Ndërlidhjet

Sejdiu: UNMIK-u s'do të ketë ndonjë rol


Presidenti Fatmir Sejdiu
Presidenti Fatmir Sejdiu

"UNMIK-u nuk do të ketë farë roli, mund të jetë vetëm prezencë simbolike dhe dihet fare mirë se mbase mund të jetë edhe një rivalitet pozitiv me EULEX-in", thotë në një intervistë për radion Evropa e Lirë, Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.




RADIO EVROPA E LIRË
Zoti President, korniza ligjore e veprimit të misionit evropian për sundimin e ligjit vazhdon të jetë ende e paqartë. Është Rezoluta 1244 apo Kushtetuta e Kosovës?

FATMIR SEJDIU
Ne vetëm do të prezantojmë edhe një herë qëndrimin tonë që kemi shprehur edhe herëve të tjera dhe në veçanti është shprehur në ftesën që ne kemi bërë në kohën e pavarësimit të Republikës së Kosovës. Kini parasysh edhe në vetë mandatin që ka misioni i EULEX-it sipas dokumentit që quhet Aksioni i Përbashkët i Veprimit i 4 Shkurtit. Po ashtu, mund të them se është e gjithë ajo filozofia që ngërthehet në projektin e presidentit Ahtisaari.

Pavarësisht nga ky fakt, ju e dini se ka pasur disa zhvillime, që në një formë apo në formë tjetër, janë proceduar me tensione të caktuara, të cilat kanë zgjuar edhe reagimin e Prishtinës zyrtare. Flas në intencën që të futet në pjesë të mandatit një tip i marrëveshjes me Beogradin, i përmbajtur në gjashtë pika, dhe i cili në një formë apo në formë tjetër bën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të brendshme në strukturën institucionale dhe konstitucionale do të thosha të Republikës së Kosovës, prandaj ne kemi reaguar në të.

Ne e dimë se ka një simbolikë të prezencës së mandatit ndërkombëtar të UNMIK-ut në transfer, pra një mandat që ka pasur dritën jeshile të vetën në kohën e Rezolutës 1244 dhe që ka zgjatur në një periudhë prej më shumë se nëntë vjetësh. Është koha që të përfundohet gjithçka dhe është koha po ashtu që të hiqet petku i përgjithshëm i UNMIK-ut në Kosovë.

EULEX-i do të jetë një mandat evropian. Në këtë kuadër, ne insistojmë që Kushtetuta e Republikës së Kosovës të jetë përcaktuesi themelor, i cili duhet të respektohet pra si kornizë ligjore, duke pasur parasysh edhe elementet tjera, të cilat lidhen me zbatimin e ligjeve, meqë vetë EULEX-i në përmbajtjen e tij themelore apo në esencë është një mandat ndërkombëtar që siguron mbështetje në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit apo sundimit të ligjit.

Në këtë kuadër, ne dëshirojmë që edhe kjo të jetë në realizim të plotë, për të mos lënë asnjë laramani të legjislacioneve, siç dëgjojmë nganjëherë qoftë të UNMIK-ut apo të legjislacioneve të tjera të atyre ish-ligjeve të aplikueshme që janë përdorur, përderisa janë nxjerrë ligjet e Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët pak më parë gjashtëpikëshin, të cilin pra Prishtina zyrtare e ka kundërshtuar ashpër. Megjithatë, këto gjashtë pika janë futur në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon. Si do të mund të pengoni zbatimin e tyre?

FATMIR SEJDIU

Unë s’them se është një dokument obligues. Janë komentet edhe të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit në këtë kuadër. Në Këshillin e Sigurimit atë ditë nuk ka pasur ndonjë vendim të veçantë, nuk ka pasur ndonjë rezolutë të veçantë, nuk ka pasur ndonjë përmbajtje, e cila, në një formë apo në formë tjetër, do të impononte zbatimin e këtyre pikave.

Aq më tepër, kini parasysh se për relevancë paralele në dokumentin apo në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së është edhe vetë qëndrimi i Prishtinës, pra ai i shprehur në katërpikëshin tonë. Po themi se janë katër pika në një përmbajtje shumë esenciale, që kundërshtojnë çdo qasje, e cila ka anashkaluar Prishtinën dhe është kundër interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Prandaj, ne s’themi se ato do të jenë absolutisht përcaktues për zbatim.

Themi po ashtu tjetrën paralelisht, se gjithmonë kemi qenë dhe jemi për një dialog për çështje që janë të interesit të të dyja shteteve sovrane, pra një dialog me Serbinë që ka të bëjë me çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve në kufi për shembull, me parandalimin e krimit të organizuar, me bashkëpunimin ekonomik, në fushën e energjetikës apo në fusha të tjera, dhe për të lëvizur bashkazi si dy shtete sovrane në proceset e integrimeve.

Por, asnjëherë në temat, të cilat, në një formë apo formë tjetër, qoftë me një intencë të tillë, do të bënin ndërhyrje në strukturën e brendshme shtetërore të Kosovës dhe sovranitetin e saj, apo në tema që po ashtu në paralele me to do të preknin çështje të statusit.

Pra, çështja e statusit është përmbyllur njëherë e përgjithmonë dhe është përmbyllur mirë, është një respektim i vullnetit të popullit të Kosovës, pra është pavarësia e saj e deklaruar më 17 Shkurt, e mbështetur ndërkombëtarisht, dhe kini parasysh se është bërë njohja deri tani nga 53 shtete dhe do të ketë shtete të tjera që do ta njohin në vazhdim. Dhe, nuk mund të ketë asnjë qasje dhe asnjë proces që në një formë apo në formë tjetër do të kthente rrotën e historisë pas.

Këto janë çështje që e kanë marrë rrugën e vet dhe mendoj se Kosova është dëshmuar edhe në këtë ecje të rëndësishme si shtet i pavarur e sovran me qëndrueshmërinë e saj dhe ne do ta vazhdojmë. Prandaj, gjashtëpikëshi është i papranueshëm totalisht. Nuk është dokument që do të jetë referencë.

Dhe, e themi po ashtu se mandati ndërkombëtar evropian është që ata të mbajnë një pozicion shumë të qartë, pozicionin aktiv të akterit të rëndësishëm në ndihmë institucioneve të Kosovës në fushën e sigurisë dhe të ligjit. E dimë se ka hapësira ku ka probleme ende, pikërisht plot arsye, dhe i nevojitet ndihma për Kosovën, pra për të mos pasur eskalime të natyrave të tjera, çfarë i dëshirojnë pikërisht strukturat ta zëmë paralele që gjenden në veriun e Kosovës.

Por, nevojitet një kohë racionale në të cilën do të ketë një investim të drejtpërdrejtë në shembjen e këtyre strukturave dhe në depërtimin me efiçencë të sundimit të ligjit, por edhe të aspekteve të sigurisë - për shembull e marrim si një hap shumë të mirë vendosjen në dy portat veriore, në vendkalimet kufitare 1 dhe 31.

Mendoj se kjo do të reflektojë pozitivisht edhe te qytetarët, edhe në ndjenjën e sigurisë psikike të tyre – flas edhe për serbët vetë, por edhe për shqiptarët paralelisht, për t’u dhënë shansin komunikimeve, për t’i dhënë shansin integrimit, për t’i dhënë shansin zhvillimit dhe një prosperiteti të përgjithshëm të të gjithë qytetarëve, për të ndalur njëherë dhe përgjithmonë edhe këtë, do ta quaja stuhi të krimit të organizuar, e cila ka kapluar këtë pjesë të Kosovës.

Andaj, themi se të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që janë pjesëmarrëse në EULEX-in në Kosovë, natyrisht edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë kontribuuese të drejtpërdrejta në këtë vijë dhe është tepër e rëndësishme të themi se EULEX-i nuk mund të jetë neutral.

Shumica e vendeve, pra më tepër se tri të katërtat e vendeve që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe kanë njohur Republikën e Kosovës, secili vend në shkresat që unë kam pranuar si president i Republikës apo që janë dërguar në adresë të Republikës së Kosovës – Kosovën e njeh si shtet të pavarur dhe sovran, që nënkupton integritetin e saj, që nënkupton sovranitetin e saj, që nënkupton të qenit e saj si një subjekt paralel ndërkombëtar sikur edhe vendet e tjera, pra një vend i lirë dhe sovran.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, administrata e Kombeve të Bashkuara megjithatë do të vazhdojë të ketë një rol, të paktën në veri. Si e shihni ju gjithë këtë çështje?

FATMIR SEJDIU
Jo, kjo është një periudhë e tranzicionit të shpejtë. Unë s’do ta quaja të ngadalësuar, por janë disa pjesë që ende nuk janë transferuar nga ana e misionit ndërkombëtar të UNMIK-ut, mbase për të mbuluar prezencën simbolike të tyre, në bazë të asaj që e theksuam më herët - 1244-shi, i cili si dokument ndërkombëtar është i tejkaluar.

Në Kosovë është ndërtuar një realitet i ri tërësisht, është ndërtuar mbi bazë pikërisht po e themi edhe të Rezolutës 1244 të zgjedhjes politike, e cila ka arritur si finale.

Pra, është ndërtuar, është zhvilluar një proces demokratik me ngritjen e institucioneve, me mbështetjen e tyre, një veprim substancial i qeverisjes së brendshme të Kosovës, pra mbi bazë të punës që bëjnë institucionet e saj, të dala nga vota e lirë e qytetarëve, dhe është arritur zgjidhja finale - ajo që ne e quajmë shpallja e pavarësisë së Kosovës, që është një shpallje e akorduar me bashkësinë ndërkombëtare, pavarësisht vullnetit tekanjoz apo formave të obstruksioneve që Serbia i ka bërë deri më tash, edhe gjatë procesit të bisedimeve, por edhe në fazat e mëvonshme.

E them paralelisht se ne kemi hyrë në zotime, të cilat janë zotime për të përmbushur një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe një kujdes të veçantë që do të kemi ndaj pakicës serbe, edhe pakicave të tjera, të cilat fatmirësisht janë mirë të inkuadruara dhe tepër aktive në jetën e përditshme, edhe në jetë politike.

Por, them që ka një pjesë të qytetarëve serbë që ende janë peng i politikave shtrënguese të Beogradit, të cilat kanë vazhduar deri më tash, dhe kemi shpresën që këto politika do të stopohen, të themi edhe nga brenda vetë, sepse është e interesit edhe për Republikën e Serbisë që të lëvizë në proceset e integrimeve, në proceset kah shkon bota e mbarë, por jo të ndalet në qasjet dhe në atë retorikë të ashpër dhe kaq negative që është edhe për vetveten.

Ne nuk e kemi drojën se Serbia do të ketë ndonjë sukses në kthimin e proceseve prapa, ne kemi ecur, Serbia asnjëherë s’mund t’i pengojë zhvillimet tona dhe s’mund të pengojë as ambicien tonë për të lëvizur edhe në proceset e integrimeve.

Kini parasysh se në Kosovë do të ndërtohet një forcë e sigurisë, pra që do të jetë partnere e rëndësishme e NATO-s sot dhe sendërtohet në bazë të parimeve të NATO-s dhe nesër do të jetë Kosova edhe në NATO. Prandaj, ne dëshirojmë që të jetë kjo edhe një shenjëz e mirë për stabilitetin e përgjithshëm rajonal. Pra, në këtë kuadër, mund të themi se nuk mund të ketë ndonjë qasje apo ndonjë veprim çfarëdo qoftë prej këtyre iniciativave që Republika e Serbisë i ka marrë për të penguar Republikën e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Krahas institucioneve të vendit, në Kosovë pra ekziston edhe një prani e larmishme civile ndërkombëtare me mandate të ndryshme, ndonjëherë edhe të paqarta. Sa e vështirë është qeverisja e Kosovës në kushte të tilla?

FATMIR SEJDIU
Kjo periudhë po them “e duron” edhe këtë trializëm të pushteteve. E para, është në esencë sovran, në kuptimin e përgjithshëm edhe teorik, edhe praktik - duhet të jenë institucionet e Kosovës, sepse janë të dala nga vota e lirë e qytetarëve dhe janë me mandat të vullnetit të tyre. Është prezenca civile e re evropiane që ka një mandat mbështetës, jo mandat të formës ekzekutive çfarë ka qenë dikur mandati ndërkombëtar, dhe është kjo pjesë e kapërcimit të themi të hapave të fundit të rrugëtimit që ka pasur UNMIK-u në Kosovë.

Prandaj, ne themi se UNMIK-u nuk do të ketë farë roli, mund të jetë vetëm prezencë simbolike dhe dihet fare mirë se mbase mund të jetë edhe një rivalitet pozitiv – flas me EULEX-in që pretendon që sa më shpejt të përfundojë procesi i bartjes së përgjegjësive, edhe atyre simbolike, nga ana e UNMIK-ut në EULEX, dhe natyrisht EULEX-i të merret me kornizat e veta të parapara shumë qartë.

Nuk janë korniza, të cilat lidhen me mandatet apo me fuqitë që ka pasur UNMIK-u në kohë të vet, në kohën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Kosova ka ndërtuar strukturën e vet qeverisëse. Është strukturë e njohur ndërkombëtarisht, pra si e tillë – flas si shtet sovran, dhe në këtë kuadër natyrisht se roli i EULEX-it do të jetë një rol mbështetës, pra në fushën e sigurisë dhe në fushën e sundimit të ligjit, për çka dhe kemi nevojë.

Ne realisht kemi nevojë që të kemi në mbështetje formacione të rëndësishme evropiane, për të na ndihmuar në formatizimin sa më të mirë të mundshëm të këtyre strukturave – flas për sistemin e gjyqësisë që duhet të ecim në një proces të mirë të reformimit të tij, posaçërisht në procesin e riemërimeve, ndërsa në pjesën e sundimit të ligjit, po ashtu paralelisht me këtë, do të kemi një ngritje të mirë jo vetëm të vetëdijes, që është besoj në kuptimin teorik e mjaftueshme, por edhe praktikisht në gërshetimin e punëve të elementeve të rëndësishme institucionale, që duhet të sigurojnë sundimin e ligjit.

Dhe, e them këtë ndoshta nga ajo që mund të jetë më e zakonshmja, në sjelljen e zakonshme të qytetarëve të Kosovës, të atij që dëshiron të eskivojë apo të mos paguajë doganën, të gjejë forma të ndryshme të korruptimit apo elemente të tjera të fenomeneve negative, për të vënë të themi në lajthitje institucionet e Kosovës.

Paralelisht themi edhe atë që ka të bëjë me pjesën e preventivës, me pjesën e masave që duhet marrë sistemi i gjyqësisë posaçërisht ndaj shkelësve të ligjit; këtë e them edhe në kriminalitetin ekonomik, por edhe në krimet tjera, dhe nëse lidhemi me elementin tjetër të rëndësishëm – është çështja e sigurisë. Pra, për të pasur një veprim sa më aktiv në kuptimin e ngjeshjes së të gjitha strukturave të sigurisë në një veprim të përbashkët.

Ne kemi policinë e Kosovës, që është jashtëzakonisht profesionale. Mendoj se duhet të ndërtohen dhe të mbështetën edhe më tej potencialet e saj, sidomos duhet të mbështetet në kuptimin e krijimit të asaj që quhet super-strukturë përcjellëse dhe duhet të ndërtohen edhe mekanizma të tjerë të sigurisë, që do të jenë pjesë paralele për të krijuar korpusin e përgjithshëm institucional në fushën e sigurisë.

Flas për Agjencinë e Inteligjencës që duhet të bëhet këto kohë, pastaj, siç thashë edhe më herët, Forca e Sigurisë së Kosovës, që do të jetë një element i veçantë me karakterin që ai do ta ketë specifik, por, megjithatë, bën pjesë në korpusin e përbashkët për sigurinë e përgjithshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti President, me gjithë sfidat që përballeni në këtë post që keni, ju gjithashtu vini edhe nga partia, e cila aktualisht përballet me sfidën e reformimit, pra Lidhja Demokratike e Kosovës. Brenda partisë suaj ka zëra që ju jeni ai që pengoni reformimin. Si do t’u përgjigjeshit këtyre akuzave?

FATMIR SEJDIU
E para është se nga pozicioni që kam, unë nuk hy në komente dhe në çështje që lidhen me pjesën e ecjes së brendshme dhe zhvillimeve të partisë, sepse unë realisht kam pezulluar ushtrimin e funksionit; natyrisht se nuk kam dhënë dorëheqjen në kuptimin e asaj çfarë interpretohet në forma të ndryshme në mjete të ndryshme të informimit dhe nga regjitë që shohin në këndet e tyre, por një gjë mund të them se procesi i reformimit në LDK ka filluar më herët.

Mund të them se në kohën kur unë kam pasur mundësinë, unë kam dhënë idenë e nevojës apo zhvillimit të proceseve të reformimit dhe të forcimit organizativ të saj. Mendoj se LDK-ja ka fuqi që ta çojë procesin vetë mbarë dhe mirë dhe ka strukturë të qëndrueshme të saj, që ajo do ta dëshmojë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Për mua është me rëndësi që të shikoj nga një kënd tjetër paralel – është shumë i rëndësishëm stabiliteti i zhvillimit politik të secilit subjekt politik në Kosovë. Dhe, në këtë kuadër, të jetë një koherencë e veprimeve edhe atyre që janë në koalicion, edhe atyre që janë në opozitë, dhe kjo të shprehet edhe në punën e tyre në institucione.

Prandaj, është shumë me rëndësi që të ketë forca politike serioze dhe mendoj se secila prej tyre e ka këtë ambicie, dhe besoj se LDK-ja do të dëshmohet edhe në këtë kuadër me energjinë e vet që ka.
XS
SM
MD
LG