Ndërlidhjet

Mauring: S’ka përparim pa agjendë zhvillimore


Frode Mauring
Frode Mauring

“Nuk mund të shkojmë përpara vetëm politikisht, duhet të kemi edhe agjendën socio-ekonomike, edhe agjendën zhvillimore”, thotë në intervistë për radion Evropa e Lirë, Frode Mauring, udhëheqës i UNDP-së.





RADIO EVROPA E LIRË

Në raportet e paralajmërimit të hershëm të UNDP-së theksohet mungesa e besimit në institucionet e Kosovës. Mendoni se viti 2009 do të jetë një vit ku institucionet e Kosovës do të shënojnë progres?

FRODE MAURING
Përgjigjja ime është po dhe jo. Do të ketë mundësi që institucionet kosovare të punojnë më mirë, të vazhdojnë të ndërtojnë kapacitetet në fushën që edhe ne ndihmojmë shumë.

Mirëpo, pritjet e qytetarëve të Kosovës janë shumë të mëdha, janë pritje të larta, kështu që nuk mund të di saktësisht se sa do të jetë niveli në mes asaj se çka mund të bëhet dhe pritjeve të qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha kanë ngecur institucionet e Kosovës?

FRODE MAURING
Mund të them se ende ekzistojnë zbrazëtira në kapacitetet e institucioneve kosovare. Ashtu siç e kemi parë që UNMIK-u me të vërtetë i ka zvogëluar kapacitetet e veta, po ashtu është parë qartë se institucionet e Kosovës nuk janë gjithmonë në gjendje të marrin prej tyre edhe të vazhdojnë aty ku kanë mbetur me të njëjtën dinamikë.

Më duhet të them se ndoshta çështja më specifike, të cilën duhet ta kemi parasysh, është sundimi i ligjit. Në këtë fushë kemi me të vërtetë zbrazëtira dhe duke marrë parasysh që sundimi i ligjit është bazë e çdo shoqërie demokratike, duhet të themi se këtu kemi mungesë të asaj që do të duhej të kishim.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportet e UNDP-së është theksuar se kosovarët janë më të gatshëm që të protestojnë për çështje sociale e ekonomike, sesa për ato politike. Sa ka rrezik që ky disponim të radikalizohet në trazira sociale, siç paralajmërojnë njohës të çështjeve ekonomike?

FRODE MAURING
Edhe pse në hulumtimet e raporteve të UNDP-së njerëzit janë përgjigjur që më tepër do të protestonin për çështje ekonomike, deri më tani më shumë kemi parë protesta që janë bërë për çështje politike.

Kjo sigurisht ka ardhur si rezultat i asaj që disa çështje politike tanimë janë arritur dhe njerëzit nuk e shohin të arsyeshme të protestojnë për këtë çështje. Çështjet ekonomike mbesin të pazgjidhura dhe prandaj ajo merret si çështje për të cilën do të protestojnë.

Pse protestat për çështje ekonomike nuk kanë qenë të shpeshta, është mu për atë se kanë qenë të gatshme edhe institucionet kosovare t’i përmbushin kërkesat e tyre, mirëpo jo të gjitha kërkesat mund të zgjidhen menjëherë.

Nuk mundemi përnjëherë të kemi edhe paga të mëdha, edhe shëndetësi më të mirë, edhe zhvillim ekonomik më të mirë - prandaj rreziku ekziston. Ndoshta do të ketë frustrim të popullatës, ata nuk do të jenë të kënaqur me atë që po u ofrohet, andaj edhe ekziston ky rrezik që mund të ketë në të ardhmen protesta të këtij lloji.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga objektivat e Mijëvjeçarit është lufta kundër varfërisë. Çfarë ka bërë UNDP-ja në Kosovë që ta përmbushë këtë qëllim?

FRODE MAURING
Puna jonë në zvogëlimin dhe në zhdukjen e varfërisë ka filluar edhe para nënshkrimit të Deklaratës së Mijëvjeçarit, që është bërë në vitin 2000. Tërë punën e adresojmë në këtë çështje.

Këtu në Kosovë, vetëm gjatë viteve 2000-2008 ne kemi punësuar nga 500 deri në 1000 të rinj, të cilët kanë qenë të papunë; kemi dhënë bursa për nxënës dhe studentë të komunitet rom, ashkali dhe egjiptas; gjithashtu kemi asistuar edhe në një numër shumë të madh të të zhvendosurve, të cilët kanë vendosur që të kthehen në Kosovë e të cilët janë asistuar në mënyra të ndryshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Një çështje tjetër në të cilën ka qenë e përfshirë UNDP-ja, është kthimi dhe integrimi. Sa është duke u punuar për integrimin e pakicave?

FRODE MAURING
Unë mendoj se ende nuk mund të bëjmë një vlerësim se sa kemi pasur sukses, mirëpo më duhet të them se kemi pasur me të vërtetë disa projekte shumë të suksesshme.

Njerëzit janë kthyer në shtëpitë e tyre; ata janë integruar pikërisht në mesin ku kanë jetuar edhe përpara. Ne kemi ndihmuar edhe me projekte, të cilat kanë të bëjnë me ndihmë ekonomike; ata kanë filluar aktivitetet ekonomike bashkë me fqinjët e tyre që i kanë pritur.

Deri më tash, disa vende i kanë pranuar më mirë, procesi i riintegrimit ka rrjedhur më mirë; në disa vende duhet të ketë përmirësime, mirëpo ne do të vazhdojmë me këtë punë edhe në të ardhmen. Ne do të vazhdojmë t’i kthejmë njerëzit në shtëpitë e veta si në pjesën jugore të Kosovës, ashtu edhe në pjesën veriore.

RADIO EVROPA E LIRË

A mendoni se në vitin 2009 do të ketë një numër më të madh të serbëve, të cilët do të kthehen në Kosovë? Si e shiheni këtë proces?

FRODE MAURING
Në shumicën e vendeve në Kosovë tanimë ekzistojnë mundësitë që serbët të kthehen në shtëpitë e tyre - të gjitha mundësitë janë aty. Mund të themi se disa prej tyre nuk janë edhe aq të interesuar dhe mendohen se a do të ishin kthyer apo jo. Të gjitha rrethanat i kemi shumë të mira, çdo gjë ka përparuar këtu në Kosovë.

Gjithashtu nuk kemi kurrfarë ndikimi negativ për sa i përket kthimit të serbëve dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave është në nivel shumë të lartë, por përsëri po them që ka njerëz, të cilët prej vitesh po jetojnë diku tjetër, e kanë vazhduar atje jetën e tyre dhe tash kanë mëdyshje sa i përket kthimit. Megjithatë, kjo nuk ndodh vetëm këtu, por në tërë botën.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni Kosovën në vitin 2009?

FRODE MAURING
Kosova në vitin 2009 mendoj se mund të shkojë në disa drejtime të ndryshme, mirëpo unë shpresoj që proceset politike do të lihen pas në vitin 2009 dhe do të vijë koha që edhe liderët e Kosovës të fokusohen në agjendën zhvillimore.

Kosova ka nevojë për arsim të mirë, ka nevojë për shëndetësi të mirë, ka nevojë për sundim të ligjit, i cili do të jetë në nivel të duhur, ka nevojë për një strategji dhe luftë të korrupsionit - ka nevojë për të gjitha këto.

Deri tani, truri më i mirë i Kosovës është marrë me çështje politike, janë marrë me agjendën politike. Koha është që ky tru t’u kthehet çështjeve zhvillimore dhe të fillojë një punë të re.

Nuk mund të shkojmë përpara vetëm duke shkuar përpara politikisht; duhet të kemi edhe agjendën socio-ekonomike, agjendën zhvillimore, që t’i adresojmë të gjitha këto çështje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG