Ndërlidhjet

Pritet një fluks i kthimit të të zhvendosurve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Në buxhetin e vitit 2009 të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim janë ndarë 2 milionë euro për kthimin e serbëve dhe komuniteteve tjera të shpërngulura nga Kosova gjatë vitit 1999. Drejtuesit e kësaj ministrie theksojnë se gjatë këtij viti pritet të ketë një fluks më të madh të kthimit të të zhvendsourve.


Autoritetet kosovare thonë se janë duke punuar në vazhdimësi për kthimin e të zhvendosurve nga Kosova gjatë vitit 1999. Ata u bëjnë thirrje në veçanti serbëve që të kthehen, pasi që janë krijuar kushtet për një kthim të qëndrueshëm.

Zëvendësministri i Kthimit, Ismet Hashani, pohon se situata e sigurisë dhe lëvizja e lirë, në përjashtim të Mitrovicës, janë në nivelin e duhur, dhe nisur nga ky fakt, ai thotë se gjatë këtij viti pritet të ketë një fluks më të madh të kthimit të të zhvendosurve nga Kosova.

"Sa i përket procesit të kthimit të të zhvendosurve gjatë vitit 2009, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndarë rreth një milion euro për kthim individual dhe një milion euro për kthim të organizuar",
shpjegon Hashani.

Ministria e Kthimit në të gjitha projektet që realizon, sipas zëvendësministrit Hashani, mundohet që veprimet t'i koordinojë me komunat e Kosovës. Hashani tregon se kanë mjaft projekte që do t'i realizojnë me komunat, të cilat do të shkojnë në të mirë të procesit të kthimit dhe integrimit të atyre që janë këtu dhe atyre që do të kthehen.

Hashani konfirmon se gjatë këtij viti do të përfundojë objekti në fshatin Llapnasellë, ku pritet të kthehen 60 familje dhe po ashtu, siç tha ai, do të ndërtohet një numër i konsiderueshëm i shtëpive në Komunën e Klinës, atë të Istogut, në Komunën e Fushë Kosovës, si dhe në Komunën e Gjilanit.

Në bazë të statistikave që i posedon Ministra e Kthimit, nga viti 1999 e deri tani janë kthyer rreth 18 mijë persona.

Ndërkohë, në kthimin dhe integrimin e serbëve dhe komuniteteve tjera në Kosovë, financiarisht ndihmon edhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Komisioni Evropian.

Përfaqësues të Programit të Kombeve të Bashkuara thonë se interesimi për kthim është duke vazhduar, ndërkohë që gjatë këtij viti pritet të bëhet kthimi i një numri të madh të familjeve serbe në Kosovë.

Sipas të dhënave, UNDP-ja gjatë vitit 2008 ka ndihmuar kthimin e rreth 90 familjeve të zhvendosura; njëkohësisht UNDP-ja, gjatë vitit të kaluar, ka shpenzuar 4 milionë dollarë në projektet që kanë qenë të ndërlidhura me procesin e kthimit.

Armend Muja, nga UNDP-ja, thotë se në shumicën e vendeve në Kosovë tanimë ekzistojnë mundësitë që serbët të kthehen në shtëpitë e tyre.

"Pritja e popullatës lokale edhe siguria janë dy elemente shumë të rëndësishme në vendimin e kthimit. Këto dy elemente kanë ndikuar për një kohë, por që ky ndikim nuk ka qenë mjaft i gjatë dhe për një kohë shumë të shkurtër ka pasur përsëri interesim për kthim", tha Muja.

Sipas tij, në procesin e kthimit në vitin 2009 do të financojë Qeveria e Kosovës me mbi 700 mijë euro, pastaj Qeveria çeke me 70 mijë euro, Qeveria norvegjeze me 6 mijë euro, si dhe Qeveria britanike me mbi 600 mijë euro.

Megjithatë, Ministria e Kthimit ka vërejtur një stagnim në kthimin e të zhvendosurve serbë pas pavarësisë së Kosovës, meqë të zhvendosurit nuk ishin të sigurt për të ardhmen e tyre, por që aktualisht, sipas zëvendësministrit Hashani, e gjithë kjo situatë e pasigurisë është tejkaluar.

"Në tremujorin e parë të pavarësisë ka pasur stagnim, por tani është klima më e favorshme",
tha ai.

Po ashtu edhe përfaqësuesi i UNDP-së, zoti Muja, thotë se pas pavarësisë ka pasur stagnime, por që janë tejkaluar.

"Kosova i ka kushtet bazike për kthim. Kur e themi këtë, nisemi nga ajo se çfarë thonë personat, të cilët janë kthyer në Kosovë",
pohon Armend Muja.

Pothuajse nëntë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, kthimi vullnetar i të zhvendosurve brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht kthimi i serbëve dhe romëve, vazhdon të konsiderohet si sfida më e madhe në procesin e të kthyerve.

XS
SM
MD
LG