Ndërlidhjet

HRW: EULEX të hetojë krimet me motive etnike


Mungesa e vullnetit politik si dhe adresimi joadekuat i problemeve teknike nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka ndikuar në ngecje të dukshme të shqyrtimit të krimeve të luftës, si dhe vendosjes së dëshmitarëve të mbrojtur jashtë Kosovës, vlerëson Human Rights Watch, në një letër dërguar shefit të EULEX-it, Yves De Kermabon. Ky i fundit thotë se do të merren parasysh rekomandimet e kësaj organizate për angazhimet e ardhshme të EULEX-it në fushën e sundimit të ligjit.



Organizata Human Rights Watch ka kritikuar Bashkimin Evropian dhe administratën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për angazhimet në shqyrtimin e rasteve të trazirave të marsit të vitit 2004, si dhe në lidhje me vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur jashtë Kosovës, të cilët, sipas organizatës, kanë ndikuar negativisht në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Hulumtuesja e Human Rights Watch për Ballkanin Perëndimor, Wanda Troszczynska-van Genderen, thotë për radion Evropa e Lirë se ka munguar vullneti politik në radhët e institucioneve përgjegjëse për të shqyrtuar dosjet e krimeve të luftës, si dhe për të mundësuar vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur në shtete të ndryshme të Bashkimit Evropian.

"Deri më tani ka qenë shumë e vështirë vendosja e dëshmitarëve të mbrojtur jashtë Kosovës. Ka munguar vullneti për t'i mbrojtur dëshmitarët që është dashur të dëshmojnë për krimet e luftës, krimin e organizuar dhe të tjera", thotë ajo.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë përgjatë nëntë vjetëve të administrimit ka grumbulluar një varg informatash për krimet e luftës që janë kryer nga të gjitha palët e përfshira në Kosovë.

Pjesë e angazhimeve lidhur me këtë çështje është edhe mbrojtja e dëshmitarëve për rastet e caktuara, gjë që, sipas Troszczynska-van Genderen, ka ngecur jo vetëm për shkak të mungesës së vullnetit politik, por edhe për shkak të mosadresimit të duhur të problemeve teknike.

"Mendoj se këtu kanë ndikuar dy çështje: e para është mungesa e vullnetit politik, ndërsa e dyta është më shumë një çështje teknike. Vullneti politik ka munguar definitivisht, por, në anën tjetër, ka pasur edhe çështje teknike, të cilave sistemi gjyqësor është dashur t'u përgjigjet në mënyrën e duhur".

Human Rights Watch i ka dërguar një letër të hapur shefit të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë (EULEX), Yves De Kermabon, përmes së cilës i ka kërkuar hetimin urgjent të rasteve të krimeve me motive etnike, si dhe trajtimin e mungesës strukturale në sistemin kosovar të drejtësisë.

Letra përmban edhe rekomandime për këto çështje, si dhe për vendosjen e dëshmitarëve të mbrojtur jashtë Kosovës, çështje e cila, sipas organizatës, mund të ndihmohet nga EULEX-i.

"Ajo që i sugjerojmë Bashkimit Evropian - gjë që EULEX-i mund ta lehtësojë, është të bëjë marrëveshje individuale ose grupore me shtetet evropiane, për të krijuar një kornizë bashkëpunimi për trajtimin e këtyre rasteve", thotë hulumtuesja në Human Rights Watch, Troszczynska-van Genderen.

Numri një i EULEX-it, Yves De Kermabon, ka thënë se do të merren parasysh rekomandimet e Human Rights Watch, të adresuara në letrën në fjalë, porse, sipas tij, shqyrtimi i çështjeve të ngritura si problematike nga organizata, do të marrë një kohë të caktuar.

Ndërkohë, ekspertët kosovarë të drejtësisë në Prishtinë thonë se aspekti ekonomik ka ndikuar që në të kaluarën të mbrohen vetëm dëshmitarët që kanë dëshmuar në raste të ndjeshme të krimeve të luftës në Kosovë. Eksperti Kujtim Kërveshi sqaron pikëpamjen e tij:

"Çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve ka një ndikim të madh buxhetor dhe për faktin që ka pasur një ndikim të madh buxhetor, vetëm përjashtimisht në disa raste, është siguruar mbrojta e dëshmitarëve, në veçanti kur ka pasur të bëjë me krimet serioze, siç janë ato të krimeve të luftës - raste këto që janë proceduar në Tribunalin e Hagës".

Misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe drejtësi pritet t'i trajtojë dosjet e krimeve të luftës dhe dosje të tjera të trashëguara nga UNMIK sipas peshës së dosjeve. Seleksionimi i dosjeve, sipas paralajmërimeve, do të bëhet po në bazë të kategorisë së veprës apo veprave të përfshira në një dosje.
XS
SM
MD
LG