Ndërlidhjet

FSK nis punën


Pjesëtarët e FSK-së
Pjesëtarët e FSK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës është ngritur edhe zyrtarisht. Mision i kësaj force është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave tjera.



Në mesnatë, pas një ceremonie të thjeshtë u ngrit flamuri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, në shtabin qendror të kësaj force, ku deri më tash ishin të vendosur Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Me këtë rast, komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi shpalli fillimin e misionit.

"Ne po fillojmë një etapë të re edhe kjo forcë po bëhet realitet. Që tani të gjithë pjesëtarët të cilët janë me mua në FSK do të jenë në detyra të caktuara. Kjo do të jetë në bashkëpunim të plotë me institucionet tjera të Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë", ka thënë Selimi.
Komandanti i FSK-së, Sylejman Selimi


FSK në shtator të këtij viti do t'i ketë të ngritura kapacitetet fillestare operacionale, ndërsa funksionalizimi i plotë i saj pritet të marrë nga 2 deri në 5 vjet.

Komandanti i deritashëm i TMK-së është shprehur i brengosur për faktin se qindra pjesëtarë të TMK-së, mbetën jashtë FSK-së, për shkak se nuk plotësuan kriteret për t'iu bashkuar forcës së re të sigurisë.

Janë vetëm 1300 pjesëtarë të TMK-së që kanë mundur të kalojnë në FSK.

Rreth 2 mijë pjesëtarët tjerë të FSK-së do të rekrutohen nga pjesa tjetër e shoqërisë. Për procesin e rekrutimit do të kujdesen forcat paqëruajtëse në përbërje të KFOR-it.

"Është shumë e rëndësishme se FSK do të reflektojë përbërjen etnike të Kosovës dhe kjo nënkupton se do ketë anëtarë nga përkatësi të ndryshme etnike, me sfond të ndryshëm dhe shkathtësi tjera. Periudha e rekrutimit fillon sot (më 21 janar) dhe përfundon më 14 shkurt", tha zyrtari për rekrutim i KFOR-it Henrik Kristenson.

Por, me gjithë premtimet se FSK do të jetë multietnike, përfaqësues të serbëve të Kosovës nuk e shohin këtë forcë si një institucion ku mund të integrohen në të ardhmen.

Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën, thotë se Beogradi zyrtar do të paraqesë ankesa në mekanizmat ndërkombëtarë lidhur me ngritjen e kësaj force.

"Ne si Ministri për Kosovën, por edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në kuadër të raporteve tona bilaterale me NATO-n, do t'u themi se ky është një vendim i gabuar", tha Ivanoviq.

Në anën tjetër, qytetarët shqiptarë kanë mirëpritur krijimin e FSK duke parë në të bërthamën e një ushtrie profesioniste.

Haxhi Ferati, qytetar nga Prishtina thotë se sot u bë edhe një tjetër hap drejt forcimit të shtetit të Kosovës.

"Është ditë e madhe për historinë tonë, është ditë kur po e shënojmë shtet-formimin tonë edhe me FSK-në si shtyllë të saj", thotë Ferati.

Ligji për FSK-në parasheh që 10 për qind e pjesëtarëve të saj të jenë nga komunitetet pakicë. Por, të nxitur nga deklratat e zyrtarëve të Beogardit, hezitimet vërehen në mesin e serbëve të Kosovës.

Presidenti serb Boris Tadiq ka thënë se Beogradi zyrtar do të punojë në drejtim të shpërbërjes së FSK-së.

Ngjashëm, për Milosh Vasiqin nga pjesa veriore e Mitrovicës FSK është e papranueshme.
Mitrovica

"Kam dëgjuar këtë informacion, dhe besomëni mua asgjë më nuk më befason. Secili qytetar i rëndomtë, për të mos thënë secili serb, e di që nuk duhet të krijohet forcë paraushtarake në territorin e një shteti tjetër", thotë Vasiq.



Forca e Sigurisë e Kosovës do të ketë 2500 pjesëtarë të armatosur lehtë me 800 rezervistë.

Mision i kësaj force është që të marrë pjesë në operacione për reagim ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj, operacione të mbrojtjes civile në Kosovë dhe t'i ndihmojë autoritetet civile duke reaguar gjatë katastrofave natyrore dhe emergjencave tjera.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG