Ndërlidhjet

Në pritje të emërimit të komandantit të FSK-së


Pjesëtarë të TMK-së
Pjesëtarë të TMK-së
Presidenti i Kosovës dhe kryeministri, pritet të vendosin gjatë këtyre ditëve se kush do të jetë komandanti i parë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kështu bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Forcës së Sigurisë, të cilët gjithashtu pohojnë se bordi për emërimin e komandantit të FSK-së, këtë çështje e ka kaluar në Qeverinë e Kosovës. Lah Nitaj është këshilltar i ministrit të FSK-së:

"Bordi për përzgjedhjen e komandantit të FSK-së është mbledhur, ka shqyrtuar materialet e kandidatëve konkurrentë dhe mbi këtë bazë e ka proceduar çështjen më tutje, ashtu si e përcakton edhe Kushtetuta e vendit”.

“Në formë zyrtare, nga ana e ministrit dhe Ministrisë së FSK-së, çështja ka kaluar në Kryeministri dhe është çështje e kryeministrit në raport me presidentin që ta përmbyllin këtë proces",
tha zoti Nitaj.

Kurse, përfaqësuesit e Presidencës së Kosovës thonë se janë duke bërë përgatitjet e duhura me faktorët ndërkombëtarë për një forcë të qëndrueshme të sigurisë së Kosovës.

Xhavit Beqiri pohon se deri më tash Qeveria e Kosovës nuk e ka dërguar ende rekomandimin në Presidencë.

"Mund të them se në Presidencë ende nuk ka ardhur asnjë propozim apo shkresë nga Qeveria, përkatësisht nga kryeministri. Kështu që nuk ka asnjë risi”.

“Në momentin që ai propozim të vijë, sigurisht që presidenti Sejdiu, në bazë të kompetencave të tij kushtetuese dhe përgjegjësive që ka, do të marrë një vendim", tha zoti Beqiri.

Ndryshe, sipas mediave në Kosovë, thuhet se komandanti i parë i FSK-së do të jetë Sylejman Selimi, aktualisht komandant i TMK-së. Keshtu thonë edhe zyrtarë të TMK-së.

Enver Dugolli, zëdhënës i TMK-së, thotë se në bazë të informacioneve të tyre, gjeneral-lejtnant Sylejman Selimi ka marrë shumicën e votave të bordit për emërimin e tij si komandant i FSK-së.

“Po, në bazë të informacioneve që kemi nga bordi i lartë përgjegjës për komandant të Forcës së Sigurisë, jemi të njoftuar që komandanti i TMK-së, gjeneral-lejtnant Sylejman Selimi, ka marrë votat e të gjithëve në bord dhe parimisht presim që ky rekomandim apo kjo përzgjedhje të finalizohet me vendim të qeverisë", tha zoti Dugolli.

Sipas Ligjit për themelimin e Forcës së Sigurisë, është dashur që sot, bordi i përbërë nga krerët e institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare, ta bëjë publik emrin e komandantit të FSK-së.

Në bazë të pakos së presidentit Ahtisaari, njësitë e para të kësaj force do të fillojnë trajnimet në fillim të vitit të ardhshëm. Procesi i seleksionimit për FSK-në ka filluar me testimin e pjesëtarëve të TMK-së, e cila do të shpërbëhet dhe do të fillojë me pranimin e kandidatëve nga radhët e qytetarëve të Kosovës.

Siç është bërë e ditur, kohë më parë, nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të funksionalizohet më 15 qershor të 2009-ës.
XS
SM
MD
LG