aso, u zotua të bashkëpunojë me liderin e ri të SHBA-ve për ta forcuar aleancën japonezo-amerikane.

Ministri i Jashtëm i Irakut, Hoshya Zebari, tha se Bagdadi e konsideron fitoren e Obamës mundësi për të vënë themelet e një "partneriteti të suksesshëm midis dy vendeve".

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, i bëri thirrje Obamës që t'i përshpejtojë përpjekjet për të arritur marrëveshje paqësore izraelito-palestineze.

Vëllai nga babai i Barack Obamës, në Kenia, Sadik Obama, ka thënë:

"Jemi shumë të lumtur. Siç e shihni, secili është i kënaqur, është lajm i madh", tha Sadik Obama.
XS
SM
MD
LG