Ndërlidhjet

SHBA: Rënie e dominimit amerikan në botë


Agjencitë e zbulimit në Shtetet e Bashkuara kanë parashikuar se dominimi i Amerikës në botë ka të ngjarë të shënojë rënie në dy dekadat e ardhshme. Raporti thotë se Kina dhe India, por ndoshta edhe Rusia dhe Irani, me gjasë do të kenë ndikim më të madh ekonomik dhe politik.

Raporti i ri i agjencive amerikane të zbulimit thotë se Shtetet e Bashkuara po e humbin pozicionin e dominimit ekonomik, politik dhe ushtarak në botë.

I titulluar "Trendet Globale 2025 : Transformimi botëror", raporti 121-faqesh i përpiluar nga Këshilli Kombëtar i Zbulimit, është përgatitur në kohë për të paralajmëruar presidentin e zgjedhur, Barack Obama, për sfidat, me të cilat administrata e tij do të ballafaqohet, pasi ai të marrë detyrën.

Raporti thotë se sistemi ndërkombëtar do të jetë gati i panjohur deri në vitin 2025, për shkak të daljes në sipërfaqe të fuqive tjera - ekonomisë së globalizuar, transferimit të pasurisë nga perëndimi në lindje, si dhe rritjes së ndikimit të aktorëve joshtetërorë.

Raporti konkludon se ndonëse Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të mbesin superfuqia e vetme në botë, fuqia e tyre relative, madje edhe në aspektin ushtarak, do të bie dhe leva e Shteteve të Bashkuara do të jetë më e shtrënguar.

Sipas raportit, roli i dollarit amerikan, si valuta kryesore botërore, do të dobësohet deri në pikën ku do të bëhet e para në mesin e të barabartëve.

Aty po ashtu thuhet se rivalitetet strategjike është e mundur të rrotullohen në tregti, investime dhe risitë teknologjike. Por, raporti nënvizon se nuk mund të përjashtohet mundësia edhe e skenarëve të shekullit XIX, të garës në armatim, zgjerimit të territoreve dhe rivaliteteve ushtarake.

Raporti parashikon që Kina dhe India do të rrisin peshën e tyre në botën, e cila nuk mund të dominohet më tej nga një ose dy superfuqi ekonomike dhe ushtarake.

Raporti thotë se interesat ekonomike dhe të sigurisë së Shteteve të Bashkuara mund të përballen me sfida, nëse Kina shndërrohet në "konkurrent të barabartë" përmes një ushtrie dhe ekonomie të fuqishme.

"Disa vende pritet të kenë më shumë ndikim në botë gjatë 15 ose 20 vjetëve të ardhshëm, sesa Kina. Nëse qëndrojnë trendet aktuale, më 2025 Kina do të ketë ekonominë e dytë më të madhe në botë, si dhe do të udhëheqë për nga fuqia ushtarake. Ajo gjithashtu mund të bëhet importuesi më i madh i resurseve natyrore, por edhe ndotësi më i madh, sesa është tani".

Raoporti thotë se India me siguri do të vazhdojë të shënojë rritje ekonomike, por dallimi ndërmjet të pasurve dhe të varfërve do të shndërrohet në problem politik.

Lidërët e Indisë, sipas raportit, nuk e shohin Uashingtonin si padron ekonomik dhe ushtarak, dhe tash besojnë se situata ndërkombëtare e ka bërë këtë epitet të panevojshëm.

Por, Nju Delhi, thonë hartuesit e raportit, do të ndjekë raporte të mira me Shtetet e Bashkuara, si mbrojtje kundër armiqësive të mundshme me Kinën.

Raporti gjithashtu identifikon tri superfuqi të ardhshme nga bota myslimane: Indonezinë, Turqinë dhe Iranin.

Aty thuhet se reformat politike dhe ekonomike në Iran përgjatë një klime stabile të investimeve "mund të rikthejnë në mënyrë fundamentale kahjen, se si bota e percepton këtë vend, por edhe mënyren se si iranianët e shohin veten".

"Në këto rrethana, në Iran shpejt mund të zërë vend ringjallja ekonomike, e cila do të nxiste një klasë të mesme kosmopolite, të edukuar dhe laike".

Por, agjencitë gjithashtu tërheqin vërejtjen për shkallëzimin e garës për armët bërthamore në Lindjen e Mesme.

"Gjatë 15 - 20 vjetëve të ardhshëm, reagimet ndaj vendimeve të Iranit për programin bërthamor mund t'i shtojnë përpjekjet e vendeve në rajon për të zhvilluar aktivitete bërthamore. Kjo do të shtojë një dimension të ri dhe të rrezikshëm për të rritur ndikimin në rajon".

Analistët e kundërzbulimit gjithashtu paralajmërojnë se krimi i organizuar në Rusi mund të prekë qeveritë e Evropës Lindore dhe Qendrore.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së mjedisit, raporti thotë se ngrohja globale do të rëndojë mungesën për ujë, ushqim dhe burime të energjisë. Raporti i citon studimet britanike se ndryshimet klimatike mund të detyrojnë rreth 200 milionë njerëz të migrojnë në zona më të përshtatshme.

Megjithatë, agjencitë amerikane të zbulimit nuk kanë përfshirë në raport analizën për liderët botërorë, sistemet politike ose për mekanizmat lehtësues, për të zgjidhur problemet më të rënda botërore.
XS
SM
MD
LG