Ndërlidhjet

Reciprociteti - masa finale ndaj Serbisë


Kosova është e gatshme t'i kundërpërgjigjet embargos nga Serbia dhe Bosnja për produktet kosovare, duke përdorur masat e reciprocitetit. Ekspertët thonë se mund të merren edhe masa të tjera alternative për ta zhbërë këtë bllokadë.


Republika e Kosovës po zhvillon konsultime në nivel të drejtorive të doganave me Bosnjë e Hercegovinën, si dhe me përfaqësuesin serb në Sekretariatin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me vendet e Evropës Juglindore, për të zgjidhur problemin e embargos - të cilën këto shtete ia kishin vënë, kohë më parë, produkteve që vijnë nga Kosova, e të cilat mbajnë vulën e doganave të Kosovës.

Këtë e konfirmoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Lutfi Zharku, i cili tha se pritet që në një të ardhme të afërt, të marrë përgjigje nga këto dy shtete lidhur me bllokimin e importit për Kosovën.

"Në nivelin e drejtorëve të doganave janë zhvilluar konsultime. Me Serbinë, ne presim përgjigje nga Sekretariati i CEFTA-s dhe natyrisht do ta ngremë çështjen në nënkomitetin për dogana dhe origjinë të mallit", tha ministri Zharku.

Autoritetet kosovare thonë se do t’i marrin të gjitha masat legjitime bazuar në marrëveshjen CEFTA, me të cilën lejohet dhe marrja e masave të reciprocitetit, për të zgjidhur problemin me Beogradin dhe Sarajevën zyrtare.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Lutfi Zharku, sqaron qëndrimin e ekzekutivit kosovar për këtë çështje:

"Në instancë të fundit, nëse në të gjithë këta mekanizma nuk mund të mbërrijmë marrëveshje, absolutisht do të zbatohet reciprociteti në përputhshmëri me marrëveshjen", thotë ai.

Ndonëse do të pësonin humbje për bizneset e tyre për një periudhë të shkurtër kohore deri në gjetjen e partnerëve alternativë tregtarë nga vendet e tjera të rajonit, komuniteti i bizneseve në Kosovë përkrah qëndrimin e Qeverisë së Republikës për marrjen e masave të reciprocitetit karshi importit nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, mendon se bizneset kosovare në periudhë afatgjate do të përballin humbjet që eventualisht mund t'i kenë pas vendimit për bllokadën ndaj produkteve serbe.

"Edhe pse këto masa shpeshherë janë në kundërshtim me parimet ekonomike, në kundërshtim me tregun liberal, por për një vend që ka eksport në Kosovë, siç është rasti i Serbisë për 300 milionë euro dhe mallrat tona nuk mund të depërtojnë as tranzit, atëherë duhet rishikuar të gjitha marrëveshjet dhe në këtë rast nuk do të humbë askush", konsideron Shahini.

Disa nga qytetarët e Kosovës thonë se janë të gatshëm të paguajnë një çmim më të lartë për produktet që do t'i zëvendësonin ato serbe, në rast të një embargoje që Kosova do ta shpallte për mallrat e Serbisë. Musa Selimi e quan të drejtë qëndrimin e shtetit kosovar.

"Kjo ndoshta do të ndikojë në xhepin e qytetarëve, por megjithatë ne duhet të sillemi si shtet dhe duhet të jemi të barabartë me shtetet si Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina", thotë Selimi.

Të njëjtin mendim e ka dhe qytetari nga Prishtina, Avdi Pireva, i cili thotë se duhet bërë sakrifica të tilla për t’u trajtuar si shtete në arenën ndërkombëtare.

"Nëse ndodh kjo, atëherë do të jetë një sakrificë për qytetarët e Kosovës, por kjo do të ndikojë shumë edhe te qytetarët e Serbisë", thotë Pireva.

Përveç vënies së embargos ndaj produkteve që vijnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, sipas ekspertëve të fushës së ekonomisë, Kosova ka dhe alternativa të tjera.

Eksperti Shpend Ahmeti vlerëson se presioni politik i vendeve të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë dhe Bosnjës, do të mund të zgjidhte problemin ekzistues që nga fillimi i muajit dhjetor. Mirëpo, Qeveria e Kosovës, sipas tij, është dashur të veprojë më herët.

"Mendoj se ka edhe dy alternativa të tjera. Njëra është që të dërgohet një ankesë përmes përfaqësuesit tonë që duhet ta kemi në Sekretariatin e CEFTA-s në Bruksel, ku ne ankohemi për shkak të bllokimit të mallrave, ndërsa hapi tjetër është që të përdoret influenca e shteteve evropiane, që të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe Sarajevën, që të zhbllokohen mallrat tona", mendon Ahmeti.

Që nga 3 dhjetori, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ua kanë bërë bllok produkteve të Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulës së doganave nga ato të UNMIK-ut në doganat e Kosovës.

Vendimi i Qeverisë serbe për të bllokuar produktet që vijnë nga Kosova, vlerësohet si një hap tjetër kundërshtues për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të këtij viti.

XS
SM
MD
LG