John McCain ka qenë një aleat i vendosur i Gjeorgjisë gjatë luftës së saj me Rusinë. Ndihmësit e tij kanë njoftuar se ai ka folur me Mikheil Sakashvilin çdo ditë gjatë konfliktit.
McCain ka qenë një avokat i anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO dhe një kritik i pamposhtur i Kremlinit. Ai ka argumentuar se Rusia duhet të largohet nga grupi i tetë vendeve më të industrializuara dhe madje ka thënë se planet amerikane për sistemin kundërthënës të mbrojtjes raketore ofrojnë mbrojtje jo vetëm ndaj shteteve si Irani dhe Koreja Veriore, por edhe nga Rusia.
Kështu që është lehtë të kuptohet se pse gjeorgjianët janë zhgënjyer këtë javë me humbjen e McCainit kundrejt Obamës.
"Unë kam qenë për McCainin, sepse ai ka favorizuar poltikë më rigoroze ndaj Rusisë", thotë një banor i Tbilisit.
"Unë kam qenë i sigurt se McCain do të fitojë dhe e kam mbështetur atë. Ai ka qenë shumë i fortë në raportet me Rusinë", thotë një gjeorgjian tjetër.
Që nga revolucioni rozë dhe i portokalltë i fillimit të kësaj dekade, Gjeorgjia dhe Ukraina shpesh kanë kërkuar përkrahjen e Shtëpisë së Bardhë, në përpjekjet e tyre për t'u larguar nga vatha ruse drejt perëndimit.
Presidenti në largim, George Bush, ka lobuar për hyrjen e Tbilisit dhe Kievit në NATO, pavarësisht armiqësive në rritje të Moskës dhe dyshimeve evropiane.
Kritikët thonë se edhe Bush, edhe McCain, kanë mbivlerësuar progresin demokratik në këto vende dhe kanë mbyllur njërin sy kundrejt shkeljeve dhe gabimeve të zyrtarëve në Ukrainë dhe Gjeorgji.
Këtu nënvizohet përdorimi i gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës nga Gjeorgjia tash një vit për të shpërndarë një protestë anti-qeveritare. Ky incident bëri që shtetet skeptike të NATO-s të ngrenë zërin kundër anëtarësimit të shpejtë të Tbilisit.
Ministrat e jashtëm të NATO-s do rishikojnë ofrimin e planit për veprim të anëtarësimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë në muajin dhjetor, por duket se nuk do arrihet pajtimi.
Por, Lincoln Mitchell, profesor për politikanët ndërkombëtarë në Universitetin Columbia të New Yorkut, thotë se besimi i Uashingtonit në Gjeorgji mbetet i palëkundur.
"Gjeorgjia është në gjysmë të rrugës për në NATO. Ajo që është arritur nën admnistratën e Bushit, ka qenë mesazhi: Bëtë zgjedhje të këqija? Ne ju mbulojmë. Morët vendim të pamend dhe u tërhoqët nga lufta me Rusinë? Ja ku i keni miliarda dollarë, mos u bregosni. Vazhdoni të shtypni mediat dhe liritë civile? Në rregull është", shprehet Mitchell, për të shtuar se ky mesazh ka mbajtur lidhje të ngrohta SHBA-Gjeorgji, por ka helmuar raportet e Tbilisit me vendet evropiane, të cilat i kërkojnë Sakashvilit standarde më demokratike.
Ombudspersoni i Gjeorgjisë, që ka kritikuar shpesh sjelljet e Sakashvilit, shpreson se administrata e re e Obamës do ta kthejë fokusin te qeverisja brenda vendit.
"Ajo që pres nga Obama është, që për dallim nga McCain, të përkrahë më shumë demokracinë në Gjeorgji. Shpresoj që të vazhdojë përkrahja e deritashme, por vëmendja të vihet më tepër te demokracia brenda Gjeorgjisë", thotë Sozar Subari.
Edhe rruga e Ukrainës në NATO është pothuaj e njëtë me atë të Gjeorgjisë.
Derisa vendi është lavdëruar për zgjedhje dhe media të lira, që nga revolucioni i portokalltë, lufta e egër politike dhe lojaliteti mes Rusisë e Perëndimit kanë mbajtur këtë vend në stagnim.
Ish-ambasadori ukrainas në Uashington, Yurij Shcherback, është i shqetësuar se humbja e McCainit nënkupton humbje të protektoratit të fuqishëm dhe se Obama do të mundohet të akomodojë Moskën në kurriz të shteteve si Ukraina.
"Kam përshtypjen se Obama do mbajë një politikë tradicionale demokratike. Kjo nënkupton se Rusia do vihet në plan të parë. Mendoj se perspektiva jonë nën Qeverinë e Obamës do jetë e vështirë. Nuk e dimë se deri në ç'masë Obama do jetë i gatshëm të mbrojë sovranitetin e Ukrainës", thotë Shcherback.
Obama ka pranuar se rishfaqja e Rusisë është një nga çështjet e mëdha, me të cilat do përballet administrata e re.
Shumë brengosen se pragmatizmi i Obamës dhe stili i tij për të arritur konsensus mund të dëshmojë humbje të taktikës në raport me mburrjen e Kremlinit, gjesti i parë i të cilit pas zgjedhjeve në Amerikë nuk ishte urimi, por kërcënimi për vendosjen e raketave.
Por, të tjerët thonë se kokëfortësia e McCainit do të mund të rrezikonte raportet me Rusinë.
Ndryshe, në një numër të deklaratave politike para zgjedhjeve, Obama ka nënvizuar përkrahjen për hyrjen e Kijevit dhe Tbilisit në NATO.