Ndërlidhjet

Trupat izraelite rrethojnë Gazën


Trupat izraelite rrethuan Gazën, 4 janar '09.
Trupat izraelite rrethuan Gazën, 4 janar '09.

Mijëra trupa izraelite të mbështetura nga tanket, aeroplanët dhe mjetet tjera ushtarake, të dielën kanë rrethuar qytetin e Gazës. Zyrtarët izraelitë thonë se kanë qenë të shtrënguar të ndërmarrin këtë aksion, për shkak të sulmeve të pandërprera me raketa të Hamasit ndaj territorit të Izraelit.


Izraeli, mbrëmë, pas tetë ditësh të sulmeve ajrore, ka filluar ofanzivën tokësore në Gazë. Kryeministri Ehud Olmert ka bërë të ditur se Izraeli do të vë nën kontrroll pjesë të Gazës prej nga gjuhen raketat në territorin e Izraelit, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, ka deklaruar se ka urdhëruar mobilizimin e dhjetra mijëra rezervistëve.

"Ofanziva izraelite kundër lëvizjes radikale palestineze Hamas do të mund të zgjerohet për aq sa do të jetë e nevojshme", ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Ehud Barak.

Mijëra trupa izraelite, të mbështetura nga tanket, aeroplanët dhe mjetet tjera ushtarake, të dielen kanë depërtuar vetëm tre kilometra larg qytetit të Gazës. Pavarësisht këtij depërtimi të shpejtë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Ehud Barak, ka parashikuar "luftë të gjatë dhe të vështirë".
Zyrtarët izraelitë thonë se kanë qenë të shtrënguar të ndërmarrin këtë aksion, për shkak të sulmeve të pandërprera me raketa të Hamasit ndaj territorit të Izraelit.

Deri më tash është raportuar për dhjetra palestinezë të vrarë në Rripin e Gazës, në mesin e të cilëve kishte edhe civilë, duke e çuar numrin e viktimave palestineze në afër 500.

Ndërkohë, zëdhënësi i Hamasit ka thënë se trupat izraelite do të ballafaqohen me "vdekje të sigurt ose rrëmbime".

Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, ka deklaruar se "Izraeli nuk lufton kundër popullit palestinez" dhe se nuk do të lejojë krizë humanitare në Rripin e Gazës.

"Palestinezët nuk janë armiqtë tanë. Edhe ata janë viktima të dhunës dhe shtypjes vrastare si Izraeli, nga e njëjta organizatë terroriste", ka thënë Olmert, duke aluduar te lëvizja radikale palestineze Hamas.

Olmert ka thënë se Izraeli do të ndihmojë për sigurimin e ushqimeve dhe barnave për banorët e Rripit të Gazës.

Në orët e para të mëngjesit është tubuar Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që ka dështuar në përpjekjen për të miratuar rezolutë me ftesë për ndërprerje të luftimeve në Rripin e Gazës. Takimi që ishte ftuar nga vendet arabe, ka zgjatur 4 orë dhe është mbajtur me dyer të mbyllura.

Pas takimit, përfaqësuesi i Shtetetve të Bashkuara në OKB, Alejandro Wolf, ka thënë se kredibiliteti i OKB-së do të dëmtohej nëse do të bëheshin ftesa që do të injoroheshin.

Ai ka thënë se Izraeli si anëtar i Kombeve të Bashkuara nuk bën të barazohet me një organizatë terroriste siç është Hamasi.

Më herët, administrata amerikane e presidentit Bush ka akuzuar lëvizjen radikale Hamas për luftimet dhe keqësimin e situatës në Rripin e Gazës.

Stejt Departamenti ka thënë se është duke punuar për të siguruar armëpushim, por nuk ka dhënë hollësi se si do të realizohet një gjë e tillë kur dihet se Shtetet e Bashkuara nuk bisedojnë dhe nuk kontaktojnë me Hamasin.

Zëdhënësi i Stejt Departamentit, Shon Mekormak, ka deklaruar se armëpushimi është i nevojshëm, por duke mos lejuar Hamasin të vazhdojë me lansimin e raketave kundër Izraelit.

Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, në paraqitjen e tij të rregullt javore në radio, ka thënë se sulmet e Hamasit me raketa janë "akte të terrorit" dhe ka shtuar se Uashingtoni është duke "prirë në përpjekjet diplomatike për të jetësuar armëpushim domethënës".
XS
SM
MD
LG