Ndërlidhjet

Obama shpall ekipin e energjisë


Barack Obama
Barack Obama

Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Barack Obama, e shpalli ekipin 4-anëtarësh, për të cilin premtoi se do t'i adresojë problemet energjetike dhe ambientaliste, pa e rënduar ekonominë e trazuar amerikane.



Presidenti i zgjedhur amerikan, Barack Obama, e emëroi për Sekretar të Energjisë, Steven Chu, Nobelistin e fizikës, ndërsa Lisa Jackson në krye të Administratës për Mbrojtjen e Mjedisit.

Përveç tyre, Obama zgjodhi Carol Browner si koordinatoren e tij për politikat e energjisë dhe mjedisit, dhe Nancy Sutley, zv/kryebashkiake e Los Angelesit, si përgjegjëse e Këshillit të Shtëpisë së Bardhë për Cilësinë e Ambientit.

Obama tha se të emëruarit do të tregojnë se të jesh përgjegjës për ambientin, nuk do të thotë t'i mohosh mundësitë për rritjen e ekonomisë amerikane.

"Nuk ka kundërthënie ndërmjet rritjes ekonomike dhe praktikave për ruajtjen e ambientit. Mendoj se e ardhmja e inovacionit dhe teknologjisë do të jetë ajo që do ta shtyjë përpara ekonominë tonë. Ekonomia e re e energjisë do të jetë pjesë e krijimit të miliona vendeve të reja të punës, që aq shumë na duhen",
tha Obama.

Emërimi i tij për fizikantin Chu ka rëndësi të madhe, jo vetëm për shkak se Sekretari i emëruar i Energjisë është laureat i Çmimit Nobel, por ai gjithashtu e udhëheq laboratorin prestigjioz Lawrence Berkeley.

Obama tha se shkencëtarët e Departamentit të Energjisë më në fund do të kenë në krye kolegun e tyre.

"Emërimi i Chu do t'u dërgojë sinjal të gjithëve se administrata ime do ta vlerësojë shkencën. Ne do të marrim vendime bazuar mbi fakte dhe ne e kuptojmë se faktet kërkojnë aksione të guximshme", tha Barack Obama.

Qasja e tij është krejtësisht ndryshe nga qasja e presidentit në largim, George Bush, i cili refuzoi të nënshkruajë Protokollin e Kjotos për ngrohjen globale, sepse besonte se kjo do ta cenojë ekonominë amerikane.

Bush gjithashtu i kufizoi rëndë fondet e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara mbi kërkimet embrionale, sepse aty përfshihej puna me embrionet, të cilat ai i konsideronte si jetë njeriu.

XS
SM
MD
LG