Ndërlidhjet

Pasojat e zvarritjes së formimit të FSK


Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës
Pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës

Zyrtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, vonesën e emërimit të komandantit të FSK-së e konsiderojnë si një pengesë të madhe në procesin e transformimit të këtyre trupave në FSK. Në anën tjetër, përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se formimi i FSK kërkon kohë më të gjatë dhe konsultime.


Transformimi i TMK-së në FSK është shtyrë për janarin e vitit të ardhshëm. Zyrtarë të TMK-së kanë thënë se kjo ka ndodhur për shkak të vonesës në përzgjedhjen e komandantit të FSK-së.

Vonesat e emërimit të komandantit të FSK-së dhe oficerëve të tjerë të lartë të kësaj trupe, zyrtarët e TMK-së i konsiderojnë si pengesa të mëdha në punën e tyre. Enver Dugolli, zëdhënës i TMK-së, thotë:

“Ky është një lajm jo i mirë nga shkaku se TMK-ja ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura që të përfundojë sipas agjendës së planifikuar. Dhe tash, i tërë procesi shtyhet. Kjo është një hendikep për procesin në përgjithësi, por edhe për ne si TMK, për arsye se të gjitha planifikimet janë bërë dhe tash do të shtyhen për një afat kohor”.

Por, në anën tjetër, institucionet përgjegjëse për emërimet thonë se janë duke punuar që të përmbyllet sa më shpejt procesi i shpërbërjes së Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Xhavit Beqiri, zëdhënës i Presidencës, thotë se shpejt do të emërohet komandanti i parë i FSK-së.

“Presidenti Sejdiu ka pasur konsultime intensive me kryeministrin dhe faktorë të tjerë që janë të përfshirë në këtë proces dhe besojmë që shpjet edhe çështja e emërimit të njerëzve prirës në FSK, do të dihet. Presidenti inkurajon të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, kështu si deri më tani, të jenë me këmbëngulësi që Kosova të këtë një forcë të sigurisë profesionale”,
tha zoti Beqiri.

Kurse, këshilltari i ministrit të FSK-së, Lah Nitaj, konsideron se nuk është i vonuar procesi i formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pasi që, sipas tij, një çështje e tillë kërkon analiza të thella.

“Për ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës është i rëndësishëm finalizimi i procesit të ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Një projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, një institucion i ri për Kosovën e re. Dhe, më e rëndësishme se data, se dita e caktuar, është përmbyllja e suksesshme dhe krijimi i një institucioni që do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve dhe nevojat e vendit”, tha zoti Nitaj.

Nitaj ka shtuar se rëndësia që ka formimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës kërkon një kohë më të gjatë dhe konsultime. Ai madje thekson se në kohën e duhur do të bëhen emërimet dhe formimi i FSK-së.

“Rëndësia që ka formimi i FSK-së kërkon analizë gjithëpërfshirëse, kërkon peshim të posaçëm të të gjitha aspekteve që ndërlidhen me sigurinë në Kosovë dhe them që kjo është arsyeja që nuk kemi dalë me emra konkretë për të bërë fillimisht kreun e FSK-së. Por, me rëndësi është se procesi po vazhdon. Qeveria është shumë e angazhuar në këtë proces dhe shpresojmë që në kohën e duhur do të kemi vendime të duhura”, tha zoti Nitaj.

Procesi i përfundimit të misionit të TMK-së ka qenë i paraparë të kryhet deri më 10 dhjetor 2008, madje kjo datë qe promovuar shumë nga KFOR-i përmes reklamave televizive.

Si pasojë e shtyrjes, tani njoftimi i pjesëtarëve të TMK-së, të cilët është dashur të zgjedhën për Forcën e Sigurisë, është shtyrë deri në muajin janar të vitit 2009.

Në bazë të pakos së presidentit Ahtisaari, njësitë e para të kësaj force është dashur të fillojnë trajnimet në fillim të vitit të ardhshëm. Siç është bërë e ditur, kohë më parë, nga zyrtarë të institucioneve të Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës do të funksionalizohet më 15 qershor të 2009-ës.
XS
SM
MD
LG