Ndërlidhjet

Analistët: KS do të sjellë qartësi për EULEX-in


Prishtina
Prishtina

Analistët politikë në Prishtinë presin më shumë qartësi nga seanca e së martës e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për vendosjen e EULEX-it në Kosovë. Ata theksojnë se Prishtina zyrtare nuk duhet të pranojë asnjë marrëveshje që cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Seanca e radhës e Këshillit të Sigurimit për Kosovën pritet të qartësojë kushtet në lidhje me vendosjen e misionit për drejtësi të Bashkimit Evropian, EULEX, në Kosovë.

Në këtë seancë pritet të paraqiten edhe të arriturat e bisedimeve për 6 pikat e përcaktuara nga Sekretari Gjeneral i OKB-së, e që kanë të bëjnë me policinë, doganat, gjyqësinë, trashëgiminë kulturore, transportin dhe vijën kufitare - çështje këto të cilësuara si teknike nga administrata ndërkombëtare, e për të cilat kërkohej një konsensus ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Kështu vlerësojnë analistët në Prishtinë, të cilët shprehin bindjen se seanca e së martës në Këshill të Sigurimit do të trajtojë në hollësi problemet e fundit në mes të qendrave diplomatike vendimmarrëse, Brukselit dhe New Yorkut. Analisti Ilir Deda sqaron:

"Janë dy pritje nga seanca e nesërme dhe këto janë: një deklaratë presidenciale e Këshillit të Sigurimit, me të cilën do të aprovohet shtrirja e EULEX-it në të gjithë Kosovën me kushtet, të cilat deri më sot janë të paqarta, dhe, në të njejtën kohë, pritet raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, i cili do të përmbajë 6 pikat, me të cilat janë dakorduar Beogradi dhe New Yorku", thotë Deda.

Beogradi zyrtar, kohë më parë, kishte kërkuar që EULEX-i të vendoset në Kosovë përmes një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të jetë neutral karshi statusit të Kosovës, të mos e zbatojë planin e Ahtisaarit dhe të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Sipas analistit Ramush Tahiri, moszbatimi i planit Ahtisaari do të cenonte sovranitetin e shtetit të Kosovës.

"Sovraniteti i Kosovës do të cenohej nëse nuk respektohet pakoja e presidentit Martti Ahtisaari, ndërsa sa i përket sovranitetit, mekanizmat ndërkombëtarë do të kenë një mandat tjetër dhe në këtë bazë neutraliteti do të ishte i mirëseardhur, sepse nuk pritet që misionet ndërkombëtare të anojnë as nga Serbia, e as nga Kosova",
thekson Tahiri.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kishin deklaruar, ditë më parë, se është arritur një marrëveshje ndërmjet Brukselit dhe Beogradit për vendosjen e këtij misioni në Kosovë, duke pranuar kushtet e Qeverisë serbe, por këto deklarata ende nuk janë sqaruar zyrtarisht.

Ndaj kësaj deklarate nuk kishte pasur asnjë qëndrim nga ana e zyrtarëve të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, i cili do të pohonte apo mohonte një deklaratë të tillë. Si pasojë e kësaj, Deda shpreh bindjen se udhëheqësit vendorë do të mund të gjenden në një presion të madh ndërkombëtar nga përfaqësues të shteteve të Quinit-it në vend.

"Kjo është tash kurtha në të cilën Qeveria e Kosovës ka rënë vetë, sepse nuk ka pasur përgjigje për 6 pikat, të cilat janë përmendur deri më sot, e as nuk ka pasur përgjigjie se si të shtrihet EULEX-i në Kosovë. Kjo do të thotë se ata tash janë në presion shumë të madh - të pranojnë marrëveshjen e Brukselit me Beogradin, apo të New Yorkut me Beogradin", thotë Deda.

Paraqitja e raportit për Kosovën nga Sekretari Gjeneral, Ban Ki Moon, të fomruar nga dialogu disamuajsh në mes të Prishtinës, UNMIK-ut dhe Beogradit, të udhëhequr nga shefi i këtij misioni, Lamberto Zannier, si dhe diplomati zelandez, Andrew Ladley, pritet të jetë po ashtu në qendër të debatit në New York.

Jozyrtarisht mësohet se tanimë ekziston një dokument mbi 6 pikat, të cilin e ka formuar Ladley, mirëpo, sipas Tahirit, asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk duhet të pranohet nga pala kosovare.

"Nuk shoh arsye të jepet asnjë miratim, i cili bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet e Kosovës, sepse pushteti dykuptimësh në Kosovë vetëm mund të dëmtojë interesat e qytetarëve, jo vetëm pavarësinë e Kosovës, por edhe ardhmërinë e Kosovës për integrime euro-atlantike", konsideron Tahiri.

Misioni për sundim të ligjit i BE-së, EULEX, do të duhej të shtrihej në të gjithë Kosovën deri në fund të këtij viti. Autoritetet qendrore në Prishtinë kishin kërkuar që ky mision të shtrihet në të gjithë Kosovën, duke mos respektuar asnjë kushtëzim nga ana e Qeverisë së Serbisë.
XS
SM
MD
LG