Ndërlidhjet

Ndikimi i krizës globale në papunësi


Për vite me radhë, migrantët nga zonat rurale të Kinës kanë shkuar për punë drejt vendeve bregdetare perëndimore. Por, kriza globale financiare ka ulur kërkesën për punë, pasi shumë fabrika janë mbyllur.

Dhjetëra-mijëra janë mbyllur këtë vit, ndërsa pritet që vitin tjetër ky numër të rritet, duke lënë miliona migrantë kinezë të papunë.

Në rajonin e Gjirit, shumë projekte të financuara nga kompanitë e mëdha të naftës kanë marrë miliona punëtorë, kryesisht nga vendet aziatike. Por tani, rënia e çmimit të naftës, e përcjellë nga recesioni botëror, po sjell rënie të zhvillimit në vendet e rajonit të Gjirit.

Analistët thonë se as investitorët e as punëtorët migrantë nuk janë të përgatitur për etapën e ardhshme. Parashihet që 13 milionë punëtorë të huaj mund të humbin vendet e punës në muajt e ardhshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka thënë se kriza financiare mund të çrrënjosë komunitete të tëra të punëtorëve të huaj, si dhe të shkaktojë ndryshime të mëdha në dinamikën e migrimit ndërkombëtar.

Ban tha se është e rëndësishme që qeveritë t’i mbrojnë të drejtat e punëtorëve të huaj, në mënyrë që të parandalojnë papunësinë dhe migrimet e punëtorëve.

"Unë gjithashtu do t'u bëja thirrje këtyre vendeve që strehojnë shumë migrantë, se duhet të sigurojnë, përmes legjislacionit të brendshëm si dhe politikave sociale, mbrojtje të punëtorëve të huaj", ka thënë Ban.

Por, ka shenja se në disa vende kjo po kundërshtohet.

Në Rusi, kryeministri Vladimir Putin, këtë muaj, nënshkroi dekretin për reduktimin e punëtorëve të huaj.

Ndërkaq, zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtarë për Migrim, Zhan Filip Shozi, thotë për radion Evropa e Lirë se politikat si kjo e Rusisë, janë shqetësuese për organizatën.

"Organizata Ndërkombëtare për Migrim thotë se vendet në mbarë botën duhet të njohin kontributet pozitive që migrantët kanë dhe do të kenë në rritjen ekonomike, edhe në kohën e krizës globale financiare. Këto vende nuk duhet t'i mbyllin dyert për migrantët, pasi ata janë të nevojshëm edhe në kohë të rënies ekonomike", thotë Zhan Filip Shozi.

Ai shpjegon më tutje se politikat qeveritare që mbyllin dyert për migrantët, mund të ngrenë pasurinë e organizatave kriminale.

"Secila politikë që do të ndalojë migrimin, do të inkurajonte më shumë njerëz të gjejnë rrugë joligjore, duke vënë shumë shpesh jetët e tyre në rrjetet e trafikimit që operojnë në tërë botën", shton zëdhënësi i IOM-it.

Më e rëndësishmja, sipas tij, është se masat e tilla mund t'i kontribuojnë një ambienti ksenofobik.

"IOM-i beson se politikat e tilla që i japin përparësi punësimit të qytetarëve vendas, së pari kontribuojnë në stigmatizimin e migrantëve. Një masë e tillë do të nxiste ndjenjat ksenofobie, sepse ndikimi i krizës është shumë i fuqishëm dhe se konkurrenca për punë është mjaft e lartë", thotë zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim.
XS
SM
MD
LG