Ndërlidhjet

Opozita këmbëngul për zgjedhje në 2009-ën


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke u përgatitur për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, përderisa mbetet e paqartë mundësia e mbajtjes së atyre parlamentare.

Kryetari i KQZ-së, Zait Xhelili, thotë se janë duke bërë gati të gjitha rregulloret e nevojshme, që vitin e ardhshëm të mbahen zgjedhjet lokale.

“Jemi duke i kryer të gjitha ato detyra dhe ato punë, që parashihen me ligje në kompetencë të Komisionit Qendror Zgjedhor. Deri më tash kemi nxjerrë rreth gjashtë rregullore që kanë të bëjnë me proceduarat e vendvotimit të votuesit, me regjistrimin e partive politike, me kuti, e të gjitha të tjerat”,
tha zoti Xhelili.

Edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Florjan Dushi, konsideron se punët në KQZ janë duke shkuar sipas planit të paraparë. Ai pohon se nëse merren vendimet nga instancat më të larta të vendit për mbajtjen e zgjedhjeve, KQZ-ja do të jetë e gatshme.

“Çështja e zgjedhjeve - ju e dini se është vendim politik për t’u mbajtur ose jo zgjedhjet; sipas kushtetutës, dihet që është kompetencë e dikujt tjetër dhe jo e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Unë kujtoj që në këtë performancë që ka KQZ-ja, në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera ndërkombëtare, që tash kanë një rol krejt tjetër sa i përket zgjedhjeve, siç është OSBE-ja, KQZ-ja, është e gatshme për t’i organizuar zgjedhjet”, tha zoti Dushi.

Zait Xhelili, kryetar i KQZ-së, thotë se zgjedhjet lokale në vitin 2009 duhet të mbahen, pasi, shton ai, në nëntor të vitit të ardhshëm, kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë u kalon mandati.

“Zgjedhjet lokale gjithsesi duhet të mbahen, për shkak se të zgjedhurve për këshilltar të kuvendeve dhe kryetarëve të komunave u kalon mandati në nëntor të vitit të ardhshëm”,
theksoi ai.

Ndryshe nga partitë politike në pushtet, opozita konsideron se zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare duhet të mbahen, pasi që një gjë e tillë është e përcaktuar edhe në pakon e Ahtisaarit.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, konsideron se patjetër duhet të mbahen zgjedhjet e reja vitin e ardhshëm.

“Duke marrë parasysh pakon e presidentit Ahtisaari, e cila është votuar në Kuvendin e Kosovës, duhet të ketë zgjedhje. Zgjedhjet lokale as që duhet të vihen në dilemë, ato gjithsesi duhet të mbahen. Por, edhe zgjedhjet nacionale, thuhet qartë në pakon e Ahtisaarit se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të asaj, duhet të ketë zgjedhje të reja“, tha zoti Kosumi.

Kosumi madje konsideron se edhe në bazë të një logjike politike, duhet të ketë zgjedhje te reja, sepse, siç thotë ai, tash pas pavarësisë së Kosovës, duhet të këtë udhëheqje të re.

Ndërkaq, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, kohë më parë, kanë deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të mbahen në kohën e paraparë, kurse për ato të përgjithshmet duhet të pritet deri në përfundim të mandatit të udhëheqjes aktuale, që pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2011. Një gjë të tillë e konfirmon edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi

“Besoj që kjo gjë më së miri është qartësuar në prononcimin e presidentit Sejdiu. Vitin e ardhshëm, me siguri se do të mbajmë zgjedhje në nivelin lokal, ashtu edhe siç parashihet. Ndërsa, për zgjedhjet parlamentare duhet të presim deri në përfundimin e mandati aktual”, tha zoti Krasniqi.

Sido që të jetë, për mbajtjen e zgjedhjeve në vitin 2009, një rol të veçantë do ta këtë edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, pasi që ajo ka mandatin e mbikëqyrjes së zbatimit të dokumentit gjithëpërfshirës për statusin.
XS
SM
MD
LG